1768167711_80001768161945ximg0984501.jpeg

 Disa të burgosur që akuzoheshin për komplot për vrasjen e ish-presidentit Maduro janë liruar, ndërsa mësohet edhe identiteti i njërit prejt të liruarve i cili është shqiptar.

Përmes një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë bëhet me dije se, Ambasada shqiptare në Brazil ka njoftuar se Jozef Ndoci tashmë ndodhet në “Kryqin e Kuq” në Venezuelë, në pritje të marrjes së lejes për të urdhëtuar për në Shqipëri.

Ambasada shqiptare është në kontakt edhe me të afërmit e qytetarit shqiptar të liruar, të cilët kanë komunikuar në rrugë telefonike me familjarin e tyre pas lirimit të tij.

Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon opinionin publik se shtetasi shqiptar z. Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt.

Z. Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë. Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.

MEPJ rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.


Lajmi kryesor:

Venezuelë/ U akuzuan për komplot në vrasjen e Maduros, lirohen disa të burgosur! Mes tyre edhe shqiptarë! Ministria e Jashtme: Njëri prej tyre është i sigurt