TIRANE - Kryetari i qeverisë shqiptare, pikërisht ai dhe jo ndonjë intelektual, gazetar apo politikan dosido i ndonjë partie të vogël, ka folur në një konferencë për sigurinë në Mynih të Gjermanisë për “albanofobinë”, duke e konsideruar atë një kërcënim serioz për stabilitetin e Ballkanit.
“Albanafobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë dhe në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në rajon”, citohet të këtë thënë kryeministri në fjalën e tij të mbajtur gjatë një seancë ku kanë qenë të pranishëm shtetarë të lartë dhe politikanë të njohur nga vendet fqinje me Shqipërinë, si Presidenti i Maqedonisë, Prsidenti i Kroacisë, Kryeministri i Malit të Zi, e të tjerë.
Paraqitja e “albanofobisë” në rangun e një rreziku rajonal është një gjë e re në agjendën politike të kryetarit të qeverisë shqiptare; sikurse është e pazakontë, për të mos thënë e panjohur në vendet e lira të dëgjosh burra shteti të flasin në këtë mënyrë për frikën dhe ndjenjat negative të të tjerëve ndaj bashkombasve të tyre.
Fraza “ albanofobia kërcënon seriozisht stabilitetin në rajon” është e fortë, e përshtatshme në rastin me të mirë për një konferencë me ngarkesa krize, çfarë nuk duket se ka qenë ajo për sigurinë në Mynih. Megjithatë, nuk ka pasur reagime me fjalë nga të pranishmit. Kjo tregon se alarmi i tij nuk është marrë seriozisht, ka tingëlluar si diçka e kërkuar, pa kontekst politik të qartë apo edhe si lajthitje, siç është raportuar nga korrespondentë të medias.
Por edhe në Tiranë njoftimi i rrezikut të ri për Ballkanin e meziterezitur falë investimit kolosal të SHBA-së dhe Europës, ka renë si një lloj rrufeje në një qiell jo aq të vërejtur. Natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare është e tillë që kur kryeministri vendos të shpallë publikisht një kërcënim për vendin e tij në një konferencë ndërkombëtare, presupozohet se kërcënimi në fjalë është ekspozuar e diskutuar gjerë e gjatë në vend, se është trajtuar me seriozitetin e duhur në rrugë diplomatike, se publiku vendas , pse jo dhe publiku i vendeve fqinje, është mjaftueshëm i informuar për faktet, motivet dhe përmasat e kërcënimit.
Nuk mund ta di a ka pasur një komunikim të diplomacisë shqiptare me Uashingtonin dhe Brukselin për këtë çështje. Por që publiku shqiptar nuk ka marrë informacion dhe për rrjedhim nuk e kupton mirë përse është fjala, këtë mund ta thotë kushdo që ndjek zhvillimet në Shqipëri, në rajon dhe me gjerë. Kur paska marrë albanofobia këto përmasa kaq të frikshme? Ku janë në veprim programet dhe programet e reja që duan të krijojnë pesë kombe të ndryshme nga brumi i shqiptarëve të shpërndarë në pesë shtete, siç tha kryeministri? Këtu nuk është dhe s’mund të jetë fjala për albanofobinë e vjetër, për atë që çoi në copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në vitin 1913. Këtë e dinë gjithë shqiptarët. Por ajo është tashmë një padrejtësi e korrigjuar në thelbin e saj me luftën historike të NATO-s dhe luftëtarëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb, me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës, me përparimin e statusit shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë , e tjerë. Politikanëve shqiptarë, sidomos atyre me peshë, nuk u shkon të flasin si qëmoti për albanofobinë e shekullit të kaluar, ndërkohë që shekulli i ri ka startuar dhe po vazhdon si shekulli i shqiptarëve. Kush është duke përfituar sot çfarë ka humbur e çfarë ka ëndërruar deri dje nuk ka pse ta mbajë kokën prapa.
Mund të flitet e duhet të flitet pa dyshim për trajtat e reja të albanofobisë, por me masë, me objektivitet, me shembuj konkretë, pa marrë yrysh kot, pa sensin e vetviktimizimit, pa populizëm, pa llogari politike meskine, me sensin e pastrimit të fushës nga paragjykimet dhe fobitë raciale, me dëshirën për përafrim dhe miqësi me fqinjët, duke nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet më të mira të popullit tënd. Një shoqëri e hapur siç është Shqipëria ka plot tribuna dhe institucione që mund të godasin, kur është nevoja, rastet e racizmit antishqiptar. Edhe në këtë rast, sipas mendimit tim, Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës u shkon të flasin vetëm kur shihet se albanofobia po u jep tonin qëndrimit dhe politikave zyrtare të vendeve të tjera ndaj shqiptarëve. Jo çdo gjë, jo çdo gjest mund të klasifikohet si shprehje albanofobie. Në historinë e tyre të gjatë të shkëmbimeve popujt dhe kombet krijojnë edhe klishe të ndryshme për njëri tjetrin. Nganjëherë edhe pexhorative. Sharlatanë politikë ka e do të ketë, rudimente të së kaluarës ka ende, por realisht kjo që po jetojmë është epoka e një ndryshimi dhe fqinjësie të mirë që nuk e kanë njohur shumë breza para nesh. Asnjëherë gjatë njëqind vjetëve të fundit shqiptarët, grekët, maqedonasit, malazezët, serbët dhe kroatët nuk kanë dhenë e nuk kanë marrë me njëri tjetrin si tani. Jemi akoma në fillesat e Ballkanit të ri, sigurisht, por ky është trendi, kjo është e ardhmja. Posaqë kemi zgjedhur të gjithë trenin e integrimit euroatllantik, “jemi dënuar” të jemi bashkudhëtarë, miq.
Cila është atëherë arsyeja e këtij shpërthimi të pazakontë të kryeministrit në Munih? Nëse është serjoze, një çështje aq e madhe si ajo që ngriti ai nuk mund të thuhet vetëm njëherë. Pra në ditët në vijim do të shohim nëse zoti Berisha do t’i rikthehet temës së albanofobisë duke sjellë në këtë rrafsh informacione dhe situata konkrete e të reja që mbështesin alarmin e tij. Me aq sa tha dhe ashtu si e paraqiti çështjen në konferencën e Munihut la përshtypjen se ishte më shumë një si replikë dhe kapriçio e tërthortë e tij ndaj paralajmërimeve konfidenciale dhe publike amerikane në lidhje me retorikën dhe idetë e tij nacionaliste të kohëve të fundit në funksion të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Berisha është i fiksuar të mos dorëzohet, kur i thonë stop për një gjë. Sidomos kur “stop”-i del në publik. Albanofobia ishte gjetja e tij për të përsëritur në një kontekst viktimizimi dhe rivendikimi tezën e tij të bashkimit kombëtar, duke trajtuar kësaj radhe këtë aspiratë legjitime të kombit shqiptar si një përgjigje ndaj atyre që po punojnë për të krijuar pesë kombe të ndryshëm nga i njëjti brumë shqiptar! Fakti që nuk na duan dhe frika se mos na tjetërsojnë marrin në këtë arsyetim statusin e motivit të bashkimit. Motiv më të dobët dhe më pa të ardhme nuk mund të ketë. Kontradiksionet që rrjedhin nga zberthimi i tij janë të shumta.
Nuk po merremi me to. Por ia vlen të nënvizojmë se në kushtet e sotme Bashkimi Kombëtar është një proces që shkon përpara si pjesë e agjendës evropiane dhe euroatlantike të Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor, se realizimi i tij nuk mund të mos jetë çështje ndërkombëtare, siç kanë qenë të gjitha zgjidhjet e mëdha të shekullit të ri për shqiptarët, se ky bashkim i celebruar nga partnerët tanë, pse jo dhe fqinjët tanë, do të vijë si investim i ri përfundimtar për paqen në Ballkan dhe Evropë; se bashkimi eventual do të përfshinte Shqipërinë dhe Kosovën dhe, në skenarin e shpërbërjes së republikës fqinjë të Lindjes, pjesën shqiptare të Maqedonisë, por do të ketë minoritete shqiptare në Serbi, Mal të Zi e gjetkë, siç ka minoritete në Shqipëri, pra nuk ka kuptim të flitet me tone rivendikuese për shqiptarë të coptuar në pesë shtete, se ka edhe serbë në tre- katër shtete, ka edhe rumunë, polakë apo hungarezë, pra nuk duhen konfonduar çështjet nacionale aty ku ekzistojnë me çështjen e minoriteteve.
Bashkimi kombëtar shqiptar i së bashkueshmes, posaqë shkon përpara si ide në epokën e integrimeve, do të vijë natyrshëm si shprehje e rritjes së respektit për shqiptarët si popull dhe e dinjitetit të Shqipërisë dhe Kosovës si shtete të pavarura. Në gjithë këtë kontekst dhe rrjedhë pozitive të kohës, rilindasit tanë dhe vetë themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali do tu këshillonin sot më shumë se kurrë politikanëve shqiptarë një sjellje zotërinjsh që i kontribuon miqësisë dhe paqes me fqinjët tanë të fatit dhe historisë. Kur më shumë se sot, me SHBA-në partner strategjik, me Evropën që na do pjesë të saj, me Kosovën shtet të pavarur?
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com