Shtëpia ku jetoi Vilson Blloshmi 
në gjendje të mjerueshme/FOTO

Shtëpia ku jetoi Vilson Blloshmi <br />në gjendje të mjerueshme/FOTO
Banesa ku ka jetuar dhe zhvilluar krijimtarinë e tij letrare poeti nga Librazhdi, i ekzekutuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi, ndodhet në gjendje të mjerueshme.
 
Fshati Bërzeshtë, vendlindja e poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, ndodhet rreth 20 km larg qytetit të Librazhdit.
 
Ka qenë banesa e poetit Vilson Blloshmi e cila është vizituar dje me rastin e ditëlindjes së poetit, nga kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politik, Bilal Kola si dhe drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa.
 
Ata i bënë thirrje Ministrisë së Kulturës që të miratojë një fond për rikonstruktimin e kësaj banese dhe shpalljen e saj "Shtëpi Muze".
 
Drejtuesit e shoqatës së ish të përndjekurve kanë zhvilluar homazhe edhe në varrezat ku rehen dy poetët.
 
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dy poetët nga Librazhdi të cilët për shkak të krijimtarisë së tyre letrare e cila binte ndesh me parimet e regjimit diktatorial, u ekzekutuan në verën e vitit 1977.
 
Debati mbi fatin tragjik të poetëve vijon edhe në ditët e sotme ku nuk mungojnë akuzat dhe kundërakuzat në drejtim të protagonistëve të kohës, ndër to edhe ndaj shkrimtares Diana Çuli e cila ka bërë akt-ekspertimin e poezive. 

[gallery]21620[/gallery]

"Sahara" dhe "Oxhaku", dy nga poezitë e Vilson Ahmetit dhe Genc Lekës të interpretuara si propagandë kundër regjimit komunist.

"Sahara"
 

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

As dhe një s’e di si është kandisur

Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,

Por se thonë në botë është stisur

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,

Saharaja e mban vesh e qesh.

Saharaja fillon të gëzojë,

Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur

Mbi dikë mallon e shfryn e shan,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi

Në pusin e harresës tret…

Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

VILSON BLLOSHMI 

OXHAKU
 
Bora mbulon tokën e gjerë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…
 
Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane.
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!
 
Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…
 
E, sa gjurma mbetën kësaj ane
(E, sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rrodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…
 
Bora prapë mbulon tokën e gjerë,
Prapë natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…
 
GENC LEKA - 4.12.1965

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë