TIRANË, 23 Mars/ATSH/.- Shqipëria dhe Kosova pritet të zhvillojnë sot, mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, ku pritet të nënshkruhen edhe 11 marrëveshje bashkëpunimi.
Delegacioni i qeverisë kosovare pritet të mbërrijë rreth orës 10:40 në ambientet e Pallatit të Kongreseve ku do të zhvillohet edhe mbledhja e përbashkët. Pas organizimit të ceremonisë së mirëseardhjes pritet të nisë edhe mbledhja e përbashkët mes dy kabineteve qeveritare.
Gjithashtu, qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës do të nënshkruajnë edhe 11 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, përmes të cilave pritet të thellojnë partneritetin strategjik në disa fusha të rëndësishme, si në fushën e sigurisë, shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit, për bashkëpunim financiar, për lehtësimin tregtar, në bujqësi, kulturë, në fushën e arsimit, etj.
Rreth orës 12:20, do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp e dy kryeministrave të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës./m.m/