Shullazi në Gjykatë: Ylvi Beqja
gënjen, më premtoi 1.4 mln euro

“Ylvi Beqaj më erdhi tek shtëpia, më tha dua të më ndihmosh, ai donte të ndërmjetësoja me palën tjetër që ishte Zanmir Hasa.

Ai gjyqet herë i fitonte dhe herë i humbte, ramë dakord nëse do merrte Vollgën unë do merrja 1.4 milion euro nga shitja. Pastaj bëmë një kontratë tjetër që do merrja 10 % kur ta regjistronte, por ndërkohë vlera e ish hotel Vollgës po binte”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së dhënë përballë gjykatës së Krimeve të Rënda nga Emiljano Shullazi, i pandehuri kryesor i këtij procesi gjyqësor.

Sipas Shullazit vendimi gjyqësor e pengonte Ylvi Beqjan të shiste Vollgën dhe për këtë arsye ai ka bërë me të kontratë dhurimi për 700 m2. “E firmosëm kontratën e dhurimit tek noteri në Durrës, më puthi 7 herë në faqe dhe u ndamë dhe s’kishim asnjë konflikt”- u shpreh Shullazi. Ky i fundit ka shtuar se i ka dërguar dhe një sms gjyqtares Fatmira Hadjari kur çështja e ish hotel Vollgës ka shkuar në apel.

"Ylvi Beqaj më tha kur shkoi çështja në apel se Fatmira na prish punë, i kam dërguar Fatmirës një sms nga numri i Gilmando Danit dhe ajo mu përgjigj nuk e mbaj mend ca i kam shkrujt, se ç’më është përgjigjur Fatmira e keni aty në dosje”, tha Shullazi. I pyetur për kërcënimet e rektorëve Shullazi ka mohuar ti ketë kërcënuar ata dhe ka deklaruar se “jo që si kam kërcënuar po as i njoh, e skam nga ti njoh pasi skam bërë as shkollën e lartë, kush pretendon se kam kërcënuar Rektorët të vij ta deklaroj në gjyq”.

Ndërsa për kërcënimet e biznesmenit Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke deklaruar se s’ka kërcënuar askënd po ka takuar vetëm pak minuta Jani Zakën pasi Fatmir Sinani dhe Zaka kishin probleme mes tyre për para të humbura në lloto. Ndalur tek biznesmeni nga Lushnja Shullazi është shprehur se për herë të parë atë e ka parë si person në sallën e gjyqit.

Shqiptarja.com zbardh të plotë dëshminë e Emiljano Shullazit ku mund ta lexoni”

Dëshmia e Shullazit

Prokuroria:
Cila është marrëdhënia juaj me Ylvi Beqjan, si jeni njohur?

Emiljano Shullazi: Në vitin 2011, në qershor e kam takuar. Shiko ai ka jetuar në lagjen time e njihja pak po jo ndonjë njohje të madhe. Nëpërmjet një tjetër komshiu erdhi e më takoi, kishte disa probleme me disa çuna për arsye prone. Mu prezantua që punonte në Gjenevë, a ku di unë. Më kërkoi ndihmë që të ndërhyja për një pronë.

Më tha kur të bëj pallatin aty, do të të jap tre hyrje. Me pak fjalë tre apartamente por mua mu dukën shumë pak dhe nuk kemi rënë dakord. Më pas në vitin 2014, më merr sërish ky komshiu në telefon, sepse ishte në Gjermani dhe më thotë se do vish të të takoj Ylvi Beqja. Fola më këtë dhe më tha më mban mend mua, po i thash dhe lam një takim.

U takuam në një makinë, ishim para shtëpisë sime. Ka qenë fillim Maji dhe në atë takim më kërkoi bashkëpunim. I thash mora vesh që nuk ke më të drejt te kjo prona. Më pas kam takuar edhe avokatin e tij ai më tha që nuk ka të drejta. Ndihma që donte kishte të bënte me një kontratë që kishte bërë nipi i tij.

Prokuroria: Çfarë ndihme ju kërkoi?
Emiljano Shullazi: Kishte kërcënime, donte që të bëja rolin e ndërmjetësit.
Prokuroria: Çfarë më konkretisht?
Emiljano Shullazi: Dhe sa për faktin që Ylviu ka thënë se nuk ia ka iden e armëve dua të them në vitet 1997-1998 ka pasur polici private dhe vinte në lagje bënte si i fortë. Ai më erdhi në derë dhe më tha që dorëzohem nuk merrem më gjykatën, kam harxhuar shumë nga këto gjyqe. Më tha se do të fitosh 1 milion e 400 mijë euro për këtë punë. Me këto gjykatat merrej vetë Ylviu...

Prokuroria: Domethënë ratë dakord?
Emiljano Shullazi: Më thotë që unë kam paguar shumë për këtë gjyqin, pyet edhe Neshatin (I referohet Neshat Fanës, avokatit të të Ylvi Beqjas.) Më pas kam takuar edhe Neshatin, ndërsa Ylviu më tha që kur të kem këtë pronë do fitosh kaq, por dua ndihmë se jam në pikë të hallit. Ndërkohë që ishin dy gjyqe paralele për të njëjtën pronë.

Një gjyq ishte me shoqërinë dhe një me personin. Prona ishte kaluar në emër të shoqërisë dhe jo të personit. Në shkallën e parë e kishte fituar shoqëria, ai erdhi dhe më tha që shpejt të bëjmë diçka që të marrim apelin. Por gjyqin në Apel e fitoj Zamiri, ndërsa Ylviu e fitoi hotelin vetëm me një firmë se kështu vendi është këtu, vend burokratik, domethënë kështu ka qenë se se di si është tani.

Prokuroria: Ti lëmë këto tani...
Emiljanio Shullazi: Si ti lëmë, për çfarë e solle drejtorin Hipotekës atëherë?
Gjykatësi: Më konkretisht çfarë veprimesh keni kryer?
Prokuroria: Si ratë dakord për kontratën, domethënë pse shkuat aty te ajo notere?
Emiljano Shullazi: Unë kam shkuar aty ku më tha Ylviu, atë e njihte avokati i Ylviut, Roland Samarxhi.

Prokuroria: Si u realizua kontrata?
Emiljano Shullazi: Unë se di farë, unë për vete pash vetëm sa do fitoja. Ylviu më drejtoi kontratën dhe më tha ja kaq do të fitosh dhe unë nuk e kam lexuar se mendova s’ishte e nevojshme ne rrinim gjithë kohën bashkë, plus që ajo që më interesonte mua fitimi sa do fitoja, pjesa tjetër as më interesonte. Po si doli më vonë ashtu si ishte ajo kontratë, po ta kisha parë nuk do ta pranoja.

Prokuroria: Pse?
Emiljano Shullzi:Po sepse ishte lënë që unë të merrja më shumë dhe ashtu si ishte kontrata, ishte ndryshe.
Prokuroria: Si përfunduat te noterja tjetër te Aida?
Emiljano Shullazi: A ta vazhdoj me radhë?
Gjykatësi: Nuk është deklaratë është marrje në pyetje, s’mund të vazhdosh më radhë.

Emiljano Shullazi:Kanë ndodhur shumë gjëra këtë përiudhë për të cilën po flas, ndërsa ajo (I referohet prokurores së çështjes) më thotë hidhu nga këtu atje.

Prokuroria: Duhet ti përgjigjeni pyetjes.
Emiljano Shullazi: Filluan të dilnin këto problemet më gjyqin dhe çmimi i pronës filloi të binte. Ylviu më tha që duhet të tjetërsojmë pronën, ta heqim nga shoqëria, sepse nëse kështu duheshin procedurat që unë të merrja pjesën time. Mua kjo më interesonte. Më thoshte që e kam të shitur pronën sa të rregullohen këto punë. Jo e kam të shitur te Behxhet Pacolli e kështu gjërash. Në 1 tetor ka shkuar Gilmando me një çunë tjetër dhe ka çuar policinë private të hoteli, aty e kishte edhe Zamiri dhe doli ky muhabeti që duhej të përzinim edhe policinë private.

Prokuroria: Po në lidhje me gjyqin, çfarë veprimesh ke kryer ti?
Emiljano Shullzi: Me gjyqet merrej vetë ai, por më ka dhënë numrin e Fatmira Hajdarit, më tha që ajo po na prishte punë për gjyqin, po na rrezikonte pronën. Edhe pse më vonë doli se ishte dikush tjetër. I kam çuar mesazh dhe ajo ma ka kthyer.

Prokuroria: Çfarë i keni shkruar?
Emiljano Shullazi: Nuk e mbaj mend, tekstin e ka shkruar Ylviu, ndërsa mesazhin e kam çuar me numrin e Gilmandos.
Prokuroria: Pas këtij mesazhi dha dorëheqjen?
Emiljano Shillazi: Nuk e di.

Prokuroria: Nga nënashkrimi i kontratës dhe deri gjatë kohës që ishit bashkë keni vënë re që të kërcënohej Ylvi Beqja?
Emiljano Shullazi: Gjatë kohës që ka qenë me mua, jo, nuk është kërcënuar. Plus që ai gjatë gjithë kohës vetëm fliste, thoshte 100 gjëra në ditë dhe vetëm gënjente. Sipas tij ai i kishte dhënë lekët e tija shoqërisë ndërsa nga ana tjetër më thoshte që të prishim kontratën. Ndërsa nga ana tjetër filloj të binte pazari i pronës, ne e pamë që ajo pronë nuk vlente më, çmimi ra shumë.

Prokuroria: E keni kërcënuar Ylvi Beqjan?
Emiljano Shullazi: S’kisha pse, unë pas regjistrimit të pronës i kisha dhënë 100 mijë euro, i kam marrë borxha të një miku im dhe ia kam dhënë. Kemi qenë te dy kullat dhe aty vjen Shyqyri Duraku më ka dhënë një sasi monetare dhe unë ia kam dhënë Ylviut.

Prokuroria: Nga ky moment e në vazhdim si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Emiljano Shullazi: Marrëdhëniet kanë qenë të mira, ai më rrinte gjithë kohën në shtëpi.E di shumë mirë ti që kanë qenë të mira (I drejtohet prokurores së çështjes)...

Prokurorja: Këtu po flisni për të gjithë, mos mu drejtoni vetëm mua ...
Gjykatësi: Të lutem tani, të rrimë brenda rregullave...
Emiljano Shullazi: Ndërsa kur humbi apelin, Ylviu më tha që do të vriste veten.
Prokuroria: Si arritët deri të kontrata e dytë?

Emiljano Shullazi: Pasi ndodhën ato problematikat me gjyqet,pronës po i binte çmimi, unë isha brenda 100 mijë euro nga borxhi që i kisha dhënë dhe i thash që duhet të rregulloheshim.

Prokuroria: Kishit dijeni për tjetërsimin e pronës?
Emiljano Shullazi: Po kisha.
Prokuroria: Po në lidhje me kërcënimin te noterja, çfarë mund të thoni?
Emiljano Shullazi: Çfarë të them unë për këtë, ai gënjen. Unë nuk kisha arsye sepse ne ishim rregulluar për punën e lekëve, nga 700 metër katror që kisha të hoteli, mora edhe 50 për 100 mijë euroshin dhe u rregulluam.
Prokuroria: Kush ishte te noterja atë ditë?

Emiljano Shullazi: Ylviu ka qenë duke më pritur vetëm aty te noterja. Më shpjegoi se ku ishte vendi, më tha se ishte para gjykatës dhe se ishte e thjesht për ta gjetur. Unë shkova me Gilmandon me makinë, ndërkohë që Gilmando priste në makinë unë dhe Ylviu që po më priste te trotuari shkuam te noterja.

Prokuroria: Në lidhje me dëshminë e Ylvi Beqjas, i cili ka thënë se atë ditë e keni kërcënuar, çfarë thoni?

Emiljano Shullazi: Ça të them, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai më puthi 7 herë në faqe kur iku dhe marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë deri në momentin që unë jam arrestuar. E di ti këtë, mos bëj sikur nuk e kupton (I drejtohet prokurores së çështjes). Ne kemi shkuar tre herë te noterja për arsye të kontratës, Ndërsa unë çertefikatën e kam marrë në 5 apo 15 dhjetor, nuk e mbaj mend mirë, por kujtoj që ishte dhjetor.

Prokuroria: Ti ktheu lekët e borxhit?
Emiljano Shullazi: Më kupton kur të flas,u likujduam me pronën. Unë kisha si fillim 700 metër katror mora edhe 50 të tjera për të shlyer borxhin.
Prokuroria: Ke dijeni për lekët që i kaluan Gilmando Danit, Qyqes dhe Zelës?

Emiljano Shullzai: Shiko, Ylviu e kishte kështu si hobi të falte makina. Shiko njërin dhe jep makinë, shiko tjetërin dhe fal makinë. Ndërsa Gilmando i kërkoi, i tha, do më dhurosh ndonjë makinë dhe Ylvi tha që kur të shkoj në Gjermani do të të blej një makinë, kjo për Gilmandon. Për çekun ndaj Qyqes, ato lekë ishin për regjistrim dhe këto proceduarat që duheshin kryer për pronën. Ai më tha se të gjitha do ti paguante ai dhe firmosi këtë çekun me 16 mijë euro ose sa bëjnë me lekët tona, 23 milionë. Për pagësën e Zelës nuk e di fare.

Prokuroria: E ke kërcënuar Ylvi Beqjan?
Emiljano Shullazi: Jo nuk e kam kërcënuar, nuk ka pse të ndodhi. Ylviu shihte kërcënime ku do dhe çdo gjë. Nëse nuk i plotësoje diçka i thoshte që me siguri e kanë kërcënuar që nuk pranoi. A se më pyete se kush ka dijeni për marrëveshjen me Ylvi Beqjan, ka pasur edhe Sinan Topi.

Prokuroria: E njihni Sinan Topin?
Emiljano Shullazi: E kam takuar dy herë. Te toka e tij do të ndërtohej ajo vila në fillim.
Prokuroria: Pra ju po thoni se nuk ka pasur asnjë kërcënim...
Emiljano Shullazi( Prokurores): Ju pse u tërhoqët nga Luan Leka?
Prokurorja: Të lutem tani, je këtu që të pyetesh jo të më pyesësh mua.

Emiljano Shullazi: Kishte lidhje me Ylviun ishte dëshmitar...
Prokuroria: Gjatë kësaj kohe që kanë ndodhur këto situata, keni pasur numër telefoni?
Emiljano Shullazi: Unë nuk kam pasur numër, kam pas kontaktuar me numrin e Gilmandos.
Prokuroria: E njihni Jani Zakën?
Emiljano Shullazi: E kam komshi, por e kam njohur vonë.

Prokuroria: Në lidhje me deklaratën se e keni kërcënuar, çfarë mund të thoni?
Emiljano Shullazi: Fatmir Sinani ka humbur lekë në loton e Zakës dhe la peng garazhin. Sipas asaj që më tha Sinanai do të ndërtonte një pallat dhe më kërkoj që të futesha ndërmjetës pëtr atë te Zaka dhe ti thosha që të lironte garazhin dhe kur të ndërtonte ky pallatin ti jepte hyrje aty.

Prokuroria: E keni takuar Zakën?
Emiljano Shullazi: Po e kam takuar. E pyeta për Fatmirin, por ai më tha që kam mbaruar punë me të në noteri, e kam marrë me noteri garazhin më tha. Unë nuk e dija sepse Fatmiri më tha që e kishte lënë peng, gjithësesi i thash që takoje njëherë atë që ti thoshte për atë që më tha, ai më tha ok dhe kaq. 5 minuta takim ishte.

Prokuroria: E di Gilmando Dani për takimin?
Emiljano Shullazi: Jo fare, kam qenë me Blerimin kur e kam takuar dhe pas atij takimi nuk kemi biseduar më me të as në telefon dhe as ta kemi takuar. Në dijenin time as Blerimi nuk ka komunikuar.
Prokuroria: Po në lidhje me akuzat se keni kërcënuar profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni, çfarë keni për të thënë?

Avokati Shullazit: Më fal, vërtetë besoni te këto marëzi?
Gjyqtari: I keni kërcënuar?
Emiljano Shullazi: Unë nuk kam mbaruar shkollë të larë dhe as i njoh këta. Nuk e di si doli emri im aty, por unë nuk kam kërcënuar asnjë. Se si doli emri im në këtë gjë do ta tregojnë ata që do vijnë për të dëshmuar.

Prokuroria: Nga viti 2014 dhe deri në momentin e arrestimit,me çfarë mjeti keni lëvizur?
Emiljano Shullazi: Kam pasur një makinë që ishte në pronësi të një policie private. Ishte një benz i zi i vitit 1998 dhe me sa kujtoj me targa 277.
Prokuroria: Adriatik Kërçukun e njihni?

Emiljano Shullazi: Di që është nga Lushnja. E kam parë këtu në gjyq, nuk kam pasur kontakte më parë me të.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen