Ish-ministri i Sportit Ylli Pango pritet të dëshmojë sot në GJKKO për ndryshimin e ligjit për “Sportin” që i hapi rrugë privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’. Në korrik 2008 shtohet “e drejta e privatizimit të terreneve sportive  nga ish pronarët” dhe madje lejohej edhe ndryshimi i destinacionit.

“Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni", thuhej në ndryshimin e ligjin e propozuar nga qeveria Berisha.

Pra kushti për të mos iu ndryshuar destinacioni terreneve sportive ishte vetëm për dhënien me koncesion, ndërsa ish pronarëve u lihej dorë e lirë.

Këto ndryshime u kundërshtuan ashpër nga opozita e kohës në vitin 2008, kur deputeti socialit Erion Braçe propozoi një amendim duke kërkuar që në ligj të specifikohej qartazi se edhe pas privatizimit, komplekseve sportive nuk mund t’iu ndryshohej destinacioni.

Berisha e kundërshtoi personalisht propozimin e Braçes duke thënë se nuk është përgjegjësi e qeverisë së tij se çfarë bëjnë pronarët në Tiranë, por se është përgjegjësi e bashkisë që në atë kohë drejtohej nga Edi Rama. Ndryshimi ligjor i kërkuar nga deputeti socialist nuk u miratua dhe neni 31 i Ligjit “Për Sportet” kaloi sipas formulimit të propozuar nga qeveria dhe hasi edhe kundërshtimin e deputetëve të tjerë, mes të cilëve edhe Ilir Meta si drejtues i LSI në opozitë.

Pjesë nga debatet në Kuvend

Erjon Braçe, deputet i PS: Ajo që më bën përshtypje është fakti tjetër, që fjalia mbyllet këtu: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë. Në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.” Pra kushtin që të mos ndryshojë destinacioni ju e futni në këtë nen vetëm për shoqëritë aksionere apo për klubet, dhe mirë bëni. Por ç’ndodh në rastin kur ka ish-pronarë? E mori pronën pronari, shumë mirë, ia dhatë këtë të drejtë, por pse nuk vendosni kushtin, që normalisht kjo pronë të mos tjetërsohet? Prandaj, zoti Kryeministër, thashë pak më parë që ky nen nuk ka lidhje me sportin. Ky nen ka lidhje me trojet dhe ky është një problem shumë i madh.

Pandeli Majko, deputet i PS: Pyetja, që të jetë më e shkoqur, zoti Kryeministër, është: A dilni garant ju, se pas këtij ndryshimi në terrenet sportive, nuk do të ndërtohen pallate? Po apo jo? Ky është shqetësimi. Nuk po diskutojmë këtu do të shkojë Çiljeta në Kinë apo jo.

Kryeministri Sali Berisha: Do të përgjigjem në mënyrë shumë të thjeshtë. Se çfarë do të bëjnë pronarët, të jesh i bindur që Qeveria ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të nderuar zotërinj, se çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia e Tiranës dhe pronari, jo Qeveria. Në fakt, ju e keni shënjestrën tjetërkund, jo tek unë. Është puna juaj.

Skënder Gjinushi deputet i PSD (duke ju drejtuar deputetëve të PD-së) : U kuptua nga nënteksti i shefit tuaj, i cili tha tani se nëse do të ndërtohet pallat apo jo, kjo varet edhe nga kryetari i bashkisë, apo nga kryetarët e bashkive. Ai e ka të qartë se ku ndodhen dhe cilat janë këto terrene, ku ia vlen të ndërtosh dhe ku jo, pastaj hyrjet i ndan Ndreka.

Ilir Meta deputet i LSI: Shpreh shqetësimin e thellë, jo vetëm kaq, por alarmin se ndoshta pas gjashtë muajsh apo një viti nuk do të kemi më terrene sportive dhe Zoti na ruajt të paktën stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, sepse duket qartë që një plan ogurzi është për të gjitha terrenet sportive, që kanë mbetur në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit tonë, ku, me sa duket, vlera e biznesit të ndërtimit është shumë e lartë. (I drejtohet Berishes). Ju edhe ato pak vepra sportive që kanë mbijetuar nga koha e diktaturës, tani, në marrëveshje të qartë me klanet e ndërtimit, duket se po jepni koncesione, ndoshta edhe në shkëmbim të Kodit të ri Zgjedhor.

Erjon Brace, deputet i PS: Më lejoni, zoti Kryeministër, t’ju them që në fjalinë e parë “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e trojeve, nëse ka të tillë” duhet vendosur patjetër kushti që të mos u ndryshojë destinacioni. Kjo është themelore për të garantuar ekzistencën e klubeve sportive dhe ushtrimin e sportit në këto objekte sportive në vijim. Unë nuk mund ta pranoj konceptin tuaj që ju nuk ndërhyni. Nuk është e vërtetë. Territorin nuk e qeverisin vetëm njësitë vendore, atë e qeverisni edhe ju dhe ju jeni kryetari i KRTRSH-së, jeni ju që, jo më larg se disa muaj më parë, keni ndryshuar me vendim të KRTRSH-së destinacionin e disa zonave sportive në Tiranë. Prandaj, do të ishte mirë që ju, personalisht, ta pranoni këtë kusht për ish-pronarët.


Lajmi kryesor:

Afera “Partizani”/ Sot në GJKKO ish-ministri Pango dhe ish-drejtoresha Shqevi! Si u ndryshua me urgjencë ligji që i hapi rrugë privatizimit, Berisha: Ambientet sportive t’u kalojnë pronarëve