Si u hodhën në lumë objektet
arkeologjike te Kisha e Brarit

Si u hodhën në lumë objektet<br />arkeologjike te Kisha e Brarit
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë së Brarit dhe rrethinat e saj janë shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike që në vitin 2008.

Por në vitet 2010-2012, nën qeverisjen e ish kryeministrit Sali Berisha është kryer një masakër e madhe arkeologjike. U dhanë leje për ndërtime e rrugë, ku kanë vijuar gërmime me ekskavator. 

Më pas në lumin e Tiranës u hodhën si mbeturina objektet e çmuara arkeologjike, dëshmon historiani Spiro Nika.  
 
“Kemi qenë ne disa specialistë. Kemi qenë në atë objekt. I kemi mbledhur. Kemi gjetur një pjesë të një kolone mermeri e pragun e një dere, të hedhura në buzë të lumit te shkalla e Tujanit”, tha Nika. 

Skandali arkeologjik u zbulua gjatë prezantimit të një varri të rrallë monumental të familjes së Sgurajve që gjendet në këtë kishe, një nga principatat më të njohura të Arbërit. Ky varr daton 9 shekuj më parë dhe u prezantua në aktivitetin “Një pasdite në muze” bashkë me disa vepra të çmuara arkeologjike të principatave arbërore, që konceptohen si “bërthama e kombit shqiptar”. 

Nika ekspozoi dokumentin e vitit 2008 të Ministrisë së Kulturës për mbrojtjen e Manastirit të Shën Mërisë në Brar, që gjendet në të djathtë të Lumit të Tiranës. Dokumenti është firmosur nga ish ministri Ylli Pango me propozim nga ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, Lorenc Bejko.

“Unë kam qenë punonjës i atij institucioni, dhe respektoj punën që është bërë nga ne, këmbënguljen, ekspertizat. Është bërë një ekspertizë e thellë dhe janë caktuar përgjegjësitë e çështjes dhe shkalla e dëmit. Në fakt shkalla e dëmit është e parikuperueshme atje, por megjithatë ekzistojnë akoma shumë varre që mund të studiohen e të japin lëndë për studimet... Kjo ngjarje ka ndodhur gjatë viteve 2010-2012”, dëshmon Nika. 

Pas këtij vendimi fshihet edhe ngjarja më e rëndë në arkeologjinë shqiptare.
 
Nika bën apel për një projekt që të rehabilitohen pasojat, sepse ende po grabiten objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike.
 
“Është dëmtuar komplet një varrezë. Midis kishës që është gërmuar nga profesor Aleksandër Meksi dhe profesor Damian Komata dhe Kambanores dhe e gjithë ajo pjesë kodre drejt Kambanores atje ka qenë me varreza. Dëshmitarët nga ajo zonë më kanë treguar disa foto me objekte të monedhave që janë gjetur atje. Madje më kanë treguar dhe histori që gjatë viteve ‘84-‘85 kur është gjetur varri, janë gjetur disa monedha ari të Aleks Komennit, dhe fshatarët nuk ua dinin vlerën dhe i përdornin për të zbukuruar kapistallin e gomerëve. Ajo zonë kërkon përsëri inspektim dhe planifikimin e një gërmimi arkeologjik”, tha Nika.

Varri që i përket sevastit Mihail Sguro ka një rëndësi të veçantë. Sipas kalendarit bizantin shënohet viti 6709, dhe i përket vitit 1201. Ky është Dokumenti i parë që përmend principatën e Arbërit.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë

Forcat RENEA aksion ‘blic’ në Vlorë, rrethojnë zonën e Ujit të Ftohtë! Kërkohen persona me rrezikshmëri të lartë