Dokumenti I propozuar nga qevria parashikon “një arkitekturë të vetme: shtatë aftësi, shtatë mekanizma, një funksion koordinues dhe një platformë publike”. Pranë zyrës së planifikimit strategjik në kryeministri do të funksionojë njësia ‘Besa’ e cila “koordinon standardet, lidh të dhënat dhe i paraqet qeverisë një panoramë të integruar”.
Ndërsa Flamingo Mirror do të jetë “ndërfaqja publike dygjuhëshe ku publikohen dosjet me interes të lartë publik: evidenca, dëgjesa, shpjegimi, afatet, zotimet dhe rezultatet, po ku ekspozohen edhe fakte e prova kundër dizinformimit e keqinformimit”.
Po ashtu do të ketë një Barometër Kombëtar të Besimit, “një instrument i pavarur matjeje, jo strukturë qeveritare dhe jo matje popullariteti. Metodologjia, kampioni dhe të dhënat e agreguara publikohen”. Ndërsa ‘Laboratori i Politikave Publike’ parashikohet të jetë “mënyra e pilotimit të reformave kur prova në shkallë të vogël është e mundur dhe e dobishme; nuk është institucion më vete”.
Në dokument shpjegohet se mekanizat që do të përdorë ‘Besa’ në pjesën më të madhe janë pjesë e ligjeve ekzistuese. “Ajo që ka munguar nuk është baza ligjore, po mënyra si e kemi lexuar. Pikërisht këtë kthesë bën Metoda BESA: i merr mekanizmat që ligji i ka dhe i vë të punojnë për besimin”.
Ja cilët janë 7 mekanizmat dhe objektivat e tyre
MEKANIZMI 1: Vlerësimi i Dëgjesës
Çdo reformë apo vendim me ndikim të rëndësishëm duhet të kuptohet përpara se të miratohet dhe prandaj, për çdo reformë a vendim të tillë hartohet një Vlerësim i Dëgjesës, i cili bëhet pjesë e detyrueshme e dosjes së vendimmarrjes.
MEKANIZMI 2: Dosja e Evidencës
Çdo vendim strategjik duhet të mbështetet mbi prova të verifikueshme, jo vetëm mbi bindje. Për çdo reformë a vendimmarrje me ndikim të veçantë hartohet një "Dosje e Evidencës", e cila shoqëron procesin e vendimmarrjes dhe publikohet bashkë me të.
MEKANIZMI 3: Memorandumi Shpjegues
Çdo reformë duhet të jetë jo vetëm e drejtë, por edhe e kuptueshme. Për çdo politikë me ndikim të gjerë hartohet një Memorandum Shpjegues, i cili publikohet paralelisht me vendimmarrjen
MEKANIZMI 4: Indeksi i Kujdesit
Çdo investim publik duhet të gjykohet jo vetëm nga ndërtimi, por edhe nga cilësia e mirëmbajtjes dhe e shërbimit që ofron me kalimin e kohës.
MEKANIZMI 5: Paneli i Performancës
Performanca e institucioneve duhet të matet nga rezultatet që prodhojnë dhe nga besimi që ndërtojnë
MEKANIZMI 6: Rishikimi Pas Veprimit
Çdo reformë, projekt apo politikë me ndikim të rëndësishëm duhet të kthehet në një mundësi për të mësuar. Pas përfundimit të çdo faze të rëndësishme të zbatimit zhvillohet një Rishikim Pas Veprimit.
MEKANIZMI 7: Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm
Qeverisja nuk duhet të kufizohet në administrimin e krizave. Ajo duhet të krijojë aftësinë për t'i dalluar dhe parandaluar ato përpara se të shpërthejnë.
Lajmi kryesor:
‘Besa’ e Ramës, Report Tv zbardh dokumentin: Brenda 90 ditësh, do vendosim bashkë për të ardhmen e projektit të Zvërnecit









