Qeveria britanike, pas daljes nga Bashkimi Evropian, i ka kërkuar qeverisë shqiptare, rinovimin një marrëveshje të vitit 2003, për pranimin e emigrantëve të paligjshëm në Angli. Qeveria shqiptare ka miratuar riaktivizimin e kësaj marrëveshje, e cila ka nisur të shqyrtohet në Kuvendin e Shqipërisë, për të kaluar më pas për miratim në seancën plenare. Një pikë e paqartë është parashikimi që Shqipëria të pranojë emigrantë nga Anglia dhe Irlanda e Veriut që u përkasin vendeve të tjera si dhe emigrantë pa shtetësi fare.

Në relacionin e marrëveshjes, theksohet detyrimi “i ripranimit të shtetasve të palëve, kushtet dhe procedurat, ripranimi i shtetasve të vendeve të treta dhe personave pa shtetësi, mënyrat e vërtetimit të shtetësisë për shtetasit e palëve, për shtetasit e vendeve të treta dhe personat pa shtetësi....”. Nëse ripranimi i emigrantëve shqiptarë të paligjshëm në Angli është një proces normal dhe i natyrshëm, pranimi i emigrantëve të shteteve të tjera, mbart pikëpyetje.

Në protokollin e marrëveshjes, nenet 4, 5, 6, 7 dhe 8 falin për ripranimin e emigrantëve nga vendet e tjera ose kalimin transit të tyre në Shqipëri. Në marrëveshje thuhet se Anglia do të paguajë shpenzimet e udhëtimit, dokumentacionit si dhe çdo shpenzim tjetër brenda 15 ditëve nga ripranimi. Por nuk dihet se Shqipëria si do të procedojë me emigrantët e vendeve të tjera që do të kthehen nga Anglia. Nëse Shqipëria do t’i përcjellë drejt vendeve të tyre, si do të procedojë me ata pa shtetësi?!

Gjatë ditës së sotme, marrëveshje me qeverinë britanike ishte objekt diskutimesh në Komisionin për Politikën e Jashtme. Për të prezantuar marrëveshjen i pranishëm në Komision ishte zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mihila, i cili tha se nisma lufton emigracionin e paligjshëm. Deputeti Tritan Shehu pyeti rreth risisë së marrëveshjes, që janë ripranimi i emigrantëve nga vendet e treta.

Zëvendësministri Mihila tha se “Sa i takon vendeve të treta, ruhet reciprociteti. Nuk kemi vetëm ata që janë në Shqipëri apo ata që janë në Angli, por bëhet fjalë edhe për ata që do të kalojnë transit nga Britania e Madhe për në vendin e origjinës”.

(Kliko këtu për marrëveshjen mes Anglisë dhe Shqipërisë për emigrantët )

(Kliko këtu për marrëveshjen mes Anglisë dhe Shqipërisë për emigrantët )