Shqipëri-Kosovë, çfarë parashikon
heqja e tatimeve të dyfishta

Shqipëri-Kosovë, çfarë parashikon<br />heqja e tatimeve të dyfishta
TIRANE- Është miratuar nga Qeveria shqiptare marrëveshja për heqjen e tatimit të dyfishtë me shtetin e Kosovës. Heqja e tatimit të dyfishtë midis të dy vendeve vjen në kuadrin e marrëveshjes “Për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal”. Kjo do të mundësojë krijimin e legjislacionit të duhur për mënyrën se si subjektet juridike shqiptare apo kosovare, të cilët kanë veprimtari sipërmarrëse në të dyja vendet, të trajtohen përballë administratës tatimore.
 
Relacioni
Disa nga piketat e kësaj marrëveshja janë shpjeguar në relacionin që e shoqëron. Fillimisht bëhen përcaktimet e ndryshme si përcaktimi i rezidencës tatimore të tatimpaguesit, ai i së drejtës së plotë tatimore të tatimit mbi të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, ai i “njësisë së përhershme” të biznesit, që një individ apo një sipërmarrje e njërit shtet kontraktues ka në shtetin tjetër kontraktues. Për sa i përket trajtimit të të ardhurave nga transporti ndërkombëtar, e drejta e plotë tatimore i jepet shtetit ku ka rezidencën shoqëria ajrore apo detare që ushtron biznesin e transportit ndërkombëtar.

E drejta tatimore për tatimin e të ardhurave nga shitja e pronave të paluajtshme i takon vendit ku ndodhen këto prona të paluajtshme, pavarësisht nga rezidenca e tatimpaguesit. Të ardhurat nga shërbimet personale të pavarura, shërbimet profesionale që një rezident i një shteti kontraktues realizon në shtetin tjetër do të tatohen në shtetin e rezidencës së individit që realizon këto të ardhura, përveçse kur këto shërbime realizohen nëpërmjet një baze të qëndrueshme, që ky individ ka në shtetin tjetër. Në një rast të tillë, të ardhurat që i atribuohen kësaj baze të qëndrueshme do të tatohen në shtetin ku ndodhet baza e qëndrueshme.

E drejta për tatimin e kapitalit, kur ky kapital konsiston në pronë të paluajtshme, i takon shtetit kontraktues ku ndodhen këto prona. Shmangia e tatimit të dyfishtë për të ardhurat nga dividentët, nga interesi dhe nga tarifat për licensa, bëhet duke e ndarë të drejtën tatimore midis të dy vendeve, dhe konkretisht, vendi i burimit, pra vendi ku lindin këto të ardhura, ka të drejtë tatimore të kufizuar, ndërsa vendi i rezidencës krediton tatimin e paguar në vendin tjetër kur llogarit detyrimin tatimor të tatimpaguesit.

Shkrimi u publikua sot (25.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)

Paris 2024/ Sinkronizimi perfekt i zhytëseve kineze që solli medaljen e artë (VIDEO)