Zgjedhjet në Kukës nuk kanë pikë rëndësie edhe nëse do t'i fitonte kandidati i Berishës pasi tashmë Berisha, politikisht, është vetëm objekt i studimit historik.
Kukësi është një bashki periferike e cila nuk shërben si test për asgjë. I fundit kuksian politik që i thoshte diçka publikut shqiptar ishte Ibsen Elezi, i cili me revoltën e tij kundër traut të oligarkëve në Rrugën e Kombit, u tradhëtua nga të gjitha palët. Tani është punë llogarish dhe në llogari Rama i kreh të gjithë çfarë janë në opozitë.
Nëse shërben për diçka Kukësi, ka të bëjë me zhgënjimin e përsëritur të opozitës se Berisha po i shet asetet e fundit të kapitalit të tij politik, për punët e familjes.
Nuk mund të mohohet se para pothuaj dy vjetësh kur lëvizja e tij si reaksion i përjashtimit që i bëri Basha nga rradhët e PD, ngjalli shpresa në rradhët e demokratëve. Kjo shpresë nuk kishte lidhje me idenë që Berisha do të bëhej sërish kryeministër, pasi ai 30-40% që sot nuk e voton, nuk ishin aq dritëshkurtër sa të mendonin që me SHBA kundër, mund të bëhesh kryeministër në një vend të NATO-s. Por shumica e tyre mendonin se Berisha do bënte një akt kalorsiak: Do hapte partinë dhe do të lejonte konkurencën e lirë duke mbetur ai patriarku i demokratëve. Kjo ishte rruga që ai të rrinte në librin e zi të SHBA por të paktën në mendjen e demokratëve (jo të shqiptarëve) do t'i faleshin të gjitha të zezat dhe ai do mbahej mend për aktin e fundit. Është naive ta mendosh këtë me gjak të ftohtë, por politika është edhe çështje pasionesh dhe ata që merren me të e kanë këtë dobësi.
Në fakt ndodhi ajo që shumë mendje të ftohta e parashikonin. Berisha luftoi për veten e tij dhe atë kapital politik që i kishte mbetur ka vendosur ta shpenzojë për familjen. E kotë t'i thuash që nëse do ta shpenzonte për PD do t'i linte familjes dhe shqiptarëve një trashëgimi më të madhe se një kullë. E kotë pasi ai nuk e nxjerr dot tribunë nga vetja.
Ndaj nëse zgjedhjet e Kukësit kanë një vlerë, ajo është vetëm konfirmimi i faktit se Berisha është i mirë si pronar kompanie ndërtimi, por jo si politikan, pasi në variantin e parë shkëlqeu edhe në moshën 80-vjeçare, kurse si politikan nuk i la vendit asnjë trashëgimi për t’u mbajtur mend për mirë, edhe kur kishte mundësinë të bënte një akt që nuk i kushtonte asgjë. Ai zgjodhi të mbahej mend si autor i ‘97-ës, i 21 janarit 2011, si njeriu i krijimit të kulturës politike të shkatërrimit, ku në fund shkatërroi edhe partinë e tij.
Ore Dritan Hila, posi nuk pushove kurre ndaj Sali Berishes ! Shume patetik !
Përgjigju