Ish-drejtoresha e Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Violeta Shqevi, deklaroi në gjyqin për aferën Partizani se Drejtoria e Sportit kishte kundërshtuar ndryshimin e destinacionit të objekteve sportive dhe kishte kërkuar që zhvillimi i sportit të mbështetej përmes rritjes së infrastrukturës, por varianti përfundimtar i ligjit e miratoi.
Në dosjen e SPAK thuhet se ligji për “Sportin” ndryshoi disa herë, derisa u qep si kostum për planin e Malltezit për të ndërtuar 19 kulla në territorin e ish klubit sportiv. Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës bëhet një tjetër ndryshim ligjor. Tashmë do të lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke i dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Ashtu siç në fakt ndodhi në ambientet e ish klubit Partizani, ndërtimi i dhjetërave kullave.
Pjesë nga dëshmia (pyetje-përgjigje)
Mbrojtja: Ishit dakord me ndryshimet ligjore?
Violeta Shqevi: Unë përfaqësoja Drejtorinë e Sportit. Kam paraqitur mendimin tim dhe të aktorëve që punuan në këtë proces. Ne synonim ndërtimin e një qendre sportive dhe rritjen e infrastrukturës sportive. Kërkuam mbrojtjen e sportit sipas modelit rumun.
Mbrojtja: Ia paraqitët eprorëve këto qëndrime?
Violeta Shqevi: Po. Të gjitha janë të dokumentuara. Ia kemi paraqitur ministrit dhe zëvendësministrit.
Mbrojtja: Ju mendonit që të mos ndryshonte destinacioni i objekteve? Apo që pronarët të mos përfshiheshin në proces?
Violeta Shqevi: Ne kërkuam që të mos ndryshonte destinacioni. Gjithashtu kërkuam që të zbatohej ligji për kompensimin e metrave katrorë.
Mbrojtja: Ka një relacion për dërgimin e projektligjit të Sportit kur u çua në kuvend, është realizuar qëllimi i ministrisë suaj?
Shqevi: Qëllimi ishte të rritej cilësia sportive për zhvillimin e klubeve.
Klodian Skënderi, avokati i Malltezit: Keni pasur dijeni se në territorin e klubit ka pasur familje informale?
Violeta Shqevi: Po, kishim dijeni, por nuk e dinim numrin e tyre. Gjithashtu, nuk njihnim statusin juridik të pronarëve të parcelave të ndryshme.
Klodian Skënderi: A kishit dijeni për procedurat e privatizimit?
Violeta Shqevi: Nuk kisha asnjë informacion. Kishim shqetësime lidhur me lejet e ndërtimit, por nuk kishim asnjë informacion zyrtar për procedurat e privatizimit. Asnjë të dhënë për leje ndërtimi apo zhvillimi.
***
Mbrojtja sjell nje dokument, memo, me firmë te deshmitares, ku vetë ka shkruar shqetësimet
Violeta Shqevi: Nuk më kujtohet në detaje përmbajtja, por memoja mban firmën time. Kam pasur shqetësime dhe kam kërkuar regjistrimin e pronave të kompleksit “Partizani”, pasi ato nuk ishin të regjistruara.
Violeta Shqevi: Kjo shkresë është firmosur prej meje dhe është hartuar mbi bazën e shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e klubit. Në të citohet edhe një vendim i KRT-së i vitit 2007 për një shesh ndërtimi.
Mbrojtja: Kjo shkresë ndodhej në ministri. A keni komunikuar ju për këtë çështje?
Violeta Shqevi: Nuk kam nënshkruar asnjë shkresë që lidhej me privatizimin. Kam qenë në territorin e klubit dhe gjendja ishte e rënduar, pasi prej vitesh nuk kishte pasur investime.
Lajmi kryesor:
Gjyqi i aferës ‘Partizani’, pyetet ish-drejtoresha e Sporteve, Shqevi: Luftuam të mos ndryshonte destinacioni, por ata miratuan ligjin! Nis Genc Ruli, ministri që me urgjencë ndoqi privatizimin







