Eshtë një këngë e bukur dhe harmonike e këngëtarit grek Konstantinos Argiros dhe tonit Noizy me titullin “Nero”, i këndon dashurisë, por që mund ta huazojmë për të ilustruar historinë tonë të gjatë si shqiptarë për integrimin në familjen ku ëndërrojmë të bëhemi pjesë: në Bashkimin Europian! “Gjitha gjuhët e botës do t’i msoj! Veç të them unë ty të dashuroj!” Ose “Hajt se ti ke me pa, me dashni kam me t’vra…” Noizy, ky këngëtar i kohëve moderne që me tekstet e tij, për të mirë ose për të keq, arrin të na tregojë!

Shumë më përpara se politika, shqiptarët e thjeshtë depërtuan me qetësinë dhe këmbënguljen e ujit në indet e Europës, si një limfë plot ëndrra e dashuri. Përveshën mëngët në punët më të përulura për t’u bërë sot europianë dinjitozë: Si Zamira në Itali, sanitare në një nga shkollat më të mira, në të cilën arriti të bëjë që djali i saj të studiojë e të punojë sot në një studio ligjore ndërkombëtare! Ose si Majlinda në Kretë, pastruese në një familje greke që i dhanë besim e dinjitet, por mbi të gjitha mundësinë që vajza e saj të studiojë e të jetë sot një nga drejtueset në një shumëkombëshe në Milano.

Në Europë takon kudo shqiptarë që ëndrrën për të qenë 100 % europianë e kanë realizuar me kohë, duke u bërë shembulli  i prekshëm i gjithë vendit që integrimin e ka jetësor. Ja kështu, me durim dhe dashuri, siç dhe Edi Rama, një tjetër ish-emigrant shqiptar në rrugët e Parisit, këmbëngul përherë në Bruksel ta nënvizojë.

Kushdo mund ta dëshmojë edhe në qytete të tjera europiane, por në Itali, për shembull në Milano, kur ecën rrugëve, kur futesh në dyqane, në restorante, dëgjon përherë e më shumë shqip!

“Mami, sa i bukur shalli i kësaj gocës! Ja kështu më pëlqen!” Në Brera, një nga zonat  në qendër të Milanos në një trotuar këmbehen dy të reja italiane dhe një vajzë dhe mamaja e saj shqiptare që vlerësojnë me njëra-tjetrën shijen e kombinimit. Pranë sheshit “Duomo”, një djalë shqiptar flet në telefon duke falenderuar dikë me entuziazëm, që mesa duket e ka pritur në Milano: “Të falenderoj nga zemra. Tani do të marr trenin në Duomo, këtë metronë dmth…” Në Rinascente, në orarin e mbylljes së dyqaneve një vajzë energjike iu lutet me mirësjellje dhe vendosmëri klientëve të fundit: “Per favore, i negozi sono chiusi, dovete lasciare i locali…”. R-ja tepër e butë, tipike e shqiptarëve “e tradhëton”. Është përgjegjësja e sigurisë, shqiptare dhe ajo. “Po shqiptare jam, -thotë, -por nuk ka kohë për muhabet!”. Po “R-ja e butë “tradhëton” dhe përgjegjësen e sallës në një nga hotelet më të reja në qytet, “Casa Brera”. “Zakonisht më marrin për ruse nga flokët dhe ngjyra e syve”.  Në tregun  ushqimor në rrugën “San Marco”, aty ku domatet, luleshtrydhet dhe perimet janë më lirë se gjithë bankarelat e tjera, shërben një djalë shqiptar, me theks nga veriu. Bën përherë shaka me blerësit dhe kujdeset veçanërisht për më të moshuarit. Në një parfumeri franceze në rrugën “Manzoni”, përgjegjësja e dyqanit është një kaçurrelse durrsake superprofesioniste. Francezët e deshën se s’bën dhe e morën. “Rinascente është plot me djem dhe vajza shqiptarë”, tregon. Tani që nis sezoni i verës kushedi nëse do të punojë si përvit një student shqiptar në Milano. Ishte në vitin e dytë vjet për inxhinieri në “Politecnico”. Në via “Broletto” flet shqip një çift që kurrë nuk do të besohej të ishin shqiptarë: Plot me tatuazhe, veshur me lëkurë, flokë të verdhë stil punk.

Në spitale, metro, teatër, lokale… duket sikur Shqipëria është zhvendosur e gjitha në Itali. Shqiptarët janë brenda në Europë dhe në Shqipëri, mesa duket, kanë lënë vetëm politikanët që të bëjnë detyrat që përfundimisht duhet të na integrojnë.