Në lidhje me situatën e koronavirusit, Rama tha se atë do e përballojmë më durim dhe kokën lartë dhe për këtë arsye po bezdis popullin me daljet e shpeshta televizive.
"Binduni bashkë me mua për këtë e kini besim e bëni durim motra e vellezër dhe le të shohim bashkarisht në këtë të përditshme të hatashme jo vetëm errësirën e kohës së mallkuar që po kalojmë, po edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë; dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj, pa dallim feje, krahine, ideje e statusi shoqëror; jemi të pandashëm nga njëri-tjetri në këtë atdhe, për sa kohë do të kemi frymë e nuk kemi se si jemi tjetër, përvecse anëtarë të së njëjtës familje shqiptare, që sot, kur jemi të ndaluar të jetojmë sic jemi mësuar përditë, na jepet mundësia të kuptojmë se sa shumë e se sa kot qahemi në të përditshmen tone. Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na kujton se sa e shkurtër dhe e cmuar është jeta dhe se sa jetike është të kuptojmë vlerën e njëri - tjetrit, e se sa shume kohë dhe energji na marrin kotësirat në jetën tonë të përditshme. Le ta shohim në këtë errësirë se sa e cmuar është drita e familjes dhe jeta e përbashkët ne shtëpitë tona, që aq pak e vlerësojmë si dhuratë të pacmueshme në të përditshmen tonë dhe aq shumë e marrim të mirëqenë duke harruar t’i gëzohemi e të kujdesemi papushim për ushqimin e saj me energji. Le ta shohim në këtë errësirë dritën që na ndihmon të shohim fare qartë se sa i madh mund të jetë durimi ynë, i shqiptarëve të paduruar, për të përballuar vështirësi të jashtëzakonshme; se sa i madh mund të jetë vullneti ynë, i shqiptarëve që nuk bëhen dot bashkë, për t’ia dalë në një qëllim të përbashkët; se sa e madhe ështeë rezerva e energjive dhe solidaritetit tonë si njerëz e si popull i Shqipërisë që medemek nuk bëhet! Motra e vëllezër, PO-ja e njëzëshme e 27 shteteve anëtare të BE-së, vjen pas një tjetër PO-je kuptimplotë, asaj të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, në 17 shkurt, kur njëzëri Bashkimi Europian, bashkë me plot vende të tjera, na dha shenjën kuptimplotë të një respekti që shkon përtej bamirësisë; respekt për Shqipërinë, për njerëzit e këtij vendi dhe për përpjekjet tona, të mëdha, serioze, të pandërprera, që ta bëjmë Shqipërinë një shtet të respektuar në familjen e shteteve europiane. Kam marrë shumë përgëzime nga kolegë e miq të huaj, për masat shtrënguese që kemi marrë, për shpejtësinë me te cilën kemi vepruar, për mënyrën se si po e zhvillojmë këtë luftë! Kam shumë besim, se me kontributin e secilit prej jush, Shqipëria do të dalë kryelartë nga kjo luftë dhe respekti për këtë vend e për shtetin tone do të rritet më tej pas kësaj lufte. Por kjo do të jetë thjesht rrjedhojë e qëllim i luftës që në po bëjmë e do të bëjmë përditë, jo për botën, po për veten, jo për BE-në po për Shqipërinë, jo për të fituar respektin e të huajve, po për të merituar në radhë të parë respektin e fëmijëve tanë për mënyrën se si në zhvilluam edhe këtë luftë! M’i bëni hallall përsëritjet e vazhdueshme të apeleve të mia; m’i bëni hallall mesazhet e mia ku shpesh fjalët kanë tone të forta; m’i bëni hallall kujtesat e mia të përsëritura pa pushim, për të këqijat e mëdha që na rrezikojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm çdo sekondë! Unë nuk dua t’ju mërzis, nuk dua t’ju lodh, nuk dua aspak t’ju frikësoj, por jam i detyruar të këmbëngul deri në bezdi me komunikime të shpeshta me ju, sepse dua t’jua përcjell sa më shumë shqetësimin e madh që kam për secilin prej jush, e për ju të gjithë! Më shumë së asnjëherë ju jeni familja ime dhe asgjë që do të bëja për familjen time në një hall të veçantë, nuk do ta lë kurrsesi pa bërë për këdo nga ju që ka një hall të veçantë", tha Rama
Lajmi kryesor: