Profesori amerikan Edward P. Joseph vlerëson se përfshirja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes tregon një orientim të qartë politik të këtyre vendeve drejt administratës amerikane.

“Ajo që është e rëndësishme tani për Kosovën, si dhe për Shqipërinë dhe Bullgarinë, është se ato po e forcojnë marrëdhënien e tyre me administratën Trump” ,vlerësoi Joseph në një intervistë për median Kosovare Kallxo, duke sugjeruar që edhe Maqedonia e Veriut të ndjekë këtë hap.

Duke nënvizuar ndjeshmërinë e raporteve Kosovë-SHBA, Joseph thotë se imazhi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit, krah president Donald Trump, përfaqëson një moment simbolik me peshë politike për Kosovën.

Sipas tij vlera e këtij anëtarësimi është edhe më e madhe duke pasur parasysh se Dialogu Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së ishte pezulluar në shtator 2025, duke nxitur debat mbi gjendjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.


“Kosova duhet të bëjë çmos për të ndërtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të riparojë çdo dëm nga pezullimi i shtatorit. Dhe anëtarësimi në Bordin e Paqes të Trumpit është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim” – shprehet ai.

Sipas Joseph, pozicioni strategjik i Kosovës, përballë përpjekjeve të Serbisë për izolim ndërkombëtar dhe mbështetjes që Beogradi gëzon nga Rusia dhe Kina, e bën thelbësore ndërtimin dhe ruajtjen e lidhjeve të forta me Uashingtonin.

Joseph thekson gjithashtu se Serbia ka pak gjasa t’i bashkohet Bordit, pasi e sheh atë si një mekanizëm konkurrues ndaj Organizata e Kombeve të Bashkuara, institucion që Beogradi e konsideron qendror në strategjinë e tij ndaj Kosovës.

Karta e Bordit të Paqes të cilën presidentja Vjosa Osmani e nënshkroi në Davos, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim. Ajo ka theksuar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës, forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.

Ndërkohë, Joseph thekson se mungesa e shumë vendeve perëndimore në Bord pasqyron skepticizmin në rritje në Evropë ndaj këtij mekanizmi. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk përbën pengesë për Kosovën dhe vendet e tjera anëtare.