Shteti shqiptar pagoi Joklin me
4965 franga për Fjalorin Etimologjik

Shteti shqiptar pagoi Joklin me<br />4965 franga për Fjalorin Etimologjik
TIRANE- Këto dokumente zyrtare që bëhen publike për herë të parë, e datojnë në vitin 1942, tregojnë të dhëna interesante për jetën e albanologut të shquar, Nobert Jokli në fushën e studimeve të shqipes. Siç shihet në këtë procesverbal të kohës, shteti shqiptar i ka paguar Nobert Joklit rreth 4965 Franga Zvicerane për hartimin e Fjalorit Etimologjik të shqipes. Po atë vit albanologu i madh, Nobert Jokli, është torturuar dhe ka vdekur në rrethana misterioze në kampet e përqendrimit të regjimit nazist, sepse ishte me origjinë hebreje.

Pas arrestimit të tij janë zhdukur edhe gjurmët e Fjalorit Etimologjik të Shqipes. Nobert Jokli është autor i Fjalorit Etimologjik të Shqipes dhe Gramatikës Krahasuese të kësaj gjuhe. Disa dorëshkrime të tij gjenden në Bibliotekën Nacionale të Vjenës, por Fjalori Etimologjik rezulton si një vepër e humbur. Ka mbetur vetëm vepra e tij e botuar "Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung" (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes), ku i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes.

Sipas studiuesve ai në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Kjo vepër konsiderohet si arritja më e rëndësishme në fushën e shqipes pas Fjalorit Etimologjik të Meyerit. Norbert Jokli u arrestua nga gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Dëshmitarët tregojnë se dy nënpunësa të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndrynë në kazermën Robauer në Vjenë.

Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Mendohet se vdiq nga torturat në kampin e përqendrimit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë, por ka edhe pohime se ka vrarë veten pas dërgimit në këtë kamp. Jokli pat krijuar një bibliotekë albanologjie e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori Etimologjik të Gjuhës Shqipe, i cili ishte vazhdimi i punës së nisur prej Gustav Meyer-it.

Fatkeqësisht gjurmët e këtij dorëshkrimi kanë humbur qysh në pranverën e vitit 1942, kur daton edhe vdekja e tij. Faturat e pagesave financiare dhe vulat zyrtare të shtetit shqiptar, si dhe shpërblimet me shifra të larta, nuk tregojnë gjë tjetër, përveç faktit se ky studim ishte një projekt me rëndësi të madhe në aspektin studimor dhe atë kombëtar.
 
FOTO
 





















 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Me kokainë të fshehur në pako dhuratash, arrestohen 4 shqiptarët në Itali

Me kokainë të fshehur në pako dhuratash, arrestohen 4 shqiptarët në Itali