VIDEO-Si po respektohen rregullat e reja në tregje dhe teksa mbajmë radhën për shërbimet? (VËZHGIMI)

Qytetarët shqiptarë po nisin të mësohen me rregulalt e reja të dsistancimit social, ku në tregje e pranë bankave apo supermarketeve janë vendosur njolla me ngjyra në tokë që tregojnë se ku duhet të qëndrojnë qytetarët në largësi nga njëri-tjetri. Po ashtu, ky rregull është vendosur edhe për tregjet ku ndër të tjera, siç nisi dje në tregun e Kombiantit bëhet edhe dezinfektimi i qytetarëve. Në një vëzhgim që Report Tv bëri në disa qytete të Shqipërisë, situata duket më e përmirësuar megjithatë ka edhe nga ata që dalin pa autorizim pasi nuk kanë marrë konfirmimin me mesazh apo ne e-albania, por edhe të moshuar që nuk u lejohet të dalin nga banesa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:35
Qytetari 'ushtarak' me shami e syze në kokë, polici: Shpejt në banesë, shpejt! (VIDEO)

Në qytetin e Sarandës policia ka dalë në terren për të kontrolluar zbatimin e "lirisë me pikatore" dhe lëvizjes së qytetarëve me autorizim. Disa nga qytetarët thonë se kanë dërguar mesazh por nuk u ka ardhur aprovimi për të dalë. Në këto kushte efektivët i kanë kërkuar të futen menjëherë në banesë.

"Menjëherë në banesë. Shpejt në banesë, shpejt në banesë", i drejtohet policia qytetarëve.

Një qytetar është i veshur me veshje ushtarake ndërsa në kokë mban shami e syze. Edhe ai pas apelit të policisë, është detyruar të shkojë në banesë.

Ora 10:29
Fierakët mbushin rrugët, lëvizje të shumta në qytet, edhe pensionistët në radhë (VIDEO)

Duhej të ndodhte ndryshe, por Fieri ditët e fundit duket se ka humbur ndërgjegjësimin për situatën që po kalojmë. Sot rrugët kanë qenë mjaft të populluara dhe gjithashtu janë vënë re lëvizje të shumta të makinave.

Edhe pse policia ka bërë kontrolle të shumta sërish këto situata nuk janë shmangur. Siç shihet edhe nga videot shumë qytetarë ndalohen në rrugë për t'u pyetur për leje daljen, por fierakët duket se e kanë gjetur zgjidhjen.

Si rrjedhojë tregjet janë populluar dhe vihen re rastet kur nuk respektohen masat e sigurisë. Për më shumë te posta ka edhe pensionistë të cilët mbajnë radhën edhe pse atyre u është krijuar mundësia që pensionin ta marrin në shtëpi.

Ora 10:25
Në Lushnje 'gardh' policor për disiplinimin e qytetarëve në treg, ruhet distanca (VIDEO)

Kaosi dhe grumbullimet masive në tregjet ambulante të fruta-perimeve në Lushnje i është vënë fre. Që në orët e para të mëngjesit policia dhe forcat ushtarake kanë krijuar një gardh njerëzor për disiplinimin lëvizjeve në treg. Të gjithë qytetarëve u është kërkuar autorizimi, për ata që nuk e kanë pasur janë kthyer në shtëpi, duke u dhënë një "shans" të dytë nga policia të cilët nuk i kanë gjobitur. Ndërkohë, njëjtë si në Tiranë dhe Elbasan, edhe në Fier janë vendosur rrathët e verdhë që detyrojnë qytetarët që të ruajnë distancën një njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ashtu siç është urdhëruar më herët nga kreu i qeverisë, Edi Rama vijon puna në kantieret e ndërtimit për punimet publike.

Ora 10:06
Në Elbasan nuk mjaftojnë rrathët e verdhë për të ruajtur distancën, radhë në banka (VIDEO)

Edhe pse Elbasani ndoqi shembullin e Tiranës, duke vendosur rrathët të verdha që detyronin qytetarët të mbanin distancë nga njëri-tjetrin, një gjë e tillë duket se nuk ka mjaftuar që të respektohet kjo masë. Mëngjesin e sotëm, në qytetin e Elbasanit, ka pasur shumë radhë, ku në pjesën më të madhe nuk respektohet distanca, edhe pse ka prani të efektivëve të policisë.

Ora 09:58
Edhe tregjet në Shkodër me rregulla të reja të distancimit social, drejtori i Policisë inspektim në terren: Kjo luftë duhet fituar (VIDEO)

SHKODER - Një ditë pas vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj dhe urdhrit të Prefektit ndaj tregjeve për zbatimin e rregullave të reja të distancimit social, në terren ka zbritur vetë drejtori i Policisë së Shkodrës Niko Brahimaj. I shoqëruar edhe nga Drejtori i Departamentit për hetimin e krimeve në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj, kanë vëzhguar situatën në tregjet e Shkodrës. Drejtori i Policisë Shkodër Niko Brahimaj u shpreh se sot situata është ndryshe dhe se shkodranët i mirëkuptojnë masat e vëna nga qeveria. Ai i ka bere thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë bashkëpunues në mënyrë që kjo luftë të fitohet.

"Kalimi im në inspektim të të gjithë shërbimeve, nuk ka të bëje me ardhjen e ministrit të Brendshëm apo drejtorit të Policisë së shtetit, ka të bëjë me një plan të mirëorganizuar nën drejtimin e pushtetit vendor, më të lartit këtu që është prefekti, nën një bashkëpunim shumë të mirë me bashkinë e Shkodrës, AKU, ISHP të Shkodrës, për të ndërgjegjësuar të gjithë opinionin publik, pjesën e tregtarëve të Shkodrës të cilët unë i respektoj shumë për mirëkuptimin, respektoj dhe qytetarinë të cilët deri tani na kanë mirëkuptuar. Jam i bindur që rastet në rritje të koronavirusit në Shkodër nuk janë thjesht vetëm për mosmarrje masash por janë raste sporadike të veçuara për shkaqe nga më të ndryshmet qoftë këto edhe në traditën e shqiptarit. Sot kemi një ulje drastike të rasteve jo vetëm për shkak të masave që ka marrë policia, por edhe për shkak të ndërgjegjësimit të qytetarisë shkodrane. I bëj thirrje të gjithëve të mbështesim veprimet e policisë që janë veprime në një situatë ekstreme. Ne nuk dëshirojmë dhe nuk urojmë kurrë që këto masa ekstreme të vazhdojnë gjatë, nuk është në dorën tonë, por gjithsesi jemi në një luftë dhe kjo luftë duhet fituar", u shpreh drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri