Shurdhëria e 'analistëve' pas fiaskos së Lulzim Bashës me listat

Shurdhëria e 'analistëve' pas fiaskos së Lulzim Bashës me listat

E mbani mend kur Lulzim Basha shpalli si përzgjedhjen më të bujshme të kandidatëve për deputetë nga i ashtuquajturi proces dhe i ashtuquajturi komision “Nishani”?

Edhe pse forma dhe përmbajtja e atij procesi ishte absurde, nisi nga media e panele të shumta një lëvdim para kohe e pa fre i “demokracisë që po shpërthente” nga SHQUP-i, e kur në shkrime të ndryshme ngrinim pikëpyetje për procesin, thonin se sulmohet e paragjykohet PD.

Ja kemi ardhur sot në një pikë kur Lulzim Basha nuk ka pyetur as për proces, as për “referendum nga baza”, as për kritere e as për “prurje të reja”.

Në listat e qarqeve janë vënë thjesht kandidatura partiake, pra që gjithë këto vite kanë përkrahur aksionet e Lulzim Bashës nëpër panele.

Shembulli më i qartë është Mark Marku; ai tha publikisht se nuk do të kandidojë në zgjedhje, pasi ishte pjesë e komisionit “Nishani”, por më pas shkoi e u bë kreu i Lezhës.

Pas kësaj e ftuan në të gjithë televizionet e askush në panele nuk i bëri pyetjen, se përse e shkele si statutin e PD ashtu, dhe fjalën e dhënë për të mos u angazhuar.

Asnjë fjalë.

Ndërkaq, Basha nuk vuri as njerëzit më të votuar nga baza e as ata që i pëlqeu Komisioni.

Shembujt më pikantë janë Romeo Gurakuqi e Tritan Shehu. Gurakuqi ishte ndër më të votuarit në Shkodër dhe u largua, ndërsa Tritan Shehu, që ishte te më të pavotuarit në Gjirokastër, u dërgua si kandidat për deputet.

Thjesht Basha gjithçka nxori si “shpikje e rrotës”, duke e komplikuar deri në lodhje një proces që mund ta kishte thjeshtuar, e kishte lojë e falsitet.

Dhe sot askush nga të ashtuquajturit “analistë” nuk i kërkohet të paktën në logjikën më normale, mbajtjen e koherencës politike.

Ata që po e përkrahin thonë që Lulzim Basha po vendos kandidatë partiakë, pasi aq vota merr në filan qark e s’ka pse të sjellë prurje të tjera.

Po mirë, nëse Basha do të kandidonte thjesht njerëzit që i kanë bërë temena nëpër panele, përse bëri gjithë atë konfuzion?

Vërtetë lista nuk është përfunduar, por krerët e qarqeve tregojnë logjikën e kandidimit, thelbin e asaj që partia përfaqëson.

Ndërsa Edi Rama ka emëruar në qarqe kryesisht, ose ministra ose ish-ministra, do të thotë se ai del para zgjedhësve me atë fytyrë të 8 vjetëve në pushtet. Janë zgjedhësit që vendosin.

Kurse nga ana tjetër, një opozitë që do të propozohet si një risi për rrotacion, sjell një fytyrë ndryshe që kërkon një aleancë me shoqërinë, e jo thjesht njerëzit besnikë në selinë e partisë.

Po ja ta zëmë se Basha mendon se me Tritan Shehun në Gjirokastër, Grida Dumën në Rrogozhinë, Aldo Bumçin në Tiranë etj, thjesht PD merr votat e elektoratit të vet, duke i lënë tepricën për LSI-në?

Shumë mirë, por këtu nuk kemi me rrotacion, por me zgjedhje politike dhe njerëzore që njerëzit e bëjnë mirë dallimin, edhe pse nuk thërrasin nëpër emisione.

Rezumeja thelbësore e listave që po konfiguron Basha është se ai ka sjellë logjikën e 8 vjeçarit të tij në opozitë.

Një opozitë kaotike, që nuk ka pasur koherencë, nuk ka pasur kauza publike, por madje ka mbajtur krah anti-historik, siç ka ndodhur me reformën në drejtësi.

Është përplasur të paktën dy herë me Perëndimin, i cili e ka kërcënuar se do ta shpallë edhe organizatë e dhunshme: si  ë 2017 e 2019.

Një opozitë që disqet e përgjimeve të Prokurorisë për Durrësin e Dibrën i ruajti në sirtare dhe i përktheu në anglisht vetëm për t’i përdorur pas djegies së mandateve.

Një opozitë që në vend të një reformë zgjedhore, u rikthye tek logjika e numërimit të votave nga PD e PS.

Por asnjë nga këto zhvillime, nuk është analizuar nga zhurmëmëdhenjtë e paneleve të darkës.

Kurse tani për listat del e thonë se është “ekip i shkëlqyer”.

Po ky ekip nuk erdhi, thjesht ishte aty. Më shumë risi ka LSI-ja që ka marrë fëmijët e ish-gjykatësve e prokurorët që u rrëzuan nga vettingu, me shpresën se do të votohen politikisht nga ata që janë dëmtuar prej reformës në drejtësi.

Jo po nuk shahet opozita se ajo s’ka gjë në dorë, thonë. Po tani që s’ka gjë në dorë Luli, shiko se ç’bëri, habiti miletin me një llotari eleminimi alla Big Brother e në fund vendosi siç deshi. Imagjinoni se ç’do bëjë të marrë qeverinë, së bashku me Berishën dhe Metën…TemA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?