TIRANË - Shqipëria do të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë "Agro-Kosova 2014?, që do të hapet më datë 25 shtator në Prishtinë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panair ka një rëndësi të veçantë nisur nga fakti i lehtësirave tregtare mes dy vendeve dhe synimit drejt një tregu të përbashkët bujqësor. Imazhi i potencialeve agrobujqësore që Shqipëria kërkon të promovojë në këtë aktivitet është jo vetëm realiteti i zhvillimit që po ndjek ky sektor, por edhe tradita e përbashkët dhe dëshira për rritjen e konsumit të prodhimeve shqiptare "Made in Albania". Ministria shqiptare e Bujqësisë e përfaqësuar me stendën e saj, do të prezantojë disa produkte prioritare të këtj sektori si prodhimi i mjaltit, qumështit, mishit etj. Për bizneset pjesëmarrëse, çelja e këtij panairi do të rrisë praninë e Shqipërisë në tregun kosovar, ndërsa synon zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe shkëmbimeve tregtare mes agrobiznesit. Ndër të tjera, aktiviteti do të promovojë edhe politikat mes dy vendeve për ta shndërruar tregun bujqësor në një treg të përbashkët. Sipas organizatorëve ky nuk është bashkëpunimi i parë në fushën e bujqësisë mes Shqipërisë dhe Kosovës pasi, biznesi kosovar ka qenë shpesh herë prezent në aktivitetet promovuese që janë zhvilluar në Shqipëri, por këtë herë përfaqësimi i Shqipërisë në Panairin "Agro Kosova 2014? është në nivelin institucional./ATSH/









