Shtimi i rasteve të vjedhjeve online ka bërë Qeverinë të hartojë një ligj të posaçëm kundër hakerave e piraterisë kompjuterike.
 
Projektligji Për Sigurinë Kiberneteike praktikisht është në shqyrtim në Kuvend dhe ka si qëllim arritjen e një niveli të lartë të sigurisë në rrjetet dhe sistemet e informacionit.
 
Ai parashikon ngritjen dhe bashkërendimin e strukturave për të garantuar mbrojtjen e shoqërisë nga rreziqe që mund t’i vijnë nga sulmet, incidentet apo ngjarjet në rrjetet dhe sistemet e informacionit.
 
Në relacionin shoqërues, thuhet se kapacitetet ekzistuese të operatorëve publikë nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë në rrjetet dhe sistemet e informacionit. Për këtë motiv, ligji parashikon ngritjen e një autoriteti të vetëm të sigurisë kibernetike.
 
Një pjesë e mirë e draftit përshkruan masat organizative dhe teknike që duhet të respektojnë subjektet për të garantuar sigurinë kibernetike: duke nisur nga menaxhimi i risqeve, te personat që kanë akses në informacion, verifikimi i identitetit të përdoruesve, e deri te siguria fizike e pajisjeve, apo përdorimi i kriptografëve.
 
Një prej kapitujve të ligjit parashikon dhe krizat kibernetike, situata kur siguria e siguria e rrjeteve të komunikimeve elektronike është seriozisht e rrezikuar duke vënë në rrezik interesin publik të Republikës së Shqipërisë.

Gjendja e krizës kibernetike shpallet nga Kryeministri, dhe njoftohet publikisht në media.
 
 


d.b/shqiptarja.com