Inceneratori i Elbasanit, Lefter Koka dhe Alqi Bllako kërkojnë t’u hiqen akuzat! Shtyhet seanca paraprake

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit ka shtyrë seancën paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së inceneratorit të Elbasanit, me 10 të pandehur dhe dy kompani.

Data e seancës së radhës është caktuar më 21 shkurt, ndërsa shkak për shtyrjen e seancës këtë të martë, u bë sipas Gjykatës volumi i pretendimeve. Gjatë seancës paraprake e cila zgjati disa orë, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka thënë se procesi është i montuar dhe akuzat e ngritura ndaj tij janë politike. Mbrojtësi i tij Fatmir Braka ka kërkuar që të pushohen dy akuzat në ngarkim të Kokës, ajo e shpërdorimit të detyrës dhe e pastrimit të parave.

Në linjë të përafërt ka qenë edhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako i cili ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe se të gjithë koncesionin e kanë thirrur anëtarët e komisionit. Bllako pretendoi më tej në pafajësinë e tij duke theksuar se ka zbatuar ligjin.

Kujtojmë se SPAK ka mbyllur deri tani hetimet për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit dhe ka kërkuar që çështja të shkojë për gjykim, ndërkohë që ende nuk ka një vendim nga GJKKO, ku edhe ditën e sotme është shtyrë seanca paraprake për dosjen e inceneratorit të Elbasanit. 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi pak javë më parë hetimet dhe çoi për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Mbi të gjithë personat më sipër rëndojnë akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë që duhet thënë se Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto tre personazhet e rëndësishme për hetimet e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier, tashmë në kërkim ndërkombëtar, janë hetuar edhe më herët nga prokuroria e Elbasanit, për të njëjtat akuza për të cilat SPAK i ka marrë të pandehur. Në 7 shkurt, u bë me dije se Stela Gugallja është identifikuar në Austri dhe tashmë SPAK ka dërguar kërkesën për esktradimin e saj drejt Shqipërisë.  Në dosjen e siguruar ekskluzivisht nga Report Tv thuhet se procedimi është regjistruar në 26 maj të vitit 2017 pas denoncimit të një personi me emrin Lefter Çollaku, i cili pas verifikimeve në regjistrin e gjendjes civile ka rezultuar anonim. Por pas hetimit një vjeçar çështja është pushuar nga Gjykata e Elbasanit, katër vjet më parë, pikërisht në 11 janar të vitit 2018. 

Masat e sigurisë dhe sekuestrimet për inceneratorin e Elbasanit:

Për inceneratorin e Elbasanit ndodhet në burg ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërkohë që ka masa sigurie edhe për Pëllumb Abeshin, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratoritm ish drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit; Bardhyl Çabiri ish-anëtari i Komisionit nga Bashkia e Elbasanit, Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim. Serafin Papa: Ish-anëtar i Komisionit për dhënien e koncesionit. Në kërkim për këtë çështje janë shpallur Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja.  SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.  Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit.

Pasuritë e sekuestruara për Inceneratorin e Elbasanit:  14 apartamente me sipërfaqe banimi në total prej 1356 m²; 3 njësi tregtare me sipërfaqe shfrytëzimi në total prej 297 m²; 1 pasuri të paluajtshme të llojit truall me sipërfaqe 147 m² dhe ndërtesë 126 m²; 8 shoqëri tregtare dhe të gjitha asetet në pronësi të shoqërive tregtare.

B.V/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Rama thumbon Kurtin? Ndërhyrjet në Maqedoni synojnë destabilitet! Lufta për pushtet dobëson faktorin politik shqiptar

Rama thumbon Kurtin? Ndërhyrjet në Maqedoni synojnë destabilitet! Lufta për pushtet dobëson faktorin politik shqiptar