TIRANE-Shfryhet dosja e bujshme e Bajrave që nisi me operacionin 'Oaz' në shtator të vitit 2018 në Tiranë, Shkodër dhe në qytete të tjera të vendit duke çuar në pranga mbi 20 persona, por që tashmë të gjithë janë liruar nga akuzat e vrasjes, kanosjes, gjobëvënies, basteve të paligjshme dhe shumë të tjera. Rreth dy vite hetime nuk u mjaftuan as Krimeve të Rënda, as SPAK-ut dhe as Prokurorisë së Shkodrës që e 'çmontuan' duke i liruar të gjithë nga akuzat. 

Pas ping-pong-ut me dërgimin e dosjeve sa në Tiranë dhe sa në Shkodër, ditën e sotme gjyqtari i Shkodrës Besmir Stroka pranoi kërkesën e mbrojtësve Arber Hoxha dhe Sokol Tahiraj duke shuar masat e sigurimit "arrest ne burg" për disa prej të hetuarve të grupit Bajri. Kështu është shuar masa arrest në burg për Safet Bajrin duke urdhëruar qëndrimin në burg vetëm për vendimin penal të formës së prerë.

Pra Safet Bajri në burg mbahet vetëm për dënimin me 8 vite që ka nga drejtësia belge. Sot gjykata vendosi që të zgjaste afatet e paraburgimit për Behar Bajrin dhe Ilir Bajrin, por akuzat kundër tyre në Shqipëri kanë rënë. Ilir Bajri mbahet në qeli për 5.6 vitet e dënimit me burg në Itali po për drogë.

Behar Bajri që u akuzua për vrasjen e bashkëjetueses së mitur 15-vjeçe sot ka vetëm një akuzë për ndikim të ushtrimit të paligjshëm, ku kërkonte të punësonte të dashurën e tij Jorida Muratin në spital, pasi të tjerat janë shuar të gjitha. Ndërkohë lirohen nga ambientet e paraburgimit  edhe Ismet Idrizi, Asmer Bilali dhe Samet Halluni.

Por kush është Astmer BilaliAi ka qenë ish boksier i Vllaznisë, ndërsa ra në qendër të vëmendjes së mediave kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv.

Ai u arrestua si pjesë të "Bajrave", e ndërsa u akuzua për një sërë veprash penale. Vitin e kaluar iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali. Gjithashtu masa e sigurimit është zëvendësuar edhe për Emrah Plakun dhe Jorida Muratin, nga arrest shtëpie në detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore.

Për gazetarin e Shqiptarja.com Elton Qyno pushimi i akuzave është një kambanë alarmi duke paralajmëruar rikthimin e ngjarjeve të rënda dhe përplasjeve në Shkodër. "Pas dy vitesh hetime dosja i kaloi prokurorisë së Shkodrës nga SPAK-u. Prokuroria e Shkodrës e dërgoi për gjykim, por gjykata kërkoi që SPAK- të pushojë hetimet për grup të strukturuar dhe ta kalojë sërish në Shkodër. Procedura ka bërë dëmet e veta, ka sjellë zgjatjen e afateve hetimore.

Cështja përfundoi deri në gjykatën e lartë, e cila vendosi që ta gjykojë gjykata e Shkodrës. Gjyqtari Besnik Stroka sot pranoi kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë. Jorida Murati njihet si e dashura e Behar Bajrit. Ismet Idrizi dhe Samet Halluni dyshohen për gjobëvënie, drogë dhe bastet sportive. Kemi të bëjmë me një grup që pavarësisht se u godit në 2018 njerëzit kryesor janë të lirë. Safet dhe Ilir Bajri për akuzat e ngritura në 2018 për vrasje dhe gjobëvënie kanë rënë, pasi u shua masa nga gjykata.

Këta persona kryejnë vrasje dhe gjobëvënie, por SPAK ka vendosur ta cojë për akuza shumë të lehta që janë pushuar të gjitha nga prokuroria e Shkodrës dhe gjykata. Behar Bajri u akuzua për vrasjen e bashkëjetueses së mitur 15-vjeçe. Behar Bajari ka vetëm një akuzë për ndikim të ushtrimit të paligjshëm te mjekët, ku kërkon të punësojë të dashurën e tij. Janë shuar të gjitha akuzat e rënda. Safet Bajari në burg nuk mbahet për akuza në Shqipëri, por dënime në Belgjikë 8 vite për drogë. Ilir Bajri mbahet për 5.6 vite burg në Itali po për drogë.

Kjo masë i motivon për gjoba dhe krime të tjera. Këta persona kanë potencial të madh për të goditur. Familja Bajri ka një resort në Velipojë dhe restorante në Shkodër. Të gjithë janë subjekt të OFL-së. Pasuria e familjes Bajari është vendosur në sekuestro, por fakti që akuzat ranë e bën më të vështirë.

Tani nuk garantohet qetësia në Shkodër, pasi marrëdhëniet mes grupeve kriminale në Shkodër janë shumë të ashpra si pasojë e përplasjeve. Në ditët dhe muaj në vazhdim do të ketë ngjarje akoma më të rënda që mund të tronditin jetën dhe ekonominë e këtij qyteti"  tha gazetari Elton Qyno.

Ja cfarë deklaronte policia në shtator të vitit 2018, tashmë të gjitha akuzat kanë rënë dhe të gjithë janë të lirë
Njoftimi i plotë i policisë 22 shtator 2018

Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda kanë finalizuar operacionin e koduar "Oaz", në kuadër të Operacionit "Forca e Ligjit", si pjesë e grupit kriminal "Bajri" me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër. Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ata janë:
1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;
2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;
3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;
6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;
7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;
8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;
9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;
10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;
11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.
Veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri në goditjen e plotë të gjithë grupit kriminal "Bajri" kanë zgjatur mbi 6 muaj. Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv.

Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", në bashkëpunim, "Vrasje me dashje", e kryer në bashkëpunim, "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Organizim i llotarive të palejuara", "Pastrim i produkteve të veprës penale" të kryer në bashkëpunim, "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", kryer në bashkëpunim, "Përkrahje e autorit të krimit", 'Moskallëzim krimi", "Prodhim e shitje e lëndëve narkotike", vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Si vepra të rënda kriminale, të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në Shkodër, ngjarje e ndodhur në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar edhe është provuar në javët e fundit, se anëtarë të këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash.

Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër. Grupi "Bajri", në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në shtete europiane dhe më pas paratë e përfituara nga ky aktivitet investoheshin brenda vendit.

Operacioni policor për arrestimin e personave të mësipërm është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam, Holandë dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Ndërhyrja operacionale është koordinuar mes grupeve të posaçme hetimore, në të dy shtetet duke shkëmbyer informacion intensiv.

Gjithashtu u ngritën dhe operuan në 2 vendet, grupe të përbashkëta operacionale, të mbështetura nga forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe atyre holandeze. Gjatë ditëve të operacionit për identifikimin dhe arrestimin e disa prej personave të mësipërm janë shkëmbyer me dhjetëra informacione, jo vetëm mes Policisë së këtyre 2 shteteve, por edhe autoriteteve ligj zbatuese që asistojnë Prokurorinë dhe Policinë, në Gjermani, Kroaci etj.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, tre prej anëtarëve të këtij grupi iu gjetën në trup 3 armë zjarri pistoletë, ndërsa në banesë lëndë narkotike kanabis sativa. Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh. Policia e Shtetit dhe Prokuroria sigurojnë qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal.