Shtëpia e Gjetheve, bashkë me
gjethet ka humbur edhe misteri

Shtëpia e Gjetheve, bashkë me<br />gjethet ka humbur edhe misteri
Vizitova “Shtëpinë e Gjetheve”, që kryeministri Edi Rama e përkufizoi si hallka e tretë e një zinxhiri të filluar nga Bunk’Art 1 dhe Bunk’art 2, kurator i të cilëve jam unë. Është më lehtë të vizitosh një muze kur nuk ke qenë as i ftuar në përurimin e tij, pasi kjo të bën më të lirë në gjykim.

Një gjykim, që shpresoj ta shpreh edhe në mënyrë objektive, megjithëse marrëdhënia ime emocionale dhe profesionale me Bunk’Artin më vendos në “konflikt interesi”. Sidoqoftë, besoj se në muzetë, ashtu si edhe në jetë, ka vend për të gjithë dhe se konkurrenca, qoftë edhe ajo kulturore, është vetëm një stimul për t’u rritur dhe për t’u përmirësuar.

“Shtëpia e Gjetheve”, pa asnjë dyshim, është një muze i bukur, që tregon dhe rrëfen teknikat me të cilat Sigurimi spiunonte për më se 45 vjet popullin shqiptar dhe cilindo të huaj që ndërmerrte aventurën të vinte deri këtu. Vila e vogël me dy kate, në të cilën është vendosur ekspozita, është me saktësi vendi nga i cili Sigurimi kryente dhe koordinonte operacionet e përgjimit, ndoshta e zgjedhur aty për shkak të afërsisë ekstreme me centralin e AlbTelekomit, rrjeti i kabllove telefonike të të cilit në atë kohë ishte thelbësor për të spiunuar këdo. Emri i Shtëpisë me Gjethe vjen nga mbulesa e dendur me bimë kacavjerrëse që mbështillte ndërtesën, gjethet e të cilave fshihnin nga sytë e njerëzve çdo milimetër të murit, duke kontribuar për ta bërë atë vilë edhe më spektrale.

Vërejtja e parë që më vjen ndër mend për të bërë është se, ndryshe nga e kaluara, Shtëpia me Gjethe sot, në versionin e saj muzeor, e ka humbur krejtësisht atmosferën e tmerrit, por edhe të misterit që duhej të transmetonte dikur. Për fat të keq, pavarësisht nga emri që i ka mbetur, gjethet që e mbuluan për gjysëm shekulli nuk janë më: flitet që një roje e pastroi me shumë rigorozitet oborrin dhe, duke menduar se po bënte gjënë e duhur, shkuli nga rrënjët edhe të gjithë rrjetën e vjetër dhe të dendur të bimëve kacavjerrëse që mbështillte ndërtesën. Sot, në vend të kësaj, janë disa bimë të reja, 50 cm të larta, të cilave iu është lënë detyra e vështirë që t’i kthejnë Shtëpisë së Gjetheve imazhin e vjetër, ndonëse druhemi se do të duheshin shumë e shumë vjet kujdes dhe ujitje para se të arrijnë qëllimin.

Por nuk është vetëm mungesa e gjetheve që i heq misterin ndërtesës. Edhe ristrukturimi që i është bërë nga kuratorët, i përsosur nga ana estetike, e bën gati steril një vend, ku, në versionin origjinal, buronte nga çdo gur ankth dhe tmerr. Mbaj mend që e kam vizituar Shtëpinë me Gjethe para se të bëhej muze dhe aty brenda zbulova një birucë, që ishte përdorur deri në kohë të Bashkim Gazidedes, kur ishte shef i SHIK-ut, që e përdorte për të mbyllur të burgosurit politikë të Sali Berishës. Në mënyrë të pabesueshme, kjo birucë sot është shkatërruar dhe transformuar në tualet për turistët. Ndërsa përballë është montuar një ashensor modern.

Kornizat e dritareve janë lënë për fat të mirë të paprekura, të ndryshkura, siç ishin një herë e një kohë, por, ndryshe nga kjo, pjesa e brendshme është pastruar dhe mbuluar me një punim të pasur dhe modern dizenjosh, në të cilin, për fat, mbizotëron ngjyra e zezë, por që megjithatë denatyron shëmtinë dhe thjeshtësinë e tmerrshme spartane që kishte ai vend në origjinë.

Ndoshta është çështje shijesh, por, në rast se blej një mobilje antike, nuk do t’i jepja kurrë një dorë verniku me bojë moderne, pasi boja e së kaluarës është në vetvete vlerë e asaj mobiljeje. Por përshtypja që të jepet kur viziton Shtëpinë me Gjethe është që ajo bojë e së kaluarës është larë dhe ka humbur përjetë. E shëmtuara e atij vendi simbol të persekutimit komunist është bërë e bukur, e kuruar dhe elegante, deri në atë pikë sa të duket si një “show room” i modës.

Rezultati është që vetë ai muze, me pasurinë e materialeve të tij dhe idetë e bukura grafike të përzgjedhura për ta ilustruar, mund të ishte vendosur në cilëndo ndërtesë tjetër, madje edhe një galeri moderne artistike, pa hequr apo shtuar asgjë. Domethënë, mbetet vlera e përmbajtjes, por është fshirë vlera e asaj që e përmban atë përbrenda.

Konfirmimi për këtë ndijim timin ështe se dhoma më e bukur dhe me të vërtetë emocionuese e të gjithë muzeut është “laboratori”, në të cilin teknikët e Sigurimit hapnin letrat: ky është i vetmi mjedis i mbetur pa prekur dhe ti mund të nuhatësh ende aromat e shkrirësve kimikë që përdoreshin 30 vjet më parë.

Tryeza e madhe e bardhë në qendër të sallës së madhe është e njejta tryezë prej betoni, veshur me pllaka, që përdorej nga Sigurimi për t’u bërë autopsinë letrave private të shqiptarëve. Një kryevepër autenticiteti. Po ashtu sikurse është edhe dhoma e përgjimeve, në katin e dytë, e lënë gjithashtu siç ishte në origjinal dhe në të cilën ndërhyrja e arkitektit kurator është reduktuar në minimum, duke lënë që zërat e së kaluarës, të vjedhura nga spiunët, të mund të dëgjohen edhe sot e kësaj dite.

Nëse përjashtojmë këto dy dhoma, pjesa tjetër e vizitës, për fat të keq, nuk të emocionon. Kthehet në një udhëtim (konfuz në disa aspekte, problem ky i pashmangshëm kur fjala është për të tilla argumente) brenda labirintit të errët të historisë së Sigurimit, ku tregohen një numër i pafundëm aparatesh elektronike dhe shumë dokumente, por në fund të mbeten prej tyre pak ndijime.

Këtu po tregoj diçka me të vërtetë shumë personale.

Për të realizuar më parë Bunk’Artin 1 dhe më pas Bunk’Artin 2 punova për muaj të tërë, duke kërkuar nëpër magazina të shembura shtetërore, bunkerë të braktisur, depo hekurishtesh të vjetra dhe tek shitës të sendeve të përdorura, materialet që më duheshin për të rindërtuar historinë e kaluar të ministrisë së Brendshme dhe Ushtrisë. Gjatë këtij kërkimi të lodhshëm, zbulova dhe preka me dorë katastrofën e pandreqshme që shkaktoi revolta e 1997-ës kur, gjatë sulmeve ndaj kazermave dhe depove ushtarake, u vodhën edhe pjesë të tëra të historisë dhe kujtesës së Shqipërisë.

Jam përplasur për muaj të tërë me indiferencën e bashkëbiseduesve të mij shtetërorë, budallallëkun e verbër të burokracisë, zilinë e dikujt dhe makutërinë e tregtarëve dhe vetëm në sajë të vullnetit të mirë dhe entusiazmit të disave të paktë (të cilët nuk do të pushoj kurrë së falenderuari), në fund të fundit arrita të grumbulloj një të dhjetën e materialit që kërkoja. Kurse Shtëpia e Gjetheve gëlon nga materiale të kohës dhe në të ka kaq shumë, sa që një pjesë e madhe ka mbetur e pashfrytëzuar dhe është grumbulluar në një magazinë e të lënë ta shohësh përmes një porte. Edhe mes kuratorëve të muzeve, ndoshta, ka nga ata që janë më me fat apo më të favorizuar se të tjerët. 

Megjithëkëtë, ministrja Mirela Kumbaro, në një postim në Facebook e ka komentuar kështu projektin e Shtëpisë me Gjethe: “Muzeu i Përgjimeve Sekrete është ndoshta nga projektet më të vështira që kemi bërë në këta katër vjet, sepse është i pashoq, sepse është i pazakontë, sepse nuk ka përvojë të tillë në Shqipëri, sepse synuam të ishim profesionalë, sepse synuam të ndërtonim një projekt shkencor, sepse nuk donim të sajonim, sepse nuk donim të shpiknim, sepse nuk donim të ishim patetikë, sepse nuk donim të zbukuronim, sepse nuk donim të cenonim të vërtetën, sepse është një temë shumë delikate, ku xhelatët dhe viktimat janë ende gjallë, sepse besojmë fort që vendet e diktaturës kanë ende shumë për të thënë dhe se Historinë do ta shkruajnë historianët”.

Nuk kuptohet nëse të gjitha gabimet që janë përpjekur të shmangeshin në muzeun e gjetheve janë faje që ministrja ia atribuon Bunk’Artit 1 dhe Bunk’Artit 2, ekzistenca dhe suksesi i jashtëzakonshëm i të cilëve tregojnë, përtej konsideratave të saj, se një përvojë e tillë në Shqipëri ekziston prej kohësh, me një jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare të tillë që urojmë ta ketë edhe Shtëpia e Gjetheve (po të kërkosh në Google fjalën “Bunk’Art”, dalin mëse 36 milionë rezultate, në TripAdvisor renditet në vendin e parë si muzeu e vendi më tërheqës në Shqipëri për t’u vizituar).

Sidoqoftë, përtej çdo polemike të kotë, Shtëpia e Gjetheve mbetet një muze i bukur, që pasuron trashëgiminë kulturore dhe turistike të kryeqytetit dhe është një etapë tjetër e rëndësishme në rrugën drejt njohjes së historisë kombëtare, të ndërmarrë më në fund këto vite, pasi për dy dhjetëvjeçarë epoka e komunizmit konsiderohej vetëm si një turp, për të cilin nuk duhej të flitej. Le t’ua lemë vizitorëve të vlerësojnë se kush nga muzetë e realizon më mirë qëllimin e tij. 
 
[gallery]22470[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Krujë, asgjësohen 1150 fidanë kanabis në fshatrat Burz Mal e Shkretë, nuk dihen kultivuesit

Krujë, asgjësohen 1150 fidanë kanabis në fshatrat Burz Mal e Shkretë, nuk dihen kultivuesit