Si u manipulua çështja për të
goditur median e re të pavaru

Si u manipulua çështja për të<br />goditur median e re të pavaru
TIRANE - Artikulli që sipas Sokol Olldashit ishte fyes për të dhe për të cilin dëmshpërblehet me vendim të gjykatës së Tiranës me 75.000 euro është publikuar në Gazetën Shqiptare më 24 mars të vitit 2011.
 
Emri i Olldashit përmendet vetëm dy herë brenda gjithë shkrimit që në të vërtetë tregon historinë e privatizimit të 460 apartamenteve (ish/kabina plazhi) në Durrës dhe faktin që 70 apartamente nuk u privatizuan sepse terreni ku ishin ngritur i ishte kthyer ish-pronarëve. Familjet e pastreha që banonin në këto 70 apartamente të përjashtuar nga privatizimi i kishin dërguar një letër kryeministrit Berisha duke shkruar se pronarët e tokës ishin njerëz të afërt me ministrin Sokol Olldashi. “Gazeta Shqiptare” bëri gabimin se publikoi këtë letër dhe përmbajtjen e saj. Vetëm këtë.

Deri këtu historia gazetareske. Olldashi e konsideroi atë artikull fals, e konsideroi veten të dëmtuar dhe mëngjesin e 6 prillit 2011 bëri një padi në gjykatën civile në Tiranë duke kërkuar 150.000 euro dëmshpërblim. Kundër kujt? Siç e parashikon ligji bëri një padi kundër shoqërisë “Mediterranea spa” si pronare e Gazetës Shqiptare, por kërkoi të vendoste edhe emrin e drejtoreshës së gazetës Anila Basha dhe të kryeredaktorit Erli Murati (të cilët për fat të mirë nuk janë dënuar me dëmshpërblim, por vetëm me detyrim përgënjeshtrimi).

Më 5 maj 2011 thirret seanca e parë dhe Olldashi nuk ndryshon mendim: Duhet procesuar shoqëria “Mediterranea”.

Vetëm gjashtë ditë më pas, më 11 maj 2011, “Gazeta Shqiptare” shitet nga pronarët italianë dhe ndryshon pronësi: Botuesi shqiptar që blen në kontratë merr përgjegjësitë (siç ndodh gjithmonë) të trashëgojë e të përballojë të gjithë proceset gjyqësore kundër “Mediterranea” dhe Gazeta Shqiptare, pra edhe procesin me numër “755” të hapur nga Sokol Olldashi. Zhvillohen edhe pesë seanca të tjera dhe Olldashi nuk ndryshon ide: procesi vazhdon.

Me 4 nëntor 2011 në tregun mediatik shqiptar vjen një gazetë e re: quhet Shqiptarja.com dhe drejtohet nga Anila Basha, ish-drejtoreshë e Gazeta Shqiptare. Me ndryshimin e pronësisë shumë gazetarë të “Gazeta Shqiptare” vendosën të japin dorëheqjen pasi nuk donin të punonin në një gazetë që nuk do të ishte më e lirë të kritikonte qeverinë e Sali Berishës.

Botuesit e rinj janë afër qeverisë së PD dhe në fakt Anila Basha është e vetmja që u pushua nga puna për motive politike: ajo dhe kolegë të saj zgjedhin të qëndrojnë të lirë. Mes tyre është dhe Alba Malltezi, prej 20 vitesh gazetare që në Shqipëri njohu Carlo Bollinon dhe sot është bashkëshortja e tij.

Berishës dhe Olldashit nuk i pëlqen që në vend të “Gazetës Shqiptare” të lindë një tjetër gazetë e pavarur brenda së cilës punojnë gazetarë të lirë. Dhe çfarë ndodh? Me 9 nëntor, pra vetëm 5 ditë pas lindjes së Shqiptarja.com, Sokol Olldashi ndryshon strategji, përgatit hakmarrjen dhe i beson avokates së tij, Erinda Ballanca (avokate dhe e Sali Berishës) urdhërin e ri.

Praktikisht Sokol Olldashi dhe avokatja e tij i komunikojnë gjykatësit që 150.000 eurot nuk i duan më nga botuesi i Gazetës Shqiptare, (që ndërkohë është bërë një mik i Qeverisë), por i duan nga Carlo Bollino personalisht. Në procesverbalin e seancës së 9 nëntorit lexohet: “Përfaqësuesja e palës paditese Av. Erinda Ballanca - depozitoi një kërkesë me shkrim për saktësimin e objektit të padisë . I padituri Erl Murati - dakort të pranohet kërkesa”.

Erl Murati, kryeredaktor i Gazetës Shqiptare para dhe pas shitjes, i vetmi i akuzuar i pranishëm, natyrisht pranon. Po Carlo Bollino që rrezikon të paguajë personalisht? Avokati i tij nuk është në sallë, kështu që nuk mund të shprehë asnjë opinion. Në një gjykatë normale gjykatësi do të ishte përgjigjur me një të qeshur, sepse kërkesa e Olldashit është e jashtëligjshme. Por në Shqipëri, në Tiranë, gjykatës ishte Bledar Abdullai, mik i Berishës dhe i Partisë Demokratike, kështu që mungesa e të akuzuarit kryesor në sallë dhe absurditeti juridik i kërkesës nuk e shqetësojnë.

Në fakt lexohet në procesverbalin e seancës: “Vendimi: gjykata në bazë të nenit 180-185 të Kodit të Procedurës Civile pranon kërkesën e palës paditëse për saktesimin e objektit të padisë. Për të njoftuar të paditurit në mungesë shtyhet seanca më datë 09.12.2011, ora 10.30”.

                                                                       ***

Problemi nuk është më artikulli dhe as Gazeta Shqiptare, gjithashtu ky artikull mund të lexohet ende sot në versionin online të gazetës shqiptare Në këtë adresë
As Olldashi dhe as gjykatësi në fakt nuk i kanë kërkuar Gazetës Shqiptare që ta heqin si artikull.

Më datë 23 maj 2013, pas 28 seancave, Bledar Abdullai në emër të Qeverisë së tij dënoi Carlo Bollinon të dëmshpërblejë Sokol Olldashin me 75 mijë euro, për një shkrim që nuk e ka shkruar asnjëherë dhe as e ka lexuar. Avokatët e të akuzuarit nuk ishin lajmëruar dhe nuk ishin të pranishëm as në leximin e vendimit që është bërë në një sallë të shkretë.
Kështu përfundon një proces politik në Shqipëri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja