Shpëtim Çuçka sjell “Secilit hakun”
të Leonardo Sciascia-s në shqip

Shpëtim Çuçka sjell “Secilit hakun”<br />të Leonardo Sciascia-s në shqip
Botuar në vitin 1966 dhe i përkthyer tashmë në të gjithë botën, ky roman i Sicilisë së errët dhe mizore konsiderohet si një nga veprat më të mëdha të Leonardo Sciascias. Me një stil të matur, të hidhur, pak sarkastik, por mjaft të qartë dhe të kursyer në përshkrime, romani fillon me rrëfimin e historisë së një farmacisti që “jetonte i qetë, që nuk kishte pasur kurrë probleme e nuk merrej me politikë”, por një ditë prej ditësh merr një letër anonime, ku kërcënohet me vdekje.

Nga këtu e më tej ngjarja fillon e trazohet, dhe dyshimi, aluzionet dhe gjaku dominojnë qytezën e botës siçiliane. I gjithë arti i Sciascias shpaloset në ngatërresën dhe zgjidhjen, hap pas hapi, të këtij lëmshi. Askush nuk i shpëton këtij labirinti dhe në fund të fundit, ai që do të humbasë aty është pikërisht njeriu i painteresuar, vëshguesi i kthjellët, i cili sa më shumë heton, aq më shumë “ndihet moralisht dhe sensualisht i pleksur dhe i ngatërruar në diçka të dyshimtë e të papërcaktueshme”. 

Shkrimtari italian Leonardo Sciascia (1921-1989) konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të shekullit të 20. Debutimi i tij letrar është më 1950. Ndër veprat e tij më të njohura, të botuara në dhjetëra gjuhë, përmendim: Famullitë e Regalpetrës, Dyer të hapura, Këshilli i Egjiptit, Vdekja e inkuizitorit, Konteksti, Todo Modo, Secilit hakun, Dita e kukuvajkës, Dajat nga Amerika, Stendali dhe Siçilia, Shtriga dhe kapiteni, Alfabeti pirandelian, etj. Libri vjen i përkthyer në shqip nga Shpëtim Cuçka, një nga përkthyesit më të rëndësishëm të letërsisë botërore në shqip.

Ai ka përkthyer nga disa gjuhë të huaja në shqip: nga gjermanishtja, italishtja, anglishtja, rusishtja, frëngjishtja si dhe nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër. Ndër përkthimet e tij më të rëndësishme mund të përmenden: “Jetë njerëzish të shquar” të Plutarkut, “Filokteti” i Sofokliut, “Lutëset” e Eskilit, “Pluti” i Aristofanit, “Muku i vogël” i Vilhelm Haufit, “Dekameroni” i Bokaços, “Zjarret e Bazentos” i Rafaele Nigros, “Si shkruhet një punim diplome” i Umberto Ekos, “Mes dy detesh” i Karmine Abates, etj. Ai është, gjithashtu, hartues i disa fjalorëve anglisht-shqip. Në Panairin e Librit “Tirana 2006” është vlerësuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë si “Përkthyesi i vitit”.

Ka pasur, ndërkohë, një aktivitet shumëvjeçar në diplomaci duke përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në Rusi, Itali, etj., por aktualisht i është rikthyer profesionit të përkthyesit.
Shpëtim Çuccka sjell "Secilit hakun" të Leonardo Sciascia-s në shqip.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf