Si rregullohet raporti politikë-biznes?

Si rregullohet raporti politikë-biznes?
Edhe në vendet më të zhvilluara me demokraci perëndimore, marrëdhënia e sipërmarrësve me politikanët është e vështirë dhe jo rrallë herë, objekt skandalesh dhe çështjesh gjyqësore. Politika ka nevojë për mbështetjen e biznesit në garat zgjedhore dhe, në kushtet e sotme kur këto gara janë bërë shumë të kushtueshme e mediatike, politika ka nevojë si për oksigjenin, për biznesin dhe fondet e tij.

Nga ana e tyre, sipërmarrësit duan favore nga politikanët në pushtet, pa u merakosur shumë në shkelet ligji apo jo, pse zakonisht në gjyq përfundon dhënësi i favorit-abuzim, dhe jo përfituesi i tij. Vende si SHBA, Britani e Madhe, etj., e kanë rregulluar këtë raport nëpërmjet ligjit për lobimin, duke e vënë detyrim ligjor publikimin e fondeve që partitë politike ose kandidatët e tyre në zgjedhje, marrin nga kompani apo individë të ndryshëm, madje dhe duke vendosur tavane për kufijtë e fondit që jepet.

Por nëse në vendet e mësipërme, por edhe në demokraci si Gjermania, Franca, Italia deri diku, etj., donacionet e biznesit fshihen në nivele 20-30 përqind(pra deri në çdo tre dhurime fondesh ose forma të tjera mbështetjeje, një nuk publikohet), këtu tek ne në Shqipëri raporti ështe njëzet me një! Sipërmarrja tek ne nuk është mjaftuar vetëm me investimin në media të ndryshme, për të ndikuar politikën që t’i japë tendera publike.

Ajo ka synuar investimin e drejtpërdrejtë të shumë përfaqësuesve të saj në jetën politike të vendit, duke konkurruar dhe fituar si anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, apo kryetarë bashkish e komunash. Zakonisht tek ne, sipërmarrësit nuk hyjnë në politikë me një plan konkret punësh publike që mendojnë të kryejnë, në të mirë të shtetasve qe do t’u kërkojnë votën, por duke i ofruar kryetarit të partisë, ose sipas shkallës së ndikimit, sekretarit të partisë në rrethin ku janë, fonde dhe mbështetje të tjera logjistike, me automjetet e biznesit, vendosje sallash e ambientjesh të tjera në dispozicion të aktiviteteve politike, përballime të drejtpërdrejta drekash e darkash, apo prodhim pankartash, banerash, flamujsh, fletëpalosjesh, etj.

Për të gjitha këto, kërkojnë në këmbim favore për tenderat publike, ose të marrin një pozicion ku këto tendera mund t’i ndikojnë vetë drejtpërsëdrejti. Zakonisht ky pozicion është anëtar i Parlamentit shqiptar apo kryetar bashkie e komune. Me fjalë të tjera, sipërmarrësit hyjnë me arësyetimin:”I dhashë partisë (Kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm, etj.) “x” milionë lekë apo euro, në katër vite pushtet kjo parti, ky kryetar, sekretar, etj., duhet të më japin “y” milionë lekë apo euro, ku diferenca është dukshëm në favor të shifrës “y” (e kush do të ishte ai sipërmarrës budalla të hynte në politikë për të humbur para?).

Historia e politikës shqiptare të pas-diktaturës, sidomos ajo e 18 viteve të fundit, e tregon qartë se dyja partitë kryesore të vendit (të tjerat po e po) i janë “dorëzuar” llogarive të tilla të biznesit, duke patur në qeverisjen e tyre peshën e rëndë të premtimeve të bëra sipërmarrësve që i mbështetën në fushatat zgjedhore.

Mirëpo, ndryshe nga qeveritë e mëparshmë të PD-së apo PS-së, kësaj rradhe ministrat e zgjedhur si teknokratë apo nga shoqëria civile, u udhëzuan dhe autorizuan fort nga kreu i qeverisë, që të mos lëshonin pe shumë ndaj deputetëve-sipërmarrës apo kryetarëve të bashkive-, po sipërmarrës. Kjo solli tërbimin e atyre sipërmarrësve, tashmë politikanë, se e konsideronin këtë sjellje si një kontratë të shkelur, si prerje në besë.

Prej këtej vijnë edhe shkaqet e vërteta të aferës së sotme që ka tronditur vendin. Garniturat e historive me vrasës dhe porositës vrasjesh jepen thjesht për të larguar vëmendjen nga raporti i prishur politikë-biznes. Mirëpo ky raport i prishur i llogarive abuzive të biznesit në politikë, i intereson shumë opinionit publik të shëndoshë të vendit dhe interesave të secilit prej nesh qytetarëve të thjeshtë. Modeli i sipërmarrësit që i hyn politikës për t’i vënë energjitë menaxheriale të tij/saj në shërbim të komunitetit, dhe për të realizuar veten me këtë sfide të re është ai që na intereson dhe që duhet të rilindë.

Njëlloj sikurse me reformat në sigurinë dhe rendin, në administrimin e territorit, në energjitikë, në përpjekjet për punësim e në shumë sfera të tjera të administrimit shtetëror, shpresa e shqiptarëve për bërjen e shtetit ligjor tek ne po rikthehet. Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë një nismë për të miratuar më në fund ligjin për Lobimin, ku roli dhe pozicioni i sipërmarrësit që ndihmon politikën të jetë i përcaktuar qartë.

Po ashtu, dhe favoret ndaj tij/saj të jenë të mirëpërcaktuara dhe të shohin dritën e diellit (si p.sh. disa shpenzime sponsorizimesh për aktivitetet politike t’i zbriten nga detyrimet për tatim fitimin, në rastet kur rezulton me pikë të barabarta në gara tenderash publike, të ketë një pikë plus për investimet që ka kryer në ndihmesën në politikë-pavarësisht se këto fonde i ka shpenzuar për partinë fituese apo humbëse në zgjedhje-, etj).

Vetëm kështu raporti i vështirë politikë-biznes mund të qartësohet në sytë e të gjithëve dhe përfshirja e sipërmarrësve në politikë, si dhe pritshmërite e tyre nga ky angazhim, të qarta dhe të matshme.    


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase