Nga pasditja e së premtes deri në mëngjesin e së hënës, në urgjencën e spitalit të Vlorës kanë marrë ndihmë mjekësore 68 qytetarë me shenja helmimi, si diarre dhe të vjella.

Mes tyre janë pesë fëmijë të kopshtit publik nr. 10, që ndodhet në lagjen “29 Nëntori”. Të rriturit janë banorë të kësaj lagjeje dhe të lagjes fqinje, “28 Nëntori”. Dyshimet e para janë se qytetarët mund të jenë helmuar nga uji i çezmës. Në zonë, Ujësjellësi po kryen punime për kalimin nga rrjeti i vjetër në rrjetin e ri.

Banorët dyshojnë se uji i pijshëm mund të jetë përzier me ujërat e zeza. Ata thonë se, edhe pse nuk kanë marrë udhëzime nga Ujësjellësi, kanë vendosur të mos e pinë ujin e çezmës.

“Po, dëgjova se është përzier me fekale. Është shumë i pistë uji. Biles ka shumë fëmijë që i ka zënë barku e të vjella. Tani po e blejmë për të pirë. Po prapë duhen larë rrobat e duhen larë enët, nuk na del llogaria për të gjitha”, tha një banor.

“Njëra e kishte fotografuar në një pjatë e thoshte: ‘Kujdes nga uji, se është shumë i ndotur.’ Unë, në fakt, e ndjeva dhe te kafja që piva. Vinte era. Kemi pasur banorë këtu në lagje me bark”, tha një tjetër.

Mjekët konfirmojnë se simptomat e para u shfaqën te fëmijët, të cilët u kthyen në banesa pas trajtimit në urgjencë.

Ndërkohë, dhjetëra qytetarë të tjerë, kryesisht të rinj, u paraqitën në urgjencën qendrore me simptoma të ngjashme. Të shtunën u regjistruan 35 pacientë, të dielën 25 dhe të hënën 3.

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Rajonit të Vlorës, Klevis Kaso, tha se analizat fiziko-kimike të ujit kanë rezultuar brenda parametrave.

“Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve.

Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi ynë dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente”, tha Kaso.

Për të përcaktuar nëse uji i rrjetit ka ndotje mikrobiologjike, priten rezultatet e analizave të Institutit të Shëndetit Publik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:54
Situata në Vlorë pas dyshimeve për ndotjen e ujit të pijshëm, pediatrja: Pacientët janë stabilizuar dhe janë kthyer në banesa (VIDEO)

 

Pediatrja e Spitalit Rajonal të Vlorës, Aida Koka ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve që u paraqitën gjatë fundjavës. Ajo sqaron se rastet e para u paraqitën ditën e premte, ndërsa numri i tyre u shtua gjatë ditës së shtunë. Pacientët shfaqën dhimbje barku, të vjella, diarre dhe në disa raste temperaturë.

“Gjatë ditës së premte janë paraqitur disa persona me shenja të një infeksioni viral të shoqëruara me simptoma gastrointestinale. Megjithatë, rastet e tjera janë paraqitur edhe gjatë ditës së shtunë. Fatmirësisht, asnjë prej rasteve nuk ka qenë i komplikuar. Të gjitha rastet kanë pasur ecuri të mirë dhe janë zgjidhur, ndërsa disa prej pacientëve kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore pranë spitalit.”- tha pediatrja.

Mjekja thekson se aktualisht situata paraqitet e qetë, të gjithë pacientët janë stabilizuar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre.

“Aktualisht, situata paraqitet e qetë. Të gjithë pacientët janë stabilizuar dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre. Simptomat e shfaqura kanë qenë kryesisht dhimbje barku, të vjella, diarre dhe, në disa raste, temperaturë.”- u shpreh Koka.

Sa i përket shkakut të problemeve shëndetësore, pediatrja bën të ditur se ai mbetet ende nën hetim nga Instituti i Shëndetit Publik. 

"Shkaku i këtyre rasteve është ende nën hetim nga Instituti i Shëndetit Publik. Nga ana jonë, janë kryer edhe analizat përkatëse spitalore. Për momentin, situata është nën kontroll dhe nuk ka arsye për alarm."- tha pediatrja.

Ora 12:31
'E ndjeva dhe te kafja që piva', probleme me ujin e pijshëm në Vlorë, banorët: Fëmijët janë me të vjella (VIDEO)

 

Banorët e lagjes “28 Nëntori” japin dëshmi të ndryshme për cilësinë e ujit. Disa prej tyre thonë se prej ditësh uji ka erë dhe është i papastër, ndërsa tregojnë se në familjet e tyre janë shfaqur edhe probleme shëndetësore.

“Kur ka pasur gjithë Vlora, edhe ne kemi pasur. Tek ky pallat jo, nuk kemi pasur probleme. Ujin nuk e blej, kam dhe filtër, por kemi dëgjuar që ka pasur raste helmimi në rrugë tjetër.”- ka shprehur banorja.

Një tjetër banore e lagjes në Varrosh, thotë se problematika me ujin vijon prej rreth një jave. Ajo tregon se fëmijët dhe të rriturit në familjen e saj kanë shfaqur të vjella dhe probleme me stomakun, ndërsa për të pirë janë detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar.

“Varrosh i thonë, i thuhet lagjja 28 Nëntori. Uji është shumë i pistë. Ka një javë që fëmijët i ka zënë barku, janë me të vjella, ka dhe të rritur. Ne blejmë ujin për të pirë, do laj enët dhe rrobat me atë ujë se nuk na del llogaria. Madje njëri e kishte fotografuar në një pjatë dhe kishte shkruar: Kujdes nga uji, mos e pi se është shumë i ndotur. E ndjeva dhe te kafja që piva, i vinte erë. Kemi pasur probleme shëndetësore edhe ne si familje.”- tha ajo.

Edhe një tjetër banore ngre shqetësimin për erën e rëndë që, sipas saj, vinte nga uji prej rreth 10 ditësh. Ajo thotë se tashmë edhe për larjen e dhëmbëve përdor ujë të blerë, ndërsa deri tani nuk ka pasur shqetësime shëndetësore.

“Vinte erë pusete ujit, prej 10 ditësh. Edhe dhëmbët i laj me ujë të blerë. Deri tani nuk kemi pasur shqetësime.”- theksoi banorja.

Ndërkohë, ka edhe banorë që thonë se nuk kanë konstatuar ndryshime në cilësinë e ujit dhe nuk kanë pasur probleme shëndetësore, por për të pirë preferojnë ujin e ambalazhuar.

“Unë nuk ndjeva gjë te uji. Për të pirë e blejmë. Probleme nuk kemi pasur, as raste helmimi.”- u shpreh banori tjetër.

Pavarësisht rezultateve fiziko-kimike të publikuara nga Ujësjellësi, priten analizat e detajuara të Institutit të Shëndetit Publik për të përcaktuar nëse ka ndotje mikrobiologjike dhe nëse ekziston një lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të shumta të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Ora 12:17
Të vjella dhe diarre në Vlorë, drejtori i Ujësjellësit: Uji është i pastër dhe i sigurt për konsum, edhe fëmijët e mi e pinë

1794223087_kaso.jpg

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Rajoni Vlorë, Klevis Kaso ka reaguar pas rasteve të shtuara të banorëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, me simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”. Banorët kanë marrë serum dhe ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa më pas janë larguar drejt banesave.

“Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht. Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.”- tha ai.

Kaso pranon se mund të ketë raste të izoluara për shkak të ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet, por thekson se institucioni reagon për çdo problematikë të sinjalizuar.

“Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord. Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.”- u shpreh Kaso.

Gjithashtu drejtori bën publike edhe rezultatet e analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në 22 pika monitorimi në qytet. Sipas tij, nuk është evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve. Megjithatë, për parametrat mikrobiologjikë, rezultatet nuk janë bërë ende publike.

“Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve. Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt. Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve. Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi im (ynë) dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente.”- ka thënë në reagimin e tij Kaso.