Shuhet shkrimtari i njohur Fatos Arapi

Shuhet shkrimtari i njohur Fatos Arapi

Fatos Arapi

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari i njohur Fatos Arapi. Prej 10 vitesh shkrimtari ishte i sëmurë dhe nuk dilte nga banesa, pasi kishte pësuar një hemorragji cerebrale. Ai është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, ndërsa homazhet do të zhvillohen në datë 13 paradite në Tiranë. Fatos Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë.

Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi ‘Kurorën e artë’ në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
Ngushëllimi i ndjerë i Ismail Kadaresë për Fatos Arapin: U shua një shkrimtar i rëndësishëm, me jetë edhe krijimtari dramatike në dy epoka! 

Pas ndarjes nga jeta të poetit Fatos Arapi, ka reaguar edhe shkrimtari Ismail Kadare. Ai e konsideron këtë largim fizik të Arapit, një humbje të madhe për letërsinë shqipe. Dëshmia e tij, sipas Kadaresë do të mbetet e veçantë në kronikën e letërsisë shqipe. 

Mesazhi i plotë i shkrimtarit Ismail Kadare:

“Pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit.
Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”.


Fatos Arapi (1930-2018) u lind në Zvërnecë të Vlorës. U nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Ai i përket brezit të shkrimtarëve shquar shqiptar të shekullit XX, vlerësohet si poet dhe prozator i paimitueshëm, që ka lënë gjurmë të thella në letërsinë moderne shqiptare.
 

Ora 21:21
Poezi të zgjedhura të Fatos Arapit, nga krijimtaria e tij në vite

E paënderta ime

Më duhet një gjysëm ëndrre, 
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd 
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës 
Tutje i shtyjnë kalimtarët, 
në ditë të rrëpirta tiranase. 
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë... 
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjirni të egër, 
mbërthen kryqe të reja. 
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

 

Nuk mbyllem dot

S'kam fuqi më as të trishtohem 
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s'mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.

 

Si s'të Desha pak më Shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s'ia fal dot vetes:
S'i s'e desha pak më shumë...

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T'i them ndarjes: - Prit, ca pak...
Të gënjejmë mallin që s'shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis "ca pak" tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

"Si s'të desha pak më tepër..

 

Gloria Victis (Lavdi Humbësve)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para - dhe vazhdojmë
T'i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës, 
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm, 
Ata s'humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.

Ndërsa ne gabojmë - ashtu siç dimë vetëm ne! 
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse. 
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit 
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne 
- po vetëm ne!- 
Jemi të vërtetë.

 

Akreonti Rrjedh po Karont nuk Ka

 

Si të kthehem prapa kur udhën s'e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
E unë rrah brigjet e errëta këtu.

Akeronti rrjedh po karont nuk ka.

Tregomë një va ku te kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme. 
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
Dhe të arrij.
Akeront rrjedh po karont nuk ka.

---------------------------------------------
Kjo poezi gjendet në mesin e tetëmbëdhietë poezive të ciklit "Vllasi', që i kushtohet vëllait të vdekur të poetit. Kjo poezi lidhet përkatësisht me vdekjen e mistershme dhe të paligjshme të tij. Karakteristikë stilistike e kësaj poezie është inversioni (kemi episode të përmbysura), që mbështetet dhe stimulohet nga ritmi i brendshëm, nga përsëritjet e pasuara me heshtje (të zëshme), ndërsa "paqartësitë" vihen në funksion të ironisë.
Nga vargjet e poezisë si nga nëntoka shpërthen dhe përhapet një gjëmë, brenda së cilës jehon vërshueshëm dhimbja dhe vaji, të cilat përplasen në kupë të qiellit, përpëliten dhe që andej të vetmuara, pa shpresë rikthehen nga e para ... kështu përjetë e mot. Është kjo gjëma e vëllait të vdekur të pavdekur që trishtueshëm kërkon një vesh për ta dëgjuar. Pas ndëshkimit të Zeusit për të mos e pranuar shpirtin përtej, shpirti i Vllasit kërkon çmendurisht mbështetje. I mbetur qyqe as këtej, as andej, Vllasi lëshon vajin përbetues dhe akuzues, që ngre peshë botën e të gjallëve, dhe pikërisht të poet-vëllait, që edhe pse i rrahur nga valët e jetës, nuk është në gjendje t'i tregojë një shteg kalimi vëllait, d.m.th. nuk mund ta ndihmojë atë as të vdekur. Mosekzistenca e karontit lidhet me mesazhin dëshpërues filozofik: S'ka përtej, s'ka as këtej ... Poeti kështu dhimbshëm metaforizon dhe vetë realitetin pa rrugëdalje në të cilin ai jeto

 

Ditë Tiranase

 

Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: - Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, -
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, -
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, - hija jote shkrin në gotën me ujë 
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, -
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , - kur do të vijë Ajo, 
Me frymën e saj t'i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë 
Fluturon nga syri në sy -
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej, 
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz 
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.

---------------------------------------
Kjo poezi mban datën e vitit 1997. Poezia ka 22 vargje monokolonë dhe është shkruar si apostrofim i vetës së dytë, pra është zëri i subjektit lirik që bën dialog të brendshëm. Poeti përcjell zëshëm lëvizjen e vet tek kapërcen pragun e shtëpisë për të dalë në qytet. Ky është veprimi i parë. Veprimi i dytë është ballafaqimi me rrugën, realitetin. Hutimi, gjendja pa kuptim, pa krye të godet: S'di nga të shkoj! Veprimi i tretë është zhgënjimi: kostatimi se pasi të kanë ushqyer me shpresë, ta vrasin atë. Papritmas kemi një lajthitje, një përçartje nga dhimbja e kokës: shërohet me diell apo aspirinë? jashtë çdo vullneti mekanikisht ndodh lëvizja brenda poetit. Ai bëhet i vetëdijshëm se zembreku i orës është pluhurosur, ashtu si zembreku i kohës së Atdheut të tij. Po ama megjithë shpresën e vrarë, qytetari tiranas përsëri ka aftësinë të shpresojë: A do të vijë Ajo? Për një çast të duket se është fjala për një të dashur, mbase dhe është ashtu, dhe a ka më të dashur për një shtetas shqiptar të presë kohën e mirë për veten. Dhe prapa shpinës së tij hapet një dekor shpresëdhënës, i realizzar ky me figura të goditura simbolesh: Unazë e zjarrtë, gishti i nuses, gonxhe, zambak, dallëndyshe. Kështu poezia mbyllet me një vetëngushëllim tragjik, si për të theksuar se nuk është koha më të gënjejmë vetveten, aq më tepër me poezi. 
-----------------------------------------------------

 Alarme të Përgjakura (kënga e parë)

 

Mbi rrogozin prej kashte, 
Ku netëve fle,
Shtrova
Dashurinë time...
Po prap, brinjët t'i vret toka, plisi,
E prap i fortë është te koka
Trungu prej lisi.

Hej, vend!
Plot diell e pa dritë!
Pagan dhe fron për perënditë! 
Jetojmë nër male të lartë,
Ku qlellln me dorë mund të zëmë 
Dhe prapë:
Në ç'humnera kemi rënë!

Hej, vend!
Që ngjyrat e Jonit,
Erërat e portokallit me lule 
Mbyll
Në një vorbë fasule.
Dhe ndihesh
I pasur në varfërinë tënde 
I lirë në robërinë tënde...

Hej, vend,
Që prej dhimbjes po më bën të çmendem.

 

Margaritë Moj

 

... Shoqja ime, moj
me dy sy si nata të mëdhenj, të zez, 
me bukurinë tonë të virgjër 
vdekjen po ushqejmë

se kjo tokë ka ftohtë
mardhi
e ka ngrirë
Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri,
Futemi nën dhè porsi rrënjë ëndrrash,
Që të vijë pranvera,që të vijë behari,
Toka përmbi ne e balta të shkrijë, 
Ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari.
Dashuria jonë
Me dy sy si nata çuditërisht të zez,
Nga plumbat armike prerë mes për mes
Dashuri e lindur,
Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare.
Dashuri tragjike
Për botën e madhe.

Margaritë, moj
Motra ime, moj,
Shoqja ime, moj.

(Këto vargje i kushtohen heroinës së popullit Margarita Tutulani, që së bashku me të vëllanë u pushkatuan nga pushtuesit fashistë.)

 

 Çast Buzë Jonit

 

Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin - si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh...
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.

 

Atdheu

 

Atdheu është dhimbje, është dhimbje. 
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban - dhe të mban ty - në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s'e ke ndën këmbë
Atdheu s'ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop 
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur 
me sytë n'errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr. 
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind. 
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë 
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.

------------------------------------------
Poezia Atdheu ka katër katrena dhe një distik të pavarur në fund. Struktura e saj e veçantë është në lidhje me tendosjen emozionale, që e bën fare të ndryshme këtë poezi nga ajo pjesë që emërohet si lirikë atdhedashurie. Të gjashtëmbëdhjetë vargjet e katrenave sistemohen si njësi të mbyllura, të pavarura, që përfundojnë me pikë, të cilën e imponon goditja shpirtërore dhe intelektuale e poetit në ballafaqim me gjendjen e atdheut. Secili varg s'ka nevojë për atë që pason dhe megjithatë ata pasojnë njëri-tjetrin si goditjet që pëson nga realiteti poeti. Brenda secilës goditje ndjehet e ngjeshur si përzierje shija e hidhur dhe e ëmbël që reflekton Atdheu, ledhatimi dhe kafshimi, nëma dhe urata bashkë, përgjërimi dhe revolta, dënimi dhe shpërblimi përherë i ndërsjelltë. Përmes vargjeve të kësaj poezie arrihet identifikimi i fuqishëm i brendshëm i poetit dhe i Atdheut: Atdheu është kryqi që e mban dhe të mban mbërthyer; Eshtë hyjnori Atdhe dhe Atdheu varr i hapur. Deri kur kështu? është klithma e fuqishme e të kryqëzuarit, poetit atdhedashës.

Ora 11:12
Poezia e Fatos Arapit i kapërcen dimensionet e Shqipërisë, është e nivelit evropian

Fatos Arapi është i biri i Tol Stavre Arapit, një intelektual i njohur, një atdhetar, i cili në 1914 botoi në 20 faqe poemën “Kuçedra”, si dhe la në dorëshkrim librin me publicistikë “Që të bëhet Shqipëria” (u botua në 1996). Fatosi që në vitet ’60 qe një mjeshtër i spikatur dhe autoritativ i modernitetit të poezisë shqipe. Ai është një nga emrat e mëdhenj të letërsisë.

Poezia e tij i kapërcen dimensionet e Shqipërisë dhe është padyshim e nivelit evropian. 

Kam në bibliotekën time librin studimor “Këngë të moçme shqiptare”, botuar në 1986. Këtë libër Fatosi ma ka dhuruar në shtëpinë e mikut të përbashkët, piktorit të popullit Abdurrahim Buza në 11 nëntor 1986. Ky libër është studimi më serioz që është bërë ndonjëherë në shkencën shqiptare për një trashëgimi të pashembullt poetike siç është Eposi i Veriut.

Dhe Fatos Arapin asnjëherë nuk e bënë akademik.

Fatos Arapit nuk ia ka festuar kush datëlindjet e plota siç ishte 75 vjetori, 80 vjetori, 85 vjetori etj. Si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri të harrohet kaq mjerueshëm dhe kaq në mënyrë paradoksale nga politika? Nga ministrat e ashtuquajtur të Kulturës gjatë këtyre 26 vjetëve?

Në të vërtetë Fatos Arapi nuk ka nevojë për asnjë ceremoni groteske dhe për asnjë nderim shtetëror. Duke qenë një nga krijuesit më të talentuar të kohërave moderne, ai ka vendin e tij të parrëzueshëm dot në letërsinë shqipe.

Dhe kjo jo për të tingëlluar thjesht ngushëlluese, është plotësisht e vetëmjaftueshme. Deri në amshim. Duke e përmendur emrin e Fatos Arapit për të prekur nervin e opinionit publik, unë nuk bëj gjë tjetër veçse i shërbej një të vërtete, duke dashur që të ndryshoj raportin e mbrapshtë, mjeran, të politikës ndaj kulturës. Ata që kanë sy, do të shikojnë. Ata qe kane vesh do te degjojne. 

Fatos Arapi hyn te poetët më të mëdhenj modernë të poezisë së Shqipërisë. Ai së bashku me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin bënë ndryshimin më të rëndësishëm konceptual të poezisë shqipe që nga koha e Migjenit të madh.

Kështu në vitet ’60 të këtij shekulli poezia shqipe përjetoi një nga kulmet më të ndritshme të modernitetit të saj, që nuk kishte të bënte vetëm me sistemin e brendshëm figurativ stilistik dhe veçanërisht metaforik, sesa – dhe kjo është më e madhja dhe s’duhet harruar asnjëherë – me dimensionimin për herë të parë të poezisë shqipe me poezinë më të shquar botërore. Këtë gjë e kish bërë dikur De Rada me Naim Frashërin, Serembe, Lasgush Poradeci, Mjeda dhe Migjeni. Por atë që bëri brezi i talentuar i viteve ’60 duhet ta vlerësojmë jo vetëm kronologjikisht, sepse cilësia nuk është thjesht një tregues i kronologjisë. Cilësia e madhe e poezisë e kapërcen dhe nuk e përfill kronologjinë.

Fatos Arapi është poeti i përsiatjeve të thella meditative. Ai solli risi që nuk ishin më parë në poezinë dhe poetikën shqiptare. Këto gjëra ai nuk i solli rastësisht.  Në raport me Kadarenë dhe Agollin, Arapi ka botuar më pak. Ai i ka kushtuar më tepër rëndësi poezisë në vetvete. Midis dy poetëve bashkëkohorë, të cilët bënë epokë në letërsi, Arapi u shfaq në dukje disi më i ndrojtur, por në thellësi po aq ambicioz sa dy të parët. Ai nuk ka gëzuar vlerësimet sipërore të kritikës, por për një lexues të mençur, që ka kujdes të posaçëm për të vlerësuar letërsinë, poezia moderne e Fatos Arapit është një poezi kaq e veçantë, kaq rinore dhe moderne sa herë-herë të krijohet përshtypja se jo vetëm që nuk është më i madh në moshë se Kadareja dhe Agolli, por ndoshta ka lindur një 10-vjeçar më vonë se ata. Ky sens, ky atribut i një rinie poetike është ndoshta më i çuditshmi dhe më tipiku për Fatos Arapin. Ai që në fillim qe më afër modernitetit dhe prirjeve bashkëkohore mediative të poezisë së emancipuar shqipe. Ai ka ndikuar në disa kuptime më shumë në një ndërlidhje të poezisë cilësore. Ndoshta këtu kritika mund të vinte më mirë dhe si duhet theksin. Ndoshta këtë kritika do ta bëjë në të ardhmen.

Nuk kam ndërmend të përcaktoj vendin që zë Fatos Arapi në mozaikun letrar të Shqipërisë. Ai është i spikatshëm dhe i qartë, me gjithë ndërlikimet dhe herë-herë metaforat hermetike të tij. Ai është kërkues dhe i shqetësuar, ai është vetvetja, sepse flet për herë për veten, por jo si njeri i vetëm, por si tërësi e njohjeve, ngacmimeve, mbresave fantazive. Fatos Arapi reflekton epokën në mënyrën e tij, eposi i përgjakur i luftës është zanafillë e madhe, por nuk mungojnë zhgënjimet, ai pikturon peizazhet detare, pendohet që nuk i ndenji nënës pranë në çastin e vdekjes.

Në muzeun e fjalës krijon një cikël epitafesh poetike për të rënët, bisedon me të vdekurit, sikur edhe vetë është i vdekur, duke qenë së bashku të gjallë.

Ajo që dua të theksoj është tragjikja e dashurisë së tij. Poezitë e tij të dashurisë janë klithma dhimbjeje. Përherë është i etur me një Poezitë e fundit të Arapit kanë ngjyra të errëta si poezitë ekzistenciale të Migjenit. Ai e di se koha shterpë gjoja është shtatzënë me Prometejtë, njeh ambiguitetin e shoqërisë, kultin e neveritshëm të parasë, kërkon moralin që nuk e gjen.

Poeti mediton i mbështetur tek Ura Mirabo e Apolinerit në Paris, apo kërkon të takojë hijen e Robert Desnosë, por mbi të gjitha, ai martirizohet nga imazhet e Shqipërisë. Pak a shumë, ky është mjedisi i poezive të kohëve të fundit të Fatos Arapit.

Fatos Arapi nuk është vetëm poet. Ai ka shkruar prozë, është marrë me drama, me përkthime dhe sidomos me studime mbi folklorin shqiptar, madje dhe me analizat politike të çështjes shqiptare. 

Ai ka bërë diçka origjinale, që të tjerët nuk mund ta bëjnë dot. S’është hera e parë që poetë të rëndësishëm duket sikur harrohen. Por në të vërtetë asnjëherë nuk harrohen. Në të kundërt, shumë shkrimtarë mediokër janë subjekte të bujshme të publicitetit dhe befas, domosdoshmërisht pëlcasin dhe zhduken si flluska në erë.

Fatos Arapi është lidhur ngushtë me kulturën shqiptare. Ai nuk është në sipërfaqe, por në thelbin e saj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 12/10/2018 09:34

    NGUSHLLIME FAMILJAREVE,FAREFISIT,MIQEVE,LEXUESVE TE SHUMET DHE GJITHE SHQIPTAREVE,PER NDARJEN E FATOSIT NGA NE.FATOSIN E KEMI NE VEPRAT QE NA LA PER NE DHE BREZET QE VIJNE NE VAZHDIMESI NE KETE TOKE SHQIPTARE.FATOSI ISHTE IDENTITETI SHPIRTEROR SHQIPTAR.

    Përgjigju
  • alban borshi: 11/10/2018 23:29

    Perulje dhe nderim profesorit te ekonomise politike dhe poetit lirik, qe sfidoi te gjitha koherat me ADN-ne autentike .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja