Shtegtimet e fundit për paqe mes Kosovës dhe Serbisë

Shtegtimet e fundit për paqe mes Kosovës dhe Serbisë

Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiç dhe Mogherini

Të dy popujt, serbë e shqiptarë, duan të jetojnë në paqe. Janë shqiptarët ata që në këto bisedime, që po kryhen mes dy presidentëve të Serbisë e Kosovës, zgjasin duart, duke lënë hedhur tej krahëve ngjarje tragjike, ndonëse vazhda tronditëse e gjakut të lënë pas është ende e dukshme.

Në këto ditë përvëluese gushti, pas konferencës së shtypit të Presidentit Thaçi, është dashur të zotërohej forcë për t’u përmbajtur, posaçërisht të mbaje gjuhën. Shumica nuk e mbajtën dot. Të rrallë kanë qenë ata që e kanë bërë, ndonëse dihej përpos se “do korigjoheshin kufijtë”, duke marrë Luginën e Preshevës. Kaq dihej. Asgjë më tepër nuk i ishte thënë opinionit, se në këmbim të çfarë do bëhej kjo. Tani, që Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka pranuar se bisedimet synojnë të marrin më tepër nga ç’kanë sot dhe se Lugina është ëndërr me sy hapur e Thaçit, hapësira për gjykim është e mjaftë për të dhënë opinione.

Në konferencën e Paqes të vitit 1919, në Paris, delegacioni panshqiptar i “Vatrës”, aq aktiv e përcaktues, kërkonte një mandat të SHBA-së mbi Shqipërinë. Ndonëse kjo nuk u realizua, por në përmbajtje, me 14 pikat dhe qëndrimin e Presidentit Uillson, Shqipëria e lindur u lejua të jetonte, të rritej e të forcohej. E cunguar, herë-herë e dobët, e pushtuar dy herë dhe përsëri, e shpëtuar nga aleanca që udhëhiqej nga Amerika. Atyre, pas 100 vjetësh, u jemi mirënjohës dhe mbeten miku ynë i madh.

Një nga pjesët që ju coptua kombit tonë, Kosova, do ngrihej nga robëria falë veprës dhe aksionit të Shteteve të Bashkuara. Kosova, në një farë mënyre, është fëmijë i lindur nga ky shtet dhe ashtu si fëmijët merren për dore e mbahen nën kujdestari, edhe Kosovën, sa kohë nuk është anëtare me të drejta të plota në OKB, sa kohë pesë shtete të Europës nuk e njohin, sa kohë Rusia shpalos politika që synojnë dizintegrimin e saj ndërkombëtarë dhe sa kohë Serbia shpalos hapur armiqësinë e saj, SHBA-ja dhe Europa, duhet ta mbajnë nën kujdesari këtë fëmijë. Ta mbajnë për dore është humane dhe kujdesi për t’u rritur e shëndetëshme, deri sa të bëhet madhore, është detyrim.

Në kushtet e një pavarësie të kushtëzuar nga faktori mik ndërkombëtar, kam bindjen se udhëheqësit kalimtarë të saj, kushdo qofshin ata, nuk duhen lejuar kurrësesi të jenë në bisedime kufijsh, për “korigjime” apo shkëmbime, të mandatuar apo të pa mandatuar, nën shoqërinë ose jo të burokracisë së administratës së lartë të BE-së.

Kanë apo s’kanë kapacitetet e nevojshme intelektuale, qoshin ose jo me këshilltarë të përshtatshëm, edhe nëse qofshin të kompletuar me përvojë sjellje e kulturë europiane, ata duhet t’u qëndrojnë larg bisedimeve që prekin kushtetutën, prekin statukuonë e që mund të jenë gracka të rrezikshme për kombin. Mund të bisedojnë për të zhdukurit, për zhvarrime, për energjinë, për monumentet e kulturës e të kultit, po kurrësesi për kufijtë.

Më mirë zotërinj, t’u largoheni këtyre tryezave, pavarësisht shpjegimeve që bëjnë burokratët se, për të shkuar në Europë, duhen shuar konfliktet mes palëve. Them, “më mirë”, sepse siç ngjan me motrën e saj, Shqipërinë, që i është dashur të bëjë lëshime pas lëshimesh, kështu ngjet të ketë ndodhur edhe me Kosovën.

Dhe mos harroni: nuk jemi aq të mëdhenj dhe nuk kemi aq peshë politike apo gjeopolitike për të diktuar qëndrime; se kemi pak miq dhe se pas serbisë ka qëndruar e vazhdon të qëndrojë arrogantja Rusi! Kjo fuqi, dikur xhandar, sot diktuese politikash të mëdha, përdor dy kute. I jep të drejtë Krimesë (në fakt, vetes), që përmes referendumit të shkëputet nga Ukraina, por nuk i jep të drejtë Kosovës, që ka pas jo vetëm referendumin por dhe një opinion këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organi më i lartë e që i jep të drejtë Kosovës të shpallë pavarësinë.

Ka të ngjarë të nxjerrim sytë, duke dashur të vëmë vetulla. Presheva, Bujanovci, Medvegja, këto troje që banohen nga shqiptarë e që ndodhen në Republikën e Serbisë, t’i bashkohen Kosovës nuk ka të ngjarë që kjo të ndodhë nga mirëkuptimi midis dy presidentëve, as nga plotfuqishmëria e një referndumi?! Vetëm naivët mund të bëhen pre dhe viktima të këtyre platformave. Të gjendur brënda këtij kaosi Ballkanik që ka lënë historia dy mijë vjeçare, çdo përpjekje është e dështuar, po qe se nuk bëhen pjesë vendimmarrëse fuqitë që komandojnë botën. Ka gjithmonë më shumë murgj se arsye, para të cilëve, sa do mëndjemprehtë ta mbajnë veten bashkëbiseduesit, sdo ishim mjaftueshëm.

Cinizmi i sotëm vulgar i Vuçiç dhe Daçiç do qartësohet kur të bëhen transparente bisedimet, ofertat e dakordësimet. A kanë ato themele të forta apo janë fllucka sapuni të pa realizueshme? Thaçi e Vuçiç, me poste e mëndje pushtetari, nuk ka gjasa t’i lënë të kapërxejnë ca caqe, që rrezikojnë një tërësi shtetesh të ndërtuara me bashkësi të përziera popujsh. Nëse Izraeli ligjëroi para pak javësh shtetin komb dhe nëse këtë do ta bëjnë realitet, kjo do ndodhë vetëm pasi të shfarrosin popullsinë palestineze. Kjo mund të ndodhë në Lindjen e Mesme, por fantazi të tilla Europa nuk ka lejuar e nuk do lejojë dhe SHBA-ja e ka të prerë mëndjen për të mos lejuar fronte të reja lufte në këtë kontinent.

Para se çështja t’i kalojë Kuvendit të Kosovës, e shoh me vend, pasi të lënë pas shfaqjet e krenarisë që jep pushteti, të braktisin bindje se po ja marrim Serbisë atë çka ajo se jep pa luftë dhe gjithashtu të mësojnë se si serbët, ashtu dhe Vuçiç, nuk njihen nga shqiptarët të jenë sylesh. Mendime që u janë roitur këto ditë në kokë, është koha të binden se u duhet thënë: lamtumirë o ide të mëdha!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi