Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve të Shqipërisë Blendi Gonxhja ka kujtuar ngjarjet e 28 majit 1996, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare, kur opozita protestoi në Tiranë dhe protestuesit u dhunuan barbarisht nga policia dhe agjentë të Shërbimit Informativ Kombëtar, me urdhër të Sali Berishës.

Gjatë deklaratës së tij, Gonxhja e përshkroi episodin si një nga plagët më të rënda të asaj periudhe politike, duke thënë se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve mbetet ende e paharruar.

“Ishte një grup i përzier, civilësh dhe efektivësh, dhe të vjen keq kur përmend emrin e dy institucioneve si policia dhe Shërbimi Informativ Kombëtar. Në atë kohë nuk kishin asnjë lidhje me këto nocione. Është një plagë që ka zënë kore, por që shenja i duket ende. Është një plagë që është shëruar, por është plagë që do e mbartësh gjithë jetën me vete. Nuk është vetëm çështja e dhunës, sa brinjët të thyera, problemi ishte që ishte shumë e rëndë nga ana e shkeljes me këmbë të dinjitetit. Në Shqipëri nuk është kollaj të merresh zvarrë në atë lloj forme kur nuk ke bërë asgjë të gabuar. Shoferi i shefit të komisariatit numër 1 në atë kohë, ishte në krye të aksionit. Ai gjuante më fort se të gjithë, kishte të tjerë që ishin më keq. Unë pata fat se shkova në komisariatin 1. Fati, rastësia, mënyra se si ishte organizuar ai operacion, nuk dije se ku mund të përfundoje, në qelitë e SHIK-ut, apo në drejtorinë e Policisë Tiranë ku ishte një falangë e tmerrshme ku tërhiqeshin zvarrë nëpër korridore njerëzit para se të arrestoheshin, para se të merreshin në pyetje. Kanë qenë ditë të vështira, ajo ditë ka qenë e paharrueshme nga dhuna haptazi pa iu dridhur fare qerpiku në sytë e të gjithëve, gazetarëve, kamerave”,-u shpreh ai.

Sipas Gonxhes, dhuna nuk ishte vetëm fizike, por edhe morale dhe publike. Ai tha se protestuesit tërhiqeshin nga makinat, goditeshin me shufra dhe dërgoheshin në komisariate.

“Ishte surreale. Të nxirrnin njerëzit nga makina. Të godisnin me shufra, të çonin në komisariat. Nuk ndaje dot asnjë fletushkë”, deklaroi ai.

Autori i dhunës të pashembullt të 30 viteve më parë, Berisha, është ende sot i pranishëm në skenën politike, duke dominuar opozitën. Për këtë arsye, ministri Gonxhe tha se mazhoranca nuk mund t'i japë hapësirë të pakontrolluar Partisë Demokratike në punimet për reformën zgjedhore.

"Pala tjetër nuk luan njësoj, palët në mes, nuk merret vesh çfarë bëjnë. Na iku për shalësh administrata dhe kur kam vajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, ishin 1050 veta për t’u paguar, sepse 2 drejtorët para meje kishin hequr njëri 390 veta, tjetri 350 veta me fshesën e partisë së vogël. Nga ato që marrin 4% të votave, 5%, dhe duan 35% të drejtorave dhe volum të administratës. PS nuk ka ndërmend të lëshojë terren kur përballë ka një rrezikshmëri si kjo, shoqërore, kombëtare, politike që të rrezikojë që ky njeri i papërgjegjshëm që ne sot kemi rrugëve duke djegur institucionet, ky mund ta çojë Shqipërinë prapa 30 vjet",- tha Gonxhe.

Sipas Gonxhes, protesta e 28 majit 1996 dhe reagimi i forcave të rendit ndaj saj mbeten një episod i errët i tranzicionit politik në Shqipëri.


Lajmi kryesor:

Dëshmitë për masakrën zgjedhore të 26 majit/ Koçi: U derdh gjak nga regjimi fashist i Berishës, si u rrëmbye Kiço Londo nga SHIK! Nesturi: Policia hiqte me dhunë komisionerët e PS (VIDEO)