KIEV – Në kohë lufte hibride lejohet gjithçka, madje edhe të fshehësh dinamit në këpucët e kundërshtarit. Sipas rindërtimit të bërë nga faqja ukrainase Militarnyi, në fillim të këtij muaji shërbimet e inteligjencës së Kievit kanë realizuar një operacion sa të pazakontë aq edhe të guximshëm: dërgimin në njësitë e ushtrisë ruse të pajisjeve shpërthyese të fshehura brenda shtrojave të zakonshme ngrohëse për këpucë.

Ideja, sipas burimeve të mbrojtjes në Kiev, ka lindur për të goditur nga brenda logjistikën dhe përditshmërinë e reparteve ruse, duke shfrytëzuar kanale shpërndarjeje që duken të padëmshme. Çdo shtrojë përmbante nga 10 deri në 15 gramë eksploziv, sasi të vogla dhe të vështira për t’u zbuluar, por që sipas ukrainasve janë të mjaftueshme për të sabotuar trupat armike. Militarnyi flet për “dhjetëra mijëra” copë të dërguara përtej kufirit, që kanë kaluar përmes Polonisë dhe Bjellorusisë falë bashkëpunimit të vullnetarëve rusë dhe organizatave humanitare, të pavetëdijshme për përmbajtjen reale të ngarkesës.

Ngjarja doli në dritë pasi një kamion rus, që transportonte 502 shtroja me nga 1.5 gramë TNT secila, u ndalua nga autoritetet. Një burim ukrainas – që ka preferuar të mbetet anonim – e ka minimizuar rëndësinë e këtij sekuestrimi, duke thënë se “dërgesat e mëparshme e kishin kryer tashmë detyrën e tyre” dhe se ajo që u kap përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të operacionit.

Nga ana tjetër, shërbimi rus i sigurisë, FSB, pretendon se e ka “parandaluar” planin, duke njoftuar arrestimin e një shtetasi të huaj dhe sekuestrimin e 504 shtrojave shpërthyese. Sipas Moskës, këto pajisje ishin projektuar për të “gjymtuar një ushtar gjatë misioneve luftarake”.

Tashmë edhe në javët e kaluara, Kyiv Post kishte raportuar për një operacion të ngjashëm: një seri syzesh për dronë FPV “Skyzone Cobra X v4”, të destinuara për njësitë ruse, ishin modifikuar nga inteligjenca ushtarake ukrainase (GUR) për të përmbajtur eksplozivë të fshehur, që do të shpërthenin gjatë përdorimit. Rreth tetëdhjetë pajisje thuhet se kanë kaluar përmes rrjeteve të vullnetarëve, secila me 15 gramë eksploziv plastik dhe një detonator të vendosur pranë ventilatorit të ftohjes. Midis 4 dhe 7 shkurtit, të paktën tetë operatorë rusë të dronëve mbetën të plagosur rëndë, disa me dëmtime të mundshme të përhershme në shikim.

Një burim i GUR-it, i cituar nga Militarnyi, i ka përshkruar këto operacione si “një ndëshkim i merituar për krimet e luftës që pushtuesit rusë kryejnë çdo ditë kundër Ukrainës”, duke lënë të kuptohet se prodhimi i këtyre pajisjeve “surprizë” po zgjerohet tashmë nga Karpatet deri në territorin rus.

Pamja që del në pah është pjesë e një vargu të gjatë operacionesh të fshehta që po riformësojnë kufijtë e luftës moderne. Nuk është një rast i izoluar: në muajt e fundit janë parë pagera shpërthyes të përdorur kundër Hezbollahut në Liban, dronë të ngarkuar në kamionë dhe të lëshuar kundër bazave ushtarake në Rusi, si dhe sulme të synuara ndaj infrastrukturave në Krime dhe në Kaukaz. Një seri veprimesh që tregojnë se konflikti po zhvillohet tashmë edhe në një dimension paralel, të përbërë nga sabotime të targetuara, teknologji e manipuluar dhe objekte të përditshme të shndërruara në armë të improvizuara, të përdorura larg vijës së frontit./ Corriere della Sera