U zhvillua sot gjyqi kundër Emilano Shullazit me shokë, ku në sallën e gjyqit ndodhej dhe dëshmitari, biznesmeni Ylvi Beqja.
Të pandehurit kanë pretenduar se dy procesverbalet e marrjes në pyetje të Ylvi Beqajt janë falsifikuar.
Shullazi me shokë deklaruan se 2 procesverbalet kanë të njëjtën datë dhe të njëjtën orë dhe disa thënie janë të kundërta.
Duke akuzuar 2 prokurorët e çështjes për falsifikim dokumentash, grupi Shullazi paraqet kallzim penal kundër tyre.
Të pandehurit kanë kërkuar pezullimin e gjykimit ndaj tyre deri në sqarimin e plotë të pozicionit të dy prokurorëve. Ata e kanë paraqitur si rast precedenti një vendim të Gjykatës së Lartë për çështjen “Grori”.
Trupi gjykues pranoi që kallëzimi të depozitohet në Prokurori.
Pritet që tashmë të nisë dëshminë dëshmitari, biznesmeni Ylvi Beqja.
Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela, Blerim Shullazi u arrestuan 1 vit më parë me dyshimin se kërcënuan me jetë Mynyr Konin e Dhori Kulen për t'u tërhequr nga gara për Rektor në Universitetin e Tiranës.
Pas ndalimit të tyre Prokuroria zgjeroi hetimet për një sërë veprash penale përfshi dhe kërcënimin e biznesmenit Ylvi Beqaj i cili është dëshmitar në gjyq.
(d.b/Shqiptarja.com)