TIRANE-  Vetëm 14 orë pasi kishte vrarë dy turistët çekë, Mikael Svatos 27 vjeç dhe të dashurën e tij Ana Kosinova 36 vjeçe, i riu Sokol Mjacaj është arrestuar nga agjentët e policisë, por shumë shpejt ai u ka ikur atyre. Dy agjentët civilë që e kanë ndaluar, kanë rënë pre e një rengu të kurdisur nga autori i vrasjes së dyfishtë, për të cilin policia gjatë atyre orëve kishte mobilizuar një pjesë të madhe të efektivëve të Shkodrës dhe repartet speciale, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Lajmi për arrestimin e Mjacaj dhe arratisjes së tij në sy të dy agjentëve civilë konfirmohet nga vendimi i Gjykatës së Shkodrës, e cila pak ditë më parë deklaroi fajtor Sokol Mjacaj për vrasjen e dy turistëve nga Çekia dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Sipas vendimit Mjacaj është arrestuar vetëm 14 orë pas kryerjes së krimit të dyfishtë, por ai u është prezatuar dy agjentëve që e kanë arrestuar me emrin Nikolin Kola. 

​Megjithëse kanë dyshuar për emrin e tij, dy agjentët e policisë së Shkodrës, i kanë kërkuar Mjacajt që t’u tregonte kartën e identitet. Në këtë kohë sërisht Mjacajt është treguar i ftohtë në përgjigje duke i pohuar agjentëve se e kishte në shtëpi kartën e indetitetit. Së bashku me Mjacaj, agjentët janë drejtuar në një shtëpia aty afër, por ai është larguar menjëherë dhe pas një dite është vetëdorëzuar tek forcat e policisë.