/ATSH-Gjergji Mima/ -Vetëm nëpërmjet përmbushjes së reformave për 5 prioritetet kyçe të Bashkimit Europian, Shqipëria do të mund të vijojë rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Ky ishte mesazhi kryesor që u përçua pas takimit të pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) mbi Përparësitë Kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, qe u mbajt javën e kaluar në Tiranë.
Sfidat që shtrihen përpara vendit tonë kërkojnë përpjekje të mëdha dhe të qëndrueshme nga Shqipëria. Ashtu siç Komisioneri Hahn e theksoi gjatë vizitës së tij në Tiranë, 'konsolidimi i vrullit të reformës dhe arritja e reformave të pandërprera dhe të qëndrueshme në fushat e përfshira në pesë Përparësitë Kyçe është thelbësor për progresin drejt integrimit në BE dhe do t'i nënshtrohet një mbikëqyrje nga afër nga ana e BE-së'.
Ndërkohë një tjetër element i rëndësishëm që do të përshpejtojë rrugën Shqipërisë drejt BE-së është puna konstruktive në Parlament mes qeverisë dhe opozitës, e cila është thelbësore për qëndrueshmërinë e procesit të reformave drejt BE-së. Këtu, nga Komisoneri Hahn u theksua rëndësia e respektimit dhe zbatimit të qetë të marrëveshjes politike të dhjetorit që i dha fund bojkotit parlamentar.
Ndërkohë Shqipëria ka bërë progres në reformën e sistemit gjyqësor, përfshirë ngritjen e komisionit parlamentar 'ad hoc' për reformën e gjyqësorit. Kjo u vlerësua edhe në takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë, por nga KE u kërkua që vendi ta informojë Komisionin për punën dhe arritjet e komisionit parlamentar. Gjithashtu Komisioneri Hahn nënvizoi rëndësinë e një procesi përfshirës reformash nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Nga KE u theksua se forcimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor është thelbësor për një shtet ligjor të fortë dhe veçanërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë do të përfundojë strategjia për reformën e gjyqësorit 2014-2020 dhe do të shtohen përgatitjet për mbështetjen e mundshme të sektorit të buxhetit.
Një tjetër temë diskutimi mes Shqipërisë dhe KE-së është edhe puna e Grupeve të Përbashkëta të Punës për pesë Përparësitë Kyçe, të cilat mbajtën takimin e tyre të dytë më 5 shkurt në Tiranë. KE nënvizon rëndësinë e zbatimit të masave të identifikuara nga Grupet e Përbashkëta të Punës dhe nxit punën e mëtejshme në përputhje me masat e përcaktuara në Udhërrëfyes.
Ndërsa KE vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e reformës së administratës publike me fillimin e zbatimit të Ligjit mbi Shërbimin Civil dhe rikujton se asnjë ndryshim legjislativ nuk duhet ta minojë objektivin e ngritjes së një administrate publike të bazuar në merita dhe të depolitizuar.
Në këtë kontekst, Komisoneri Hahn theksoi se përmirësimi i mëtejshëm i mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave është kyç. Shqipëria u nxit gjithashtu të vazhdojë me miratimin në kohën e duhur të Kodit të Procedurave Administrative dhe përfundimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike për periudhën 2015-2020.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e funksionimit si duhet dhe pavarësisë së institucioneve demokratike kyç si parlamenti, gjyqësori dhe autoritetet gjyqësore, si dhe institucioneve të tjera të pavarura. Dhe u theksua se institucionet e pavarura luajnë një rol kyç në përmbushjen e kriterit politik dhe detyrimeve në kuadrin e acquis të BE-së. Shqipëria duhet të veprojë sipas konkluzioneve operative të seminarit mbi institucionet e pavarura të 3 shkurtit 2015 për të garantuar profesionalizmin dhe depolitizimin e institucioneve të pavarura, si dhe për të garantuar më shumë stabilitet, si në kuadrin e tyre ligjor ashtu dhe në politikat e burimeve njerëzore.
Ndërkohë nga Komisioneri Hahn u përshëndet angazhimi i qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe përfshirjes në këtë kontekst të rekomandimeve të Vlerësimit të Kuadrit Antikorrupsion në strategjinë kundër korrupsionit dhe në planet e veprimit.
Gjithashtu u vlerësua angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës dhe shtimi i numrit të operacioneve për identifikimin dhe çrrënjosjen e kultivimit të narkotikëve. U nënvizua se duhet forcuar bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për të rritur efikasitetin e hetimeve.
Nga ana e Kryeministrit Rama u theksua se angazhimi ndaj Zgjerimit të BE-së kontribuon për modernizimin e Shqipërisë dhe i sjell përfitime gjithë qytetarëve shqiptarë. 'Në ketë kontekst, dhënia e statusit të vendit kandidat i shërben Shqipërisë si inkurajim për përpjekje të mëtejshme të vendosura në procesin e reformave. Vendimi për të ecur drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit do të bëhet përmes një procesi të besueshëm dhe të parashikueshëm, në bazë të përmbushjes së pesë përparësive kyçe', tha Rama.
Ndërsa Komisioneri Hahn shtoi se, 'Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reforma me ekspertizë dhe ndihmë financiare. Sa i takon dhënies së mbështetjes së mundshme financiare nga BE për sigurimin e pajisjeve për autoritetet e zbatimit të ligjit, Komisioneri nënvizoi rëndësinë e shtimit të mëtejshëm të përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo do të nënkuptojë, mes të tjerash, masa të vendosura për eliminimin e pengesave të mbetura për kryerjen e hetimeve proaktive dhe efikase, përfshirë miratimin e ndryshimeve të synuara ad hoc të Kodit të Procedurës Penale ndër të tjera dhe përdorimin efektiv të hetimeve financiare.
Ndërsa Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e tij për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave. Ai shtoi se ngritja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) që do të kryesohet nga opozita, është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të gjithëpërfshirjes së procesit të reformave që lidhen me BE-në dhe u angazhua ta vërë sa më parë në punë.
Komisioni do të vazhdojë të sigurojë asistencë dhe të monitorojë progresin në zbatimin e reformave në kuadrin e Dialogut të Nivelit të Lartë dhe Grupeve të Përbashkëta të Punës për përparësitë kyçe. Shqipëria do të sigurojë raporte mbi zbatimin e Udhërrëfyesit sipas afatit kohor dhe udhëzimeve të vendosura me Komisionin.