Një skenë e pazakontë është regjistruar në burgun e MalandrinosGreqi, kur policia shkoi për të kontrolluar qelinë e shqiptarit Klodian Lekocaj, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një avokati grek.

Oficerët e Njësisë Kundër Krimit të Organizuar mbetën të habitur kur panë se dera e qelisë nuk hapej. 49-vjeçari e kishte mbyllur nga brenda me një dryn dhe kishte vendosur edhe një barrikadë, në përpjekje për të penguar hyrjen e policisë.

Sipas mediave greke, kjo është një shkelje e rëndë e rregullores së burgut, pasi qelitë duhet të sigurohen vetëm nga jashtë, në mënyrë që rojet të kenë gjithmonë kontroll.

Policia u detyrua të thyejë derën e qelisë për të hyrë brenda. Sapo arritën të futen, oficerët zbuluan se Lekocaj kishte shkatërruar dhe djegur një telefon celular, me gjasë për të zhdukur gjurmët e komunikimeve.

Telefoni u sekuestrua dhe do të dërgohet në laboratorët kriminalistikë për të parë nëse mund të rikuperohen të dhënat. Hetuesit shpresojnë se aty mund të gjenden informacione për kontaktet dhe planet e të dënuarit.

Kush është Klodian Lekocaj

Klodian Lekocaj është një nga emrat më të njohur të botës kriminale shqiptare në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e avokatit të njohur grek Mihalis Zafeiropoulos, një ngjarje që tronditi Athinën në tetor të vitit 2017.

Klodian Lekocaj

Lekocaj, i konsideruar nga një pjesë e mediave greke si kreu i “mafias shqiptare” në burgun e Koridhalos, u akuzua si një nga porositësit e vrasjes së avokatit, së bashku me shqiptarin tjetër Oldi Dulçe. Ndërkohë, sipas hetimeve të autoriteteve greke, rolin e ekzekutorit e kishte Mikel Brahimaj.

Sipas dosjes hetimore, Brahimaj kishte shkuar në zyrën e avokatit në Athinë së bashku me një tjetër shqiptar, Aleksandro Mata, i cili ka mohuar nga arratia përfshirjen në krim.

Prokuroria greke ka arritur në përfundimin se vrasja lidhej me një skemë gjobëvënieje. Sipas hetimeve, autorët synonin të shantazhonin avokatin, i cili përfaqësonte biznesmenin grek Aristidis Floros, për të përfituar shuma të mëdha parash.

Vetë Floros ndodhet në burg dhe po vuan një dënim prej 21 vitesh, pasi u shpall fajtor për përfshirje në një tjetër çështje që lidhej me tentativën për vrasjen e një avokati në vitin 2014.

Lekocaj u dënua me burgim të përjetëshëm në tetor të vitit 2019.