Në qershor 2026, sipas të dhënave të Eurostat, numri i fluturimeve nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit u rrit me 30.2% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky ritëm është 14 herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila ishte vetëm 2.1% në qershor 2026.
Kjo e pozicionon Shqipërinë si tregun ajror me zgjerimin më të shpejtë në kontinentin tonë. Edhe pse, për shkak të protestës, numri i vizitorëve të huaj për qershorin 2026 u rrit vetëm me 1 përqind, nga qershori 2025, pasi Shqipëria ishte non-stop në lajmet perëndimore(vajza e një statisticieni tonë të njohur, me punë në Nju Jork, e këshillonte të jatin në Tiranë t mos dilte nga shtëpia, për shkak të “stuhisë” së lajmeve të protestave), tani, në korrik, “stuhia” ka rënë dhe numri i vizitorëve të huaj do të jetë në shtim më të fortë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria dominoi qartë për nga ritmi i rritjes. Pas saj, renditet Mali i Zi me një rritje prej 18%, ndërsa Maqedonia e Veriut regjistroi një rritje modeste prej 2.1%. Serbia shënoi një zgjerim prej vetëm 1.6%, ndërsa Bosnje-Hercegovina rezultoi në kahun e kundërt, me një rënie të ndjeshme prej 8.3% të fluturimeve komerciale.
Çfarë dëshmon shtimi i ndjeshëm i trafikut ajror?
Ky tregues nuk është thjesht një statistikë e sektorit të aviacionit. Ai reflekton zhvillime më të gjera ekonomike, rritjen e kërkesës për udhëtime, zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe fuqizimin e rolit të Shqipërisë si destinacion turistik dhe ekonomik në rajon.
Transporti ajror është një nga barometrat më të besueshëm të zhvillimit të turizmit. Një rritje prej 30,2% e fluturimeve sugjeron se Shqipëria po tërheq një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh ndërkombëtarë.
Pavarësisht protestës qytetare të zgjatur, më shumë fluturime nënkuptojnë më shumë turistë, më shumë netë qëndrimi, shtim të konsumit në hotele, restorante dhe shërbime, si dhe zgjerim të ekonomisë sonë në tërësi. Ky zhvillim ka ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin kombëtar dhe punësim.
Shqipëria po konsolidohet si një nyje rajonale e transportit ajror
Rritja e ndjeshme e fluturimeve tregon se Aeroporti i Rinasit po fiton rëndësi si qendër lidhëse për Ballkanin Perëndimor. Kjo lidhet me shtimin e destinacioneve të reja, me hyrjen e kompanive të reja ajrore, me zgjerimin e linjave ekzistuese dhe me rritjen e konkurrencës në tregun shqiptar të aviacionit civil.
Një rrjet më i gjerë fluturimesh e bën Shqipërinë më të aksesueshme për turistët, investitorët dhe bizneset. Lidhjet ajrore janë një faktor i rëndësishëm për vendimmarrjen e investitorëve ndërkombëtarë.
Një aeroport me flukse në rritje ul kostot e lidhjes me tregjet, lehtëson udhëtimet e biznesit, përmirëson klimën e investimeve dhe shton atraktivitetin e vendit për kompani të huaja.
Në këtë kuptim, rritja e fluturimeve mund të shoqërohet me efekte pozitive edhe mbi investimet e huaja direkte.
Nga ana tjetër, shtimi i ndjeshëm i trafikut ajror krijon mundësi më të mëdha zhvillimi për agjencitë turistike, sektorin hotelier, transportin rrugor, tregtinë, shërbimet logjistike dhe bizneset e vogla pranë zonave turistike.
Efektet ekonomike përhapen në shumë sektorë dhe krijojnë një ndikim të shumëfishtë pozitiv në ekonomi.
Përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë
Një ritëm rritjeje shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian është edhe një tregues i rritjes së vizibilitetit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ky zhvillim është normal të interpretohet si rritje e interesit për destinacionin shqiptar, zgjerim i besimit të operatorëve ajrorë dhe përmirësim i perceptimit të vendit si destinacion turistik dhe biznesi.
Diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit tregon se tregu shqiptar vijon të jetë ndër më dinamikët në Ballkan, i mbështetur nga rritja e numrit të turistëve të huaj dhe zgjerimi i ofertës së destinacioneve ajrore.
Në nivel europian, vetëm pak vende arritën ritme rritjeje të krahasueshme me Shqipërinë. Rritje dyshifrore, krahas Malit të Zi me 18% në qershor 2026, regjistruan edhe Malta me 15.3%, ndërsa rezultate të forta raportuan gjithashtu Hungaria, Polonia dhe Estonia, me +9.2% shtim qershor 2026-qershor 2025.
Komente









