Mungesa e avokatëve çoi në shtyrjen e seancës së radhës gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për dosjen e “Sterilizimit”. Argumenti i tyre se ndodheshin në procese të tjera, nuk i shpëtoi nga gjobitja me 10 mijë lekë secilin. Duke u kujtuar gjyqtarëve se kontrata për Sterilizimin përfundon pas gati 3 javësh, Beqaj u kërkoi që të shohin kontratën, gjë që sipas tyre, prokurorët nuk e bënë kurrë.

 “Ndjesë, se do them një gjë, që nuk është brenda procedurës. Kontrata për të cilën jemi këtu mbaron më 8 mars. Unë do të doja të shkoni ta vizitoni vetë realitetin e kontratës. Prokurorët nuk e bënë kurrë. Sepse sipas tyre, u bëmë grup kriminal tre veta vetëm për të vjedhur. Është ftesë, asgjë më shumë. Mbaron për tre javë dhe pastaj nuk ka kuptim”, tha Beqaj.

Ish-ministri Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 dhe ndodhet prej asaj kohe ndodhet i izoluar në paraburgimin e Durrësit. SPAK e akuzon për korrupsion pasiv, në cilësinë e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë SASPAC, akuza të cilat i ka mohuar.

Paralelisht, ai po hetohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në Shëndetësi, për të cilin ka masën detyrim paraqitje dhe është në proces gjyqësor. Së bashku me Beqajn për këtë koncesion janë të akuzuar edhe persona të tjerë si ish-zv.ministri Klodian Rjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe anëtarë të tjerë të komisionit të vlerësimit të ofertave. Por, ndërsa të pandehurit e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar ish-ministri kërkoi gjykim normal dhe vijon procesin i vetëm në gjykatë.