Gjykata e Krimeve të Rënda ka vijuar sot gjyqin kundër Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për grup të strukturuar kriminal. Në seancën e sotme, avokati i Gilmando Danit dhe Endrit Zelës i kërkoi Gjykatës të kërkojë si provë të dhënat nga sistemi TIMS për hyrje-daljet e Ylvi Beqjes në nëntor-dhjetor 2014.

Sipas avokatit, në 5 raste Ylvi Beqja dhe Dani apo Zela kanë lëvruar çeqe në shuma të konsiderueshme nga llogaria e "Saudi Brother". Po sipas pretendimeve të avokatit mbrojtës të Danit, biznesmeni në të njëjtën ditë ka dalë nga Shqipëria drejt Malit të Zi ose Italisë. Avokati pretendon se Beqja ka dërguar paratë cash jashtë vendit për llogari të veprimtarive të tij të jashtëligjshme. 

Por kjo kërkesë e palës mbrojtëse u rrëzua nga gjykata. Gjithashtu, trupa gjykuese rrëzoi edhe kërkesën për dërgimin e një letërporosie në Malin e Zi për pasuritë e Ylvi Beqjes në këtë vend.