Devolli ka një trashëgimi të çmuar kulturore, por emri i poetit dhe shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli ka vulosur për sot dhe për kohrat që do të vinë rangun e lartë të emrit dhe rëndësisë së kësaj krahine të juglindjes në hartën kulturore kombëtare dhe me gjerë. Arsyen kush nuk e di. Dritëroi është devolli, ka lindur atje, ekzaktësisht në fshatin Menkulas. Kushdo që shkon e do të shkojë në Devoll si vizitor, shqiptar qoftë, apo i huaj, do të kërkojë patjetër të shkojë në Menkulas , të shohë shtëpinë ku pa për herë të parë dritën e diellit poeti i ardhshëm, të njihet me kujtimet që lidhen me fëmijërinë dhe me periudha të tjera të jetës së tij. Në mungesë të tyre do të mundohet të kapë në ajrin dhe relievin e vendit atë valëzim misterioz të natyrës që mendohet se josh dhe tërheq artistin drejt artit, ashtu siç thotë poeti Jorge Lui Borges kur flet për paraardhësit e tij argjentinas të penës.

Si një bir për shpirt i muzës poetike, Dritëro Agolli mbeti i tillë edhe kur fati, rrethanat apo zgjedhja i lidhën në qafë kravatën e zyrtarit dhe e vunë në presidiumet kulturore-politike të rregjimit komunist, ku pagoi haraçin e tij si shkrimtar. Por e kompensoi edhe këtë lloj takse me ndihmën bujare dhe kurajoze që u dha shumë poetëve dhe letrarëve të rinj me njolla në biografi, duke u mundësuar botimin, regjistrimin në shkollën e lartë dhe punësimin e tyre, deri edhe trasferimin në Tiranë të disave.

Dritëro Agolli me të paharruarin Llazar Siliqi janë të parët që relativizuan, për të mos thënë se edhe fshinë në periudha të caktuara në segmentin e letërsisë kriteret biografike të kohës për shkollimin e të rinjve e të rejave. Aq e vërtetë është kjo sa nga gjysma e viteve tetëdhjetë, falë fuqisë që kishte rekomandimi i Dritëro Agollit për t’i dhënë të drejtë studimi një letrari të ri, ka ndodhur që një cikël me poezi i këtij të fundit të ballanconte para komisionit gjyshin e tij të burgosur nga rregjimi. Sa herë mendoj me mirënjohje për ketë anë humane të figurës komplekse të Dritëro Agollit, përfytyrimi im megjithatë shkon sërish e sërish të librat e tij, te poezitë e tij lirike, të romani i tij i mrekullueshëm “Shkëlqimi dhe rënia e shokur Zylo” që na mësoi talljen në një kohë të keqe për të qeshurën…

Ai ishte dhe është shkrimtar parasëgjithash . Bashkë me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin dhe poetë e shkrimtarë të tjerë të shquar të viteve gjashtëdhjetë-nëntëdhjetë , Agolli u mundësoi lexuesve të tij kontaktin me poezinë e kultivuar, duke vendosur disa standarte cilësie që motivuan kërkimet e reja në poezinë shqipe. Siç e ka thënë vetë në mënyrë artistike në poezinë e famshme lirike elegjiake “Kur të jesh mërzitur shumë ”, kujtimit të tij i mjafton libri, gërmat dhe gjuha për të udhëtuar nëpër breza. Dritëroi do të ribotohet, do të lexohet, do të muzikohet. Fati i tij si krijues është i lidhur pazgjidhmërisht me fatin e gjuhës dhe poezisë.

Por seç kanë një tërheqje të fshehtë dhe të parezistueshme ato kujtimet , reliket dhe sendet që shohim në shtëpitë muze të njerëzve të mëdhenj. Stilografi që ka përdorur Migjeni, përshembull, na mban me sytë mbërthyer mbi të po aq gjatë dhe na emocionon po aq shumë sa një poezi e tij. Në fakt është madhështia e poezisë që valorizon deri edhe një copë letër, një nënvizim apo një cigarishte të autorit. Pablo Neruda, kiliani i parë që fitoi çmimin Nobël si poet, mundi të ndërtonte shtëpinë e tij të kujtimeve në të famshmin “ishullin e zi “ në brigjet e Paqësorit.

Sot ajo shtëpi është një nga vendet më të vizituara të Kilit dhe i flet botës për shpirtin e atij vendi me mirë se dhjetra guida apo botime njohëse. Shtëpia e tij e kujtimeve është shkrirë dhe i ka dhënë jetë konceptit të kujtesës kulturore, që është e pazevendësueshme për të kultivuar krenarine dhe shijen e brezave. Dritëroi ynë nuk e ndërton dot, edhe po ta kishte ndërmend, shtëpinë e tij të lindjes dhe kujtimeve. As shkrimtarët e artistët e tjerë. Këto janë detyra të qeverive shqiptare, detyra që duhen përmbushur pa politizime dhe paragjykime, pa i lidhur me axhenda elektorale, por thjesht duke u mbështetur në peshën dhe rëndësinë që ka vepra e autorëve në kulturën kombëtare.

Në këtë kontekst, shtëpia ku ka lindur Dritëro Agolli në Menkulas e meriton plotësisht investimin nga shteti për të cilin është folur më parë e po flitet sërish këto ditë. Në fakt e them me dëshpërim dhe alarm se është një kohë e keqe për kulturën dhe akoma më e keqe duket në horizont tek shohim vërshimin dhe revanshin e mediokritetit, analfabelizimit kulturor, madje edhe të rrugaçërisë në segmente të caktuara të politikës. Vetë liderët poltikë, që vinë nga shtresimi intelektual, duken të tërhequr fatalisht nga njerëz të pakulturuar, që sipas tyre u sjellin me shumë vota. Kam frikë se po të ecet me ketë llogjikë do të bjerë ora kur nuk do të këtë kush t’i kujtojë, pale t’i përjetësojë të mëdhenjtë.

Kjo do të jetë ora e vdekjes së kombit. Ndërsa shkruaj këto rradhë rrufeshëm më shkon nëpër mend një varr i harruar në fund të një parcele, ashtu siç e pashë një ditë, i tromaksur kur munda të lexoj përtej ferrës që kishte zënë gjysmën e pllakës emrin e aktorit të madh Kadri Roshi. Si antidot i hidhësisë së rastit, po kujtoj se tani e si po e pranojnë në Turqi madhështinë e poetit të mrekullueshëm Nazim Hikmet konservatorët e sotëm në pushtet. “Ai ka qenë politikish në pozicionin kundër nesh, por kemi filluar ta pranojmë se e ka ngritur lart emrin e Turqisë; kudo ku shkojmë na pyesin për të, askush nuk i ka kënduar turqish dashurisë si ai”, më tha njëherë një deputet i Partisë së Erdoganit.

Kam besim se Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, do ta çojë drejt finalizimit nismën për shtëpinë e Agollit. Bode, me aq sa e kam njohur, i sheh përtej politikës këto lloj angazhimesh. Ai vetë është devolli dhe e ka të qartë se Agolli është një fjalëkalim për të gjithë në sferën e humanizmit. Përtej rastit të Agollit, që shërbeu si shkas për të shkruar këto rrjeshta, është koha për të rimarrë me një mendje të re, në nivel qëndror dhe vendor, projektin jetik të kujtesës kulturore. Tirana është kryeqyteti ku kanë jetuar e kanë vdekur dhjetra e qindra shkrimtarë e artistë të mëdhenj, kompozitorë, piktorë, skulptorë, aktorë, regjisorë, këngëtarë, balerinë e tjerë. Thjesht ndërtimi i një guide kulturore me adresat e shtëpive të tyre, duke krijuar e vendosur një pllakë për secilën, do të ishte përveçse një homazh për talentin, edhe investim për shkëlqimin e traditës.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)