Shqipëria vijon të financojë arsimin në nivele dukshëm më të ulëta se vendet e Bashkimit Europian. Në vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin në vend përbënin vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt mesatares prej 4.7% në BE, sipas të dhënave të Eurostat.

Diferenca arrin në 1.8 pikë përqindje të PBB-së. Në terma relativë, pesha e shpenzimeve për arsimin në ekonominë shqiptare ishte rreth 38 pike përqindje më e ulët se mesatarja europiane. Për të arritur nivelin mesatar të BE-së, Shqipërisë do t’i duhej ta rriste me rreth 60% financimin e arsimit në raport me madhësinë e ekonomisë.

Po të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare, Shqipëria do të kishte nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin. Sipas Eurostat, në fund të renditjes së BE-së ishte Rumania, me 3% të PBB-së, e ndjekur nga Greqia me 3.3% dhe Malta me 3.4%.

Në anën tjetër, vendet që i kushtuan pjesën më të madhe të ekonomisë financimit të arsimit ishin Suedia, me 6.8% të PBB-së, Finlanda me 6.3% dhe Belgjika me 6.2%. Danimarka shpenzoi 6.1% të PBB-së. Krahasuar me Suedinë, pesha e shpenzimeve shqiptare ishte më pak se gjysma.

Në nivel të Bashkimit Europian, shpenzimet publike për arsimin mbetën të pandryshuara në 4.7% të PBB-së krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, ato ishin 0.3 pikë përqindje më të ulëta se në vitin 2020, kur arritën në 5% të PBB-së, niveli më i lartë që nga fillimi i mbledhjes së këtyre të dhënave në vitin 2012.

Edhe në krahasim me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet e fundit për peshën e shpenzimeve publike për arsimin. Me 2.9% të PBB-së, vendi ishte rreth 1 pikë përqindje nën mesataren e WB6 prej 3.9%. Vlerat e fundit të përdorura nga OECD janë 4.7% për Kosovën, 4.4% për Bosnjë-Hercegovinën, 4.1% për Malin e Zi, 3.7% për Maqedoninë e Veriut dhe 3.3% për Serbinë.

Statistikat e Eurostat mbulojnë financimin publik për të gjitha nivelet, nga arsimi parashkollor deri tek ai universitar dhe doktoral, por përjashtojnë programet e zhvillimit arsimor në fëmijërinë e hershme. Shpenzimet përfshijnë financimin e drejtpërdrejtë të institucioneve arsimore, si edhe bursat, kreditë dhe transfertat e tjera për nxënësit, studentët dhe familjet e tyre./Monitor