Shqiptarja.com ka qenë sot në shtëpinë e Miles, ku ka mundur të bisedojë me të afërmit e saj, pasi ajo pas martesës jeton me bashkëshortin.
Në familjen Elezi, takuam Nënën e Miles, 3 vëllezërit dhe dajën e saj të cilët na treguan se pas shumë përpjekjesh kishin mundur të rregullonin një padrejtësi, të bërë nga gjendja civile e bashkisë Kamëz.
(Certifikata e Mile Elezit, gjinia e saj shënohet MASHKULL)
Ardiani, i vëllai i Miles na tregon se pas këtij problem, u lidhën me një avokat duke menduar të zgjidhnin këtë problem. “Por as e kishim menduar kurrë, se do na zgjaste dy vite, do paguanim aq shumë lekë dhe do bënim një mal me dokumente për fajin e shtetit, - thotë tashmë me një çlirim ndaj peripecive që kishin kaluar.
Më tej, Ardiani tregon se motra ishte banore e Kamzës, ndërsa ka lëvizur nga kjo zonë pas martesës. Pas ceremonisë së martesës, 23-vjeçarja ka shkuar të pajiset me certifikatë personale, por është shokuar kur ka parë se gjinia e saj ishte shënuar “mashkull”. Gabim prej të cilit Milja nuk mund të kryente celebrimin ligjor të martesës së saj, e më tej edhe rregjistrimin e frytit të martesës, fëmijën, pasi Milja ishte shtatzënë. Në gjendje civile, ju tha se duhej t’i drejtohej gjykatës. “Dhe ashtu bëmë, - shprehet Ardiani, - por mos e vuajt askush atë që vuajtëm ne”.
MARTESA
Familja Elezi pasi ka respektuar dëshirën e vajzës për tu martuar, nuk e kishte menduar kurrë se kjo martesë do të pengohej nga institucionet shtetërore.
Ata kanë kërkuar që të korrigjohet gabimi në certifikatën e Mile Elezit, ku gjinia e saj ishte shënuar mashkull, pasi në këtë mënyrë nuk mund të bëhej celebrimin e më tej regjistrimin i fëmijës të sapolindur.
Me anë të një kërkese Milja, i është drejtuar gjendjes civile të Kamzës ku ishte e regjistruar si banore, por nga ky institucion i është kthyer përgjigja se këto rregullime bëhen vetëm me vendim gjykate.
KERKESE PADIJA
Dt. e regjistrimit: 26.04.2012
Paditësit: Mile Elezi
Të paditurit: Zyra e Gjendjes Civile Bashkia Kamëz
Objekti: Korigjimi i akteve të gjendjes civile Rubrika Gjinia
Pranimin e kërkesë-padisë së ngritur nga paditësja Mile Elezi.
Korigjimin e gabimit material në të dhënat personale të paditëses Mile Kadri Elezi përsa i përket rubrikës “ Gjinia” nga ajo e shënuar “mashkull' në atë të saktë “femër”.
SHQYRTIMI NE GJYKATE
Pasi ka marrë në shqyrtim çështjen, gjyqtarja Teuta Hoxha shprehet se në bazë të certifikatës së lindjes të lëshuar nga Komuna Bushtricë Kukës rezulton se Mile Elezi është e regjistruar , lindur më 14 gusht 1989, gjinia “femër”, me të njëjtat të dhëna ajo rezulton thotë gjykata edhe në certifikatën familjare si dhe dëftesën e shkollës në Domje. Në përfundim gjykata çmon se pasaktësia e aktit është e tillë që cënon përmbajtje e aktit, prek thelbin e tij dhe sjell pasoja juridike të caktuara, duke urdhëruar gjendjen civile të kryejë ndryshimet e domosdoshme, për të ndryshuar të dhënat personale nga “mashkull” në “femër”.
(Gre.M/Shqiptarja.com)