Vrasjet janë pjesë e përditshmërisë në shoqërinë e sotme në forma nga më të ndryshmet, e në njëfarë mënyre, të gjithë jemi vrasës dhe të vrarë. Në një situatë të tillë, ajo çfarë mund të na shpëtojë është komunikimi dhe një reflektim për një të ardhme më të mirë. Pikërisht këtë synon të sjellë shfaqja “Shumë pak vrasës” me regji nga Rozi Kostani dhe e bazuar mbi motivet e autorit Paul Portner me përkthim nga Maklena Nika.
“Është pritur mrekullisht mirë. Besoj i ka kaluar pritshmëritë e mia. Kjo vepër është në një stilistikë të veçantë, ndryshe nga dramaturgjia klasike. E thyen murin e katërt, e bën interaktiv publikun. Jemi përpjekur për ta sjellë te publiku me problematikat tona, pra për ta gjetur vrasësin brenda nesh. Të gjithë ne jemi vrasës dhe të vrarë gjithashtu. Por kur e kthen këtë në komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, zbulesa e këtij vrasësi bëhet më e lehtë dhe më interesante.”, thotë regjisorja Rozi Kostani.
Në shfaqje interpretojnë aktorët Ola Harizaj, Marin Orhanasi, Ervin Bejleri, Erli Fortuzi, Elona Mamo, Marsias Lila dhe Rudi Koçibelli, të cilët krijuan një atmosferë, ku misteri dhe e qeshura ndërthureshin natyrshëm, duke rrëmbyer duartrokitje të gjata.
“Është një komedi ndryshe nga të tjerat sepse aktori kryesor pas aktorëve në skenë është publiku. Ne luajmë me ta, ata janë pjesë e shfaqjes, dëshmitarë të asaj që ndodh këtu. Po ju zbuloj diçka: në skenë ndodh vërtet një vrasje dhe i mbetet publikut ta zbulojë dhe i mbetet publikut ta zbulojë se kush është.” , thotë aktori Ervin Bejleri.
“Unë kam bërë të gjithë llojet e karaktereve në teatër. Këtë karakter nuk e kisha bërë deri më sot dhe besoj që është mirëpritur. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht dhe është një specifikë e bukur, e vështirë dhe e veçantë. Ka një pjesë të dytë vepra, që ka bashkëbisedim me publikun dhe është pjesë shumë interesante.”, shprehet aktori Helidon Fino.
“Roli i Sofisë është një rol shumë i veçantë për mua. Sofia është një vajzë e re, lozonjare, por e cila fsheh të vërteta, që ju ftoj t’i zbuloni. Për ne publiku është shumë i rëndësishëm sidomos në këtë shfaqje. Përveçse është komedi dhe mund të kalojnë kohë duke qeshur dhe duke hequr hallet, mesazhi është një pikë shumë e rëndësishme. Kuptojmë shumë gjëra që fshihen brenda secilit.”, vëren aktorja Fabiana Proi.
“Është punë e madhe gati dy mujore, e kurorëzuar me sukses. Shfaqja ka një mesazh, gjithëpërfshirje, ndërveprim dhe me publikun, ndërthurje midis roleve të tyre.”, thotë Kliton Kapaj, drejtor i Qendrës së Artit në Elbasan.
Pas shfaqjes në teatrin “Skampa”, komedia do të shfaqet edhe në Teatrin Kombëtar në Tiranë, në Durrës, në Korçë, në Fier e qytete të tjera.
Komente










