Si të veprosh kur nuk ke mundësi për të paguar kredinë bankare /Zbardhen rregullat

Si të veprosh kur nuk ke mundësi për të paguar kredinë bankare /Zbardhen rregullat

Deri nga viti 2000, kanë qenë shumë të rralla rastet kur bankat e nivelit të dytë pranonin të jepnin kredi. Moskthimi masiv i kredive të Bankës Agrare, që çoi në falimentin e saj, si dhe vështirësitë e bankave për të pranuar kolaterale me pronësi të dyshimta, bënë që këto të fundit të ishin shumë kërkuese ndaj klientëve. Më pas do të vijonte një bum, kryesisht në fushën e banesave, që u shoqërua edhe me shtimin e mundësive, nëpërmjet përmbarimit, të rekuperimit të huave të dhëna.

Janë shumë qytetarë që aktualisht paguajnë këstet e kredive të marra prej vitesh. Por një pjesë e tyre ndodhen në pamundësi për të paguar. Ata rrezikojnë që banka të marrë pronën e lënë si garanci, apo të vejë dorë mbi çdo pasuri tjetër në pronësi të tij. Megjithatë, dyert nuk janë të mbyllura hermetikisht për ata që ndodhen papritur në pamundësi pagese.   

Bllokimi

Kur klienti nuk arrin të paguajë kredinë e tij, në përputhje me kushtet e kontratës së kredisë, atëherë banka ka të drejtë ligjërisht të kërkojë kthimin e detyrimit, duke kaluar deri edhe në nisjen e procedurës gjyqësore me ekzekutimin e kolateralit. Por, kohët e fundit është rritur bindja që një ristrukturim i rregullt dhe në kohë i kushteve të kontratës, në bashkëpunim me huamarrësin, ka rezultuar më efektiv se nisja e procesit gjyqësor, pasi ofron përfitime më të mëdha për bankat, huamarrësit, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Ristrukturimi i kredisë së pari i jep mundësi huamarrësit të kapërcejë me sukses vështirësitë financiare dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij. Po kështu, shmang efektet negative sociale dhe makroekonomike, të cilat mund të shkaktohen nga ekzekutimi i një numri të madh pasurish të patundshme. Ndërkohë, mosmarrëveshja zgjidhet më shpejt dhe lejon rikuperimin e një përqindjeje më të lartë të borxhit.

Ristrukturimi i kredisë përfaqëson një lëshim në interes të huamarrësit. Banka e pranon atë, vetëm në qoftë se problemet financiare të huamarrësit duket që janë me natyrë të përkohshme dhe mund të zgjidhen, në mënyrë që të paguajë detyrimet e tij financiare brenda një periudhe kohe të arsyeshme.

Ristrukturimi i kredive bëhet i mundur vetëm nëse huamarrësi dhe banka punojnë së bashku për të arritur të njëjtin qëllim - për të mirën e të gjitha palëve në afat të gjatë. Huamarrësit duhet të takojnë huadhënësit e tyre dhe të diskutojnë problemet në momentin që ato shfaqen, në vend që të presin të ndodhë pamundësia e pagesës. Është në interes të të gjitha palëve, që huamarrësi të kontaktojë huadhënësin sa më shpejt të jetë e mundur në rast se evidenton vështirësi financiare, me qëllim fillimin e diskutimit mbi ristrukturimin. Megjithatë, secila palë (huamarrësi dhe banka) mund të nisë negocimet për ristrukturimin e kredisë, por asnjëra prej tyre nuk mund të imponojë palën tjetër të pranojë kushtet e saj.

Ristrukturimi i detyrimeve të huamarrësit nga banka nuk mund të shihet si një e drejtë. Përkundrazi, ai përfaqëson një lëshim nga ana e bankës. Ristrukturimi duhet të fillojë kur banka beson se mund të krijohet një plan pagese i qëndrueshëm dhe se huamarrësi do të jetë i aftë të paguajë kredinë e ristrukturuar sipas kushteve të reja.

Procesi

Edhe pse zakonisht bankat u dërgojnë lajmërime huamarrësve në rastin e një ose disa pagesave të prapambetura, huamarrësi më mirë duhet t’i drejtohet vetë huadhënësit, përpara se një ngjarje e tillë të ndodhë. Sa më shpejt të ndodhë kjo, rritet mundësia për të arritur një zgjidhje të arsyeshme për të shmangur proceset gjyqësore apo edhe marrjen e pengut.

Huamarrësi dhe banka duhet të diskutojnë në lidhje me shkaqet e pagesave të prapambetura dhe pozitën financiare të huamarrësit, si dhe çdo perspektivë për rifillimin e pagesave.

Informacionet

Huamarrësi duhet të paraqesë dokumentacionin e kërkuar për të mbështetur kërkesën e tij për ristrukturim. Nëse nga informacioni i grumbulluar, banka mendon se klienti i ka ofruar informacion të rremë, atëherë ka të drejtën të përfundojë negociatat duke njoftuar me shkrim huamarrësin dhe të ndjekë hapat e nevojshëm ligjorë. Në çdo rast, banka rezervon të drejtën të verifikojë saktësinë e të dhënave të reja që paraqit klienti, duke shpjeguar pamundësinë e përkohshme të pagesës, si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë në rast se informacioni i dhënë nga klienti mund të shkaktojë marrjen e vendimeve që mund ta dëmtojnë atë.

Klienti duhet të japë informacion mbi të ardhurat e rregullta dhe burime të tjera financiare, llogaritë e kursimit, investimet, kushtet aktuale të punësimit, burimet e të ardhurave shtëpiake, perspektivat e punësimit etj., për të siguruar vlerësimin e duhur të gjendjes financiare të tij. Po kështu, ai duhet të informojë bankën nëse ka kredi tjetër të marrë apo çfarëdolloj detyrimi financiar.

Gjatë negociatave të ristrukturimit, banka nuk nis procedurën  për  ekzekutimin  e  kolateralit  ose,  nëse  e  ka  nisur, e ndërpret këtë procedure.

Lëshimet

Nëse banka beson se është në dobinë e huamarrësit të ristrukturojë kredinë, atëherë ajo duhet të krijojë kushtet e nevojshme për huamarrësin për të negociuar ristrukturimin. Banka duhet të lejojë një periudhë ngrirje mbi procedurat gjyqësore apo ato të ekzekutimit të kolateralit. Në varësi të situatës, ngrirja nuk kalon 45 deri në 90 ditë nga data e aprovimit me shkrim të huadhënësit për fillimin e negociatave të ristrukturimit.

Banka i jep huamarrësit kohë të arsyeshme, përgjithësisht jo më shumë se 20 ditë, të sigurojë informacionin dhe të marrë në konsideratë propozimet e saj në lidhje me ristrukturimin e kredisë.

Bankat duhet të sigurojë fshehtësinë e informacionit të marrë nga huamarrësi dhe nuk duhet të zbulojnë ndonjë detaj ose informacion mbi huamarrësin për një palë të tretë (me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga ligjet në fuqi) nëse nuk është rënë dakord me shkrim me huamarrësin

Situata

Shumë qytetarë ndodhen në pamundësi për të paguar këstet e kredisë. Ata rrezikojnë që banka të marrë pronën e lënë si garanci në bankë. Megjithatë, dyert nuk janë të mbyllura hermetikisht për ata   

Lajmërimi

Edhe pse zakonisht bankat u dërgojnë lajmërime huamarrësve në rastin e një ose disa pagesave të prapambetura, huamarrësi më mirë duhet t’i drejtohet vetë huadhënësit, përpara se një ngjarje e tillë të ndodhë

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar