/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kuqezinjtë kanë vijuar edhe sot përgatitjet për ndeshjen me Armeninë dhe ashtu siç është zakon tashmë, dy futbollist të përzgjedhur nga tekniku De Biazi kanë dalë në një deklaratë për shtyp.
Fillimisht ka folur portieri Berisha, i cili në deklaratën e tij ka përcjell entuziazmin e skuadrës, ndërsa ka theksuar se përqendrimi është maksimal.
"Luajmë përballë një kundërshtari mjaft të rrezikshëm dhe që pikën më të fortë ka kundërsulmet. Prandaj duhet të tregohemi sa më të vëmendshëm dhe të bëjmë sa më pak gabime. Personalisht ndjej përgjegjesi dhe kam punuar shumë psikologjikisht për të mos pësuar gol në këtë përballje. Kam besim se duke dhënë maksimumin do të dalim me 3 pikë të plota nga kjo sfidë", u shpreh Berisha.
Ansi Agolii me fanellen numer 7 gjate stervitjes
Më tej ka folur, anësori i majtë Ansi Agolli. Lojtari tiranas, ka theksuar se skuadra po punon fort, pasi dëshira për të mundur Armeninë është e madhe. 32-vjeçari që luan për një skuadër azerbajxhanase bëri të ditur se edhe në Azerbajxhan të gjithë do të bëjnë tifo për Shqipërin, kjo dhe për shkak të konfliktit mes dy vëndeve.
"Nuk ndjejmë aspak presion para kësaj sfide. Po përgatitemi për të dhënë maksimumin dhe në fund shpresoj që të shpërblehemi me një fitore. Në Azerbajxhan ku luaj, e ndjejnë shumë këtë sfidë kjo për shkak të konfliktit që kanë me shtetin armen, ndaj dhe jam i sigurt që të gjithë atje bëjnë tifo për mua dhe për ekipin shqiptar", tha anësori i majtë, që këtë vit do të ketë dhe një rival më shumë korsinë e tij të preferuar, të riun Aliji, që aktivizohet me Bazelin .
Dita e dytë e grumbullimit të kombëtares shqiptare ka shkuar sipas programit, e ngarkuar dhe me ritëm të lartë. Pasi kanë ngrënë mëngjesin skuadra është ndarë në grupe, teksa trajneri Gianni De Biasi kishte vendosur që të bënte një video analizë të kundërshtarit, për t'i lënë pergatitësit atletik detyrat në fushë.
Kështu skuadra është ndarë në grupe sipas vendosjes që kanë në fushë. Mbrojtësit, mesfushorët dhe më pas sulmuesit janë paraqitur në grupe tek trajneri për të ndjekur analizën që i është bërë lojës së kundërshtarit, ndërkohë që po në grupe, kanë marrë ngarkesën fizike nga përgatitësi altetik. Ndërkohë të tre portierët kanë vijuar përgatitjet e tyre me trajnerin Ilir Bozhiqi.
Gjatë pasdites, pritet një seancë tjetër stërvitore, ku dhe Xhani De Biazi do të njihet me gjëndjen e dy lojtarëve që kanë paraqitur probleme, Mërgim Mavraj dhe Debatik Curri.