Si do jetë Opozita më 3 Mars?!

Si do jetë Opozita më 3 Mars?!

Në një mesazh, që kryetari i opozitës Lulzim Basha ka shpërndarë sot për strukturat e tij, bën me dije se: “Duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura…”. Më pas i jepet Sekretarit të përgjithshëm tagri të sqarojë dhe se mesazhi duhet shpërndarë në struktura.

Është normale që Opozita të veprojë në këtë mënyrë dhe është e duhura madje. Është i drejtë gjithashtu konstatimi se: tashmë Reforma në Drejtësi ka hyrë në një hulli të rrezikshme dhe gabimet proceduriale janë evidente. Vetëm se për këtë tashmë janë përgjegjës të gjithë palët, madje qysh sa i ngritën të gjithë 140 kartonat të dorëzuar, para presionit të huaj.

Gjithsesi, për opozitën jashtë parlamentit, që është edhe opozita e vërtetë, 2 Marsi është një moment jo aq i lehtë. E para, lidhet me faktin se tashmë është një subjekt tjetër që merr përsipër një protestë, që megjithë motivin tejet demokratik, nuk i fsheh dot ambiciet e thella për t’u ricikluar në politikën, post presidencë. E dyta, kinse mbrojtja e institucioneve nuk është materia e zakonshme e saj, me ato anatema që u ka derdhur deri më tani.

Lulzim Bashës, si lider i opozitës tonë, tashmë i duhet të tregojë realisht jo thjesht forcën e tij, por vizionin e tij për të ardhmen, që tashmë e ka shpallur me Qeverinë kujdestare dhe zgjedhjet e parakohshme dhe sidomos ndarjen me Sali Berishën, hijen e të cilit nuk po e largon dot. Në fakt, për t’u futur në këtë negociatë të vështirë duhet me çdo kusht që të gjejë gjuhën me maxhorancën, që tashmë ka zbritur nga kurba e optimizmit dhe është futur në rrjedhën normale të gjithë qeverive shqiptare në mandatin e dytë. Ndaj, Basha duket se do ta shfrytëzojë sa më mirë këtë krizë qeveri-presidencë për interesat e veta, por kuptohet me pragmatizmin, që të mos duket si shumë afër Ramës, njeriu që e ka faktorizuar duke errësuar forcën reale të ish-kryeministrit Berisha.

Nga ana tjetër, Edi Rama vazhdon e bën udhëtimet në detyrimin normal si përfaqësues i presidencës së OSBE-së dhe mundohet të nxjerrë e të afirmojë dhe ndërkombëtarisht elokuencën e tij urbane, krejt i bindur me staturën e momentit që problematika e brendshme nuk ka se çfarë t’i bëjë. Madje, indiferenca me të cilën e ndjek tregon se është i velur realisht me politikën, pjesë e të cilës është edhe vetë, madje duke i dhënë jo pak dhe karakteristikat e veta cinike.

Veçse shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës e gjitha dhe kur shtohet edhe frika e një virusi vdekje-prurës, që po i rri si shpata e Demokleut botës, 2 Marsi 2020, megjithë kumtet e drejtësisë nga Presidenti, është një ditë që thjesht do t’i lerë vendin 3 Marsit e kështu me radhë me kronikën ditore mbushur me vrasje, me varfërinë dhe sidomos shqiptarët që ikin e ikin pa fund. Dhe, opozita jonë dihet mirë se këtë mjedis po e sodit sepse i intereson vetëm ajo që do të ndodhë në përplasjet e politikanëve të tjerë, që i ka luftuar, dhe në mundësinë që t’i mbetet pushteti në dorë.

Por, gjithsesi, një gjë dihet mirë: 3 Marsi do të gdhihet me bulevardin e pastër, që punonjësit e Velisë do e kenë pastruar menjëherë pas mitingut, ku politikanët e të gjithë krahëve do kenë filluar fushatën e tyre…dhe me asgjënë e plotë që do t’i dhurojë dhe kjo protestë, që kinse mban motivin e mbrojtjes së Gjykatës Kushtetuese.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 27/02/2020 14:38

    Me 3 Mars meta var ne oborr te presidences breket e Monikes te thahen... kurse Luli do shkoj te shurroj ne Lane

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Trazirat politike në botë mund të sjellin telashe për ekonominë globale në 2025', analiza e CNN: Ja ndikimi i presidentit Trump

'Trazirat politike në botë mund të sjellin telashe për ekonominë globale në 2025', analiza e CNN: Ja ndikimi i presidentit Trump