Si u vendos censura zyrtare mbi shtypin shqiptar në mars të vitit 1997

Si u vendos censura zyrtare mbi shtypin shqiptar në mars të vitit 1997

Foto ilustruese

Sfondi politik

E diel, dy mars 1997, pas dite.Kuvendi ishte mbledhur në seancë të jashtëzkonshme si asnjëherë tjetërnë ditë pushimi. Deputetët diskutonin për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshmedhe miratimin e tre ligjeve përkatëse. Po diskutohej gjithashtu  për masat praktike në zbatim të këtyre ligjeve, pas “rrebelimit” të armatosur që kishte shpëthyer në rrethet e jugut.

Një natë më parë, duke u gdhirë 1 marsi, në Vlorë kishin ndodhur përplasje të armatosura midis qytetarëve dhe oficerëve të SHIK-ut. Ky i fundit ishte përpjekur të nxirrte me forcë nga greva e urisë studentët e Universitetitdhe kjo ishte bërë shkak për acarim të tejskajshëm të situatëssë rënduar që po vazhdonte prej 25 ditësh.

Përfundimi ishte i përgjakshëm: gjashtë oficerë të SHIK-t dhe tre qytetarë vlonjatë kishin gjetur vdekjen nga plumbat e armëve të zjarrit, që tani kishin dalë nga depot e ushtrisë. Në fillim të seancës kryetari i Kuvendit Arbnori kërkoi mbajtjen e një minute heshtjeje për oficerët e vrarë të SHIK-it. Për tre qytetarët e vrarë vlonjatë nuk u mbajt heshtje, sepse ata konsideroheshin “terroristë”. Qeveria “Meksi 2”, e dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit, kishte dhënë dorëhejqen.

Ligji për censurën

E hënë, tre mars. Kuvendi po diskutonte për projektligjin për censurën ndaj shtypit. Titulli i projekligjit:“Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jasshtëzakonshme”. Kryetari i Kuvendit Arbnori propozoi që “shtabet lokale, (çfarë ishin këto “shtabe lokale”!?) kur e quanin të arsyeshme, “të bllokojnë materialet nxitëse”. Ishte fjala për çdo lloj materiali propagandistik që, sipas tij, nxiste dhunën. Pra, sa herë t’u binte mendja  “shtabeve lokale”, mund të bllokonin  çdo lloj mjeti të shkruar apo të folur që ato do ta konsideronin “nxitës”.

Jo vetëm kaq. Në Vlorë kishte pak kohë që transmetonte programe një televizion i pavarur privat i paliçencuar, (deri atëherë egzistonin vetëm pak radio dhe televizione private eksperimentale)prandaj edhe për këtëkishte  menduar kryetari i Kuvendit: “Gjithashtu të ndalohen edhe televizionet private që mund të bëjnë një gjë të tillë. Mua më ka ardhur një protestë për televizionet private, të cilat, janë të paligjshme dhe Komisioni i Masmedias e pastaj Kuvendi Popullor duhet ta shikojnë atë”. Mirëpo kush do ta ndalonte këtë televizion privat “rrebel” në Vlorë, se atje tani, më tre mars, nuk kishte më  asnjë autoritett shtetrot në këmbë, por vetëm anarki dhe turma njerëzish të armatosur që silleshin nëpër qytet.

Kësaj “burie” të censurës  i ra në fjalën e saj edhe deputetja rishtare nga Shkodra Jozefina Topalli: “…jemi dakord me atë që thotë z. kryeministër (i dorëhequr) Mund të fillojë neni vetëm kështu: “Vendosen kufizime për ushtrimin e lirisë së shtypit e të informacionit” dhe të vazhdojë me pjesën tjetër; pra të heqim pjesën e parë: “në përputhje me traktatet ndërkombëtare, me dispozitat kryesore kushtetuese”.

Në vend kishte një ligj “Pë dispozitat kryesore kushtetuese” dhe një ligj tjetër “Për të drejtat dhe liritë themelore të njeiut”, edhe ky kushtetues. Në  këtë të fundit shprehej qartësisht: Neni 22, pika 3: “Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.”Pikërisht për anashkalimin e këtyre dy ligjeve e kishte fjalën zonja Topalli me propozimin e saj. Propozimi u votua dhe u kthye në ligj me 118 vota.

Ata që po e miratoninnuk e dinin as vetë se si do të zbatohej në praktikë ligji që nuk ishte “në përputhje me traktatet ndërkombëtare, me kushtetutën….” etj. Në historinë e shtetit shqiptar nuk kishte egzistuar ndonjëherë një ligj i tillë.  Ata, deputetët, ishin “gjindje pa shkollë”, e dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 26 majit të një viti më parë dhe, përveç kësaj, kishin dy ditë të ngujuar përgjumshëm mbi nenet e ligjit për censurën.

Deputetët hynë në teknikalitete: “Më duket se këtu nuk po kuptohet qartë sesi bllokohet një numër gazete. Numri i gazetës nuk bllokohet në treg, por në shtypshkronjë. Aty lexohet numri i përgatitur dhe, në rast se ky cënon nenin në fjalë, atëherë bllokohet i gjithë materiali i shtypit, lastrat dhe gjithë ç’është bërë; pra bllokohet pa u shtypur, jo në treg.” Këtë mendim shfaqi deputeti Karapici.

Ndërhyri kryeministri (i dorëhequr) Meksi për shpjegime më “profesionale”: “Nuk tha njeri “në treg”, por para se të shpërndahet, materialin (gazetën e shtypur) duhet ta djegim.” Më qartë se kaq nuk mund të flitej: të digjet gazeta para se të hidhet në treg për shitje. Deputeti Bashkim Kopliku, i vetmi zë kritik në sallë,  kritikoi ligjin edhe pas miratimit: “…Varianti që kaluam është antikushtetues, pra, shkel qartë, në përgjithësi, ligjin tonë kushtetues, shkel qartë ligjet përkatëse botërore.” Por ky kundërshtim kishte vlerë vetëm për kronikë. Ishte hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që nga lindja e tij që vendosej me ligj kontrolli paraprak (censura) i qeverisë ndaj shtypit. (Citimet, nga procesverbali i seancës parlamentare, 2 dhe 3 mars 1997)

Censura në zbatim

E hënë, 3 mars 1997. Me miratimin e ligjit nr. 8195, datë: 03.03 1997 “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jasshtëzakonshme” hynë menjëherë në fuqi nenet e tij për censurën. Si rregull, ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por ky ishte ligji i parë në historinë e Parlamentit Shqiptar ku përcaktohej në fund të tij, përveç datës (03.03.1997),edhe ora e hyrjes në fuqi: 16. 45 minutaa.  Neni 4 i ligjit:  “Vendosen kufizime për ushtrimin e liirsë së shtypit e informacionit. Ndalohet botimi, shpërndarja, transmetimi në organet e shtypit dhe të radios të materialeve që nxisin ose bëjnë thirrrje për veprime të dhunshme kundër sigurimit kombëtar, rendit kushtetues, sigurisë publike dhe jetës së individit. … Organet e shypit detyrohen të miratojnë përpara shtypjes lëndën e çdo numri te shtabi lokal i zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme, i  cili bllokon çdo organ që nuk respekton këtë dispozitë.”

Në ligj nuk përmendej fjala “censurë”, se kjo është fjalë e rëndë, por e gjithë përmbajtja e nenit 4 është censurë e pastër, përderisa kontrolllohen paraprakisht (censura paraprake) materialet që do të botohen  në gazetë etj. Po cili është autoriteti që do ta bënte këtë “kontroll paraprak” të materialeve para se ato të botoheshin? Këtë e shpjegonte “shtabi lokal” i gjendjes së jashtëzakonshme për Tiranën në njofitmin e tij zyrtar: “Pranë shtabit lokal të gjendjes së jashtëzakonshme të Tiranës, do të funksionojë zyra që do të merret me zbatimin e ligjit Nr. 8195, datë 03.03. 1997 “Për disa masa në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme”. Njoftohen të gjitha redaksitë e gazetave dhe shtypshkronjat që të marrin lejet përkatëse për botim të shtypit pranë kësaj zyre në Prefekturën e Tiranës, me nr. telefoni 23652” (Gazeta “RD”, datë 4 mars 1997)

Çfarë është kjo “zyrë”, kush e ka krijuar atë dhe nga kush varet ajo? Para kujt përgjigjet ajo për veprimtarinë e saj? Kush janë “personalitetet supreme” që do të kontrollonin përmbajtjen e artikujve të shtypit, përpara se ato të publikoheshin në gazetë? Po roli i redaksive të gazetave cili do të ishte tani? A mund të flitej më  për shqyp të lirë e të pavarur në këto rrethana? Nuk thuhej asgjë për këto në njoftimin e “shtabit lokal” të botuar në gazetën e partisë në pushtet. Merrej vesh vetëm se “zyra e mediave” ishte ngritur po më tre mars, atë ditë që u miratua ligji dhe ndodhej pranë “shtabit lokal” të gjendjes së jashtëzakonshme në Prefekturën e Tiranës.

Të gjithë kryeredaktorët e gazetave, revistave, fletëpalosjeve, pankartave etj tani duhet të zinin radhën te “zyra lokale” e Prefekturës në rrugën e Durrësit me dosjen e dorëshkrimeve nën sqetull për të miratuar paraprakisht atje materialet që do të botoheshin të nesërmen në gazetat e tyre “krejtësisht të lira dhe të pavarura”. Edhe një tërheqje vëmendjeje për njerëzit e shtypit nga “shtabi lokal”, i bërë në gazetën e partisë në pushtet: zyra e mësipërme do të ishte e hapur deri në orën 22 e tridhjetë minuta, jo më shumë, se jemi në “gjendje të jashtëzakonshme”.  Shumë poshtë e kishin ulur shtypin shqiptar “baballarët” e kombit!

“Zyra e mediave” pranë “shtabit lokal” vazhdonte punën duke nxjerrë udhëzime që botoheshin në gazetën e partisë. “Në bazë të ligjit të gjendjes së jashtëzakonhsme, Zyra e medias ka të drejtë të kontrollojë dhe të liçencojë botimin e të gjitha materialeve që nuk shkelin nenin 4 të ligjit 81 95, datë 3.3.1997 “Për disa masa në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.””Zyra e medias i fton të gjitha gazetat që deshirojne, te paraqiten prane saj,  per te miratuar materialin e tyre dhe per te vijuar rregullisht procesin e botimit. Kjo zyrë njoftonte gjithashtu se ligjit në fjalë kanë pranuar t’i nënshtrohen gazetat “Rilindja Demokratike”, “Albania” dhe “Rilindja” e Kosovës. Gazeta e tjera të pavaruara dhe opozitare e kishin refuzuar censurën dhe kishin shpallur grevë pa afat.

Censura në regjimet e mëparshme

Një ligj i tillë mbi censurën paraprake (kontrollin e gazetave nga një institucion shtetror para se të botoheshin)nuk kishte egzistuar asnjëherë më parë në këtë formë në Shqipëri. Edhe në regjimin komunist nuk egzistonte zyrtarisht institucioni i censurësparaprake, pra e kontrollit dhe ndalimit të gazetës para se të shpëndahej në treg. Gazetatdhe revistat kishin redaksitë e tyre që vendosnin nëse do të botohej një matarial i diskutueshëm apo jo. Këto ishin organi i “censurës”. Në raste të veçasnta, redaksitë i konsultonin shkrimet e diskutueshme me Drejtorinë e Shtypit para se t’i botonin.

Ka patur një rast të bujshëm, kur kryeredaktori i gazetës letrare – artistike “Drita”, zoti Duro Mustafaj,kishte bllokuar shpërndarjen,në çastin e fundit, të tetë faqeve të brendshme të shtypura të gazetës me krijimtari artistike. Bllokiimiishte bërë sepse ishte botuar atje një poezi e poetit Kadare me titull: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, e vlerësuar nga kryeredaktori si krijim me “ide të gabuara”. Autori i poezisë ishte dërguar për “qarkullim” në Beriat. Por bllokimi në këtë rasst ishte bërë nga vetë kryeredaktori, jo nga ndonjë organ censure jashtë gazetës.

Ka egzistuar një Drejtori e Shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, e cila jepte “udhëzimet e udhëheqjes” për probleme të ndryshme që duheshin trajtuar në shtypin komunist, por as ajo drejtori nuk kontrollonte dhe as bllokonte shpërmdarjen e gazetave. Dënimet e gazetarëve dhe të drejtuesve të shtypit për “devijime ideologjike” në shtyp në kohën e komunizmit, janë bërë pasi ishte  botuar gazeta (revista) dhe pasi ishin analizuar e  stëranalizuar “devijimet nga vija e partisë” në të etj. Censura atëherë ishte vetë redaksia, ku në gazetën “Zëri i popullit”, një artikull duhet të kontrollohej nga gjashtë persona të ndryshëm para se të botohej.

Një rast i tillë ka qenë edhe ai i gazetarit të “Zërit të popullit” Frrok Çupi për artikullin me titull: “Peshku kapet në Shëngjin dhe shpërdahet në Ulëz”. Shprehja metaforike e gazetarit për marifetet e zyrtarëve të ndërmarrjes së peshkimit për të mbuluar paaftësinë e tyre në realizimin e planit, ishte konsideruar nga “udhëheqja” si “nxirje e realitetit socialist”. Autori i shkrimit ishte dërguar në “orizore”, dmth në Ndërmarrjen Gjeologjike të Spaçit për riedukim. E gjitha kjo, pasi ishte botuar shkrimi. Ndërsa tani, në vitin 1997, shtatë vjet pas vendosjes së pluralizmit politik dhe shtetit demokratik, po ngrihej institucioni i censures zyrtare paraprake jashtë gazetës.

Ligji i censurës nuk erdhi në skenë ashtu, rastësisht e papritur. Gjatë shtatë vjetëve pas shpalljes së pluralizmit politik vendi kishte vetëm një televizion, atë shtetror, të kontrolluar tërësisht nga pushteti. Kishte kohë që flitej për mbylljen  egazetës më të madhe të pavarur “Koha jonë” nga eksponentë të pushtetit.Një seri sulmesh barbare ndaj shtypit të ndodhura në një natë të vetme, atë midis 2 dhe 3 marsit, pikërisht kur po miratohej ligji për censurën në Parlament, do ta plotësonin tablonë e zezë të luftës kundër lirisë së shtypit nga një regjim autoritarist.

Djegia e gazetës “Koha jonë”

E hënë, 3 mars, në të gdhirë. Një lajm i zi po përhapej nëpër Tiranën e përgjumur: po digjet gazeta “Koha jonë”, e pavarura e përditshme me tirazh mbi 70 mijë kopje. Ishte po ajo natë kur, rreth dyqind metër më tej, në Kuvendin e Shqipërisë, po miratohej  ligji “Për disa masa në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.“Zbatuesit” e ligjit kishin filluar nga puna pa pritur që ligji të hynte në fuqi.

Para ndërtesës së redaksisë në rrugën “Qemal Stafa” ishin  parë makiname policë dhe civilë. “Përballë redaksisë dalloheshin 2 ose 3 makina fuoristrada dhe një furgon i bardhë … Në momentin që u afrova fare pak, dallova flakë nga kati i dytë dhe i tretë. Dëgjoheshin edhe thirrje njerëzish, por unë nuk munda të afrohem më shumë, pasi kisha frikë se dallohesha”. (Blendi Fevziu në hetuesi,  “Koha jonë”,  27 maj 2015)

Djegia e gazzetës “Koha jonë”

Nuk ishte hera e parë që kërcënohej gazeta  e pavarur. Në një aktiv të Partisë Demokratike të Tiranës rreth një muaj më parë, më 27 janar, kryetari i degës së asaj partie, deputeti dhe ish-ministri i arsimit, Profesor Doktorr Ylli Vejsiu, kishte kërkuar “mbylljen e menjëhershme të gazetës”, sespe ajo ishte pozicionuar në anën e protestuesve që kërkonin paratë e humbura në piramidat financiare. Pas asaj  persona me maska dhe me makina pa targa kishin shkuar në redaksi dhe kishin kërcënuar gazetarët me fjalët: “Do t’ju djegim e do t’ju hedhin në erë.” Forca të policisë së Tiranës kishin marrë në mbrojtje redaksinë e gazetës.

Dy ditë më parë, më 1 mars, gazeta e partisë në pushtet “Rilindja demokratike” botonte shkrimin redaksioal me titull: “”Koha jonë”, koha e terrorit””. Kjo gjuhë e vrazhdë i kishte paraprirë sulmit mbi gazetën e pavarur dy netë më vonë.Situata i ngjante  filmave horror,  me subjekte nga vende të largëta të Afrikës, por ngjarjet po ndodhnin në mes të Tiranës. Ato që ishin paralajmëruar ditë më parë, (“prova gjenerale”) kishin  ndodhur në atë natë të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Skenat e ndodhura në redaksinë e gazetës u ngjanin atyre të dramës “Arturo UI” të Brehtit për kohën e ardhjes së fashizmit në pushtet: djegia e magazinave të portit (Raishtagut gjerman) “Pamë njerëz me bidona me vajguri të kalojnë. Kush pa bidona me vajguri? Ti, ti, ti apo ti!? (“… unë nuk munda të afrohem më shumë, pasi kisha frikë se dallohesha.”)Vetëm se këtu nuk ishte skenë nga drama e Brehtit, por realitet.

Pasojat e djegies

“Institucioni” i rrahjes së gazetarëve

Po atë natë, duke u gdhirë 3 marsi. Gazetari  Zamir Dule,që punonte prej tre vjetësh në gazetën “Koha jonë” në rubrikën e kronikës së zezë dhe flinte mbrëmjeve në bodrumin e ndërtesës si i pastrehë, kishte dalë mes flakëve i tmerruar pas mesnate dhe ishte marrë në komisariatin e policisë, ishte rrahur  dhe ishte flakur në rrethinat  e Tiranës. Asnjë gazetë nuk kishte shkruar atëherë “kronikën e zezë” të asaj që i kishte ndodhur gazetarit të kronikë së zezë, sepse ato sapo ishin hedhur në grevë të përgjithshme. Fati i tij u zbulua më vonë. Ashtu, i traumatizuar fizikisht dhe shpirtërisht, ai ishte larguar për në shtëpinë e tij të vobektë, ku dergjet edhe sot në një dhomë pa televizor, gati i qorruar, në fshatin Miras të Korçës. Nuk flet, nuk tregon asgjë rreth asaj që ka pare me sytë e tij, vetëm vuan në vetminë  e tij atë që ka përjetuar. Një pension mbijetese i lidhur nga ish – kryeministri Nano është i vetmi ngushëllim material për të.

Kur gazetarët janë përpjekur t’i nxjerrin ndonjë informacion për atë që ka ndodhur, janë gjendur para heshtjes prej guri varri dhe frazës së shkurtër enigmatike akuzuese: “Të gjithë ju njëlloj jeni!” Dihet vetëm se ai ka pare tmerr me sy dhe këtë po e mban vetëm për vete. Ndoshta është më i tmerruar nga fakti se për 25 vjet, nuk u zbuluan ende autorët e masakrës, sesa nga vetë masakra.

Gazetari Zamir Dule

Nata tiranase e “xhamave të kristaltë”

Po atë natë,duke u gdhirë 3 marsi. Në Parkun “Rinia” pranë Ministrisë së Mbrojtjes,  i ishte vënë flaka nga persona të panjohur kioskës-kafene prej xhami me emrin “Bar Wet”, ose ndryshe, klubi i Fidelit, siç njihej prej gazetarëve. Ata që shkuan  si çdo mëngjes aty për kafe nuk u besonin syve, tek shihmin në vend të saj, një grumbull hekurishtesh të nxira nga flakët dhe shkrumbi që nxirrte akoma tym.

Nuk kishte asnjë të dhënë rreth asaj se nga kush dhe përse ishte djegur pikërisht atë natë dhe pikërisht ajo kioskë, ku mblidheshin gazetarëtdhe intelektualë të tjerë të kryeqytetit për të biseduar për punët e shtypit në qendër të Tiranës dhe jo ndonjë nga kioskat e  tjera të shumta që kishin mbuluar Parkun“Rinia”. Por dihej mirë se klubi i Fidelit ishte kthyer në “Klubin Petef”, i njohur në Budapest, ku gazetarët dhe intelektualët antikonformistë zhvillonin veprimtari “kundërrevolucionare” ndaj pushtetit komunist në Hungari në vitin 1956. Te klubi i Fidelit gazetarët këmbenin informacionet dhe rrihnin mendimet për gazetat e tyre të nesërme.

Atje, “te Fideli”, në qendër të Tiranës, thureshin gjithë ditën “komplotet” e gazetarëve kundër qeverisë “demokratike”, prandaj edhe ajo ishte “kujdesur” për ta në mënyrën e saj “demokratike”. Pra nuk ishte sulmuar vetëm redaksia e gazetës “Koha jonë.” Atë natë ishte goditur e gjithë “ngrehina” e shtypit të lirë shqiptar në palcën e tij, si ligjërisht ashtu edhe praktikisht. Nata e 2 marsit duke u gdhirë 3 mars ishte kthyer kështu në “natën e xhamave të kristaltë”. Vetëm se këtu, ndryshe nga ajo që ndodhi në Gjermani në kohëne Hitlerit, nuk sulmoheshin  dyqanet e çifutëve prej nazistëve, por zyrat dhe kafenetë ku mblidheshin gazetarët e lirë shqiptarë,  prej qeverisë së vendit të tyre.

Grevë e shtypitopozitar

3 mars. Lajmi për djegien e së përditshmes më të madhe shqiptare mori dhenë, jo nëpërmjet shtypit, por gojë më gojë. Redaksia vendosi që gazeta të mos dilte në treg, derisa të zbuloheshin autorët e djegies. Përveç kësaj, ajo nuk pranonte t’i nënshtrohej ligjit të censurës që ishte miratuar në parlamentdhe kishte hyrë menjëherë në fuqi. I gjithë shtypi i pavarur dhe ai opozitar vendosi bojkotimin e censurës me grevë të përgjithshme. Shqipëria mbeti pa shtyp të lirë.

Ata që vunë flakën gazetës “Koha jonë” ishin vetëm ekzekutorët. Frymëzuesit, ideatorët dhe porositësit ishin ata që flisnin në tribunën e Kuvendit për “djegien e gazetave para se të shpërndahen” dhe në mbledhjet e partisë në pushtet ku bëhej thirrje për mbylljen e tyre. “Policia dhe forca paramilitare hynë në zyrat e saj dhe i vunë zjarrin në mesnatë”, do të thoshte  ish-kryeredaktori i gazetës Ben Blushi njëzetë vjet më vonë. Drejtësia shqiptare edhe sot po nanurit mbi dosjen e djegies së gazetës pa i dhënë drejtim asaj.

Tani botoheshin vetëm gazeta “Rilindja demokratike” e partisë në pushtet dhe gazeta “Albania”, e njohur si e përditshme pranë pushtetit. Shqiptarët nuk i besonin ato, sepse ishin identifikuar si zëdhënëse të këtij të fundit. Ata i drejtonin sytë dhe veshët nga mëngjesi në mbrëmje te radiot dhe televizionet e huaja: BBC, “Zëri i Amerikës”, Doutche Welle, RAI, CNN, televizionet greke etj. Valët e këtyre stacioneve gjatë viteve të fundit kishin mundur të depëtonin në vend me anë të antenave satelitore.

Me fillimin e gjendjessëjashtëzakonshme, edhegazetarëtshqiptarëtëatyremediavetëhuajaprovuanpresionindhekërcënimet epushtetit, prandaj e kufizuanndjeshëmaktivitetin e tyrengaShqipëria. Ngatrekorrespodentëlokalëqëkishte BBC – ja, tanidëgjohejvetëmnjeriprejtyre. Dytëtjerëtthuhej se kishinikurnëAngli me gjithëfamiljetpërtëshpëtuarkokën, oseraportoninfshehurazinga Tirana, pojo me zërin e tyre. Pas disa ditësh, i sulmuar dhe i kërcënuar keq nga njerëzit e pushtetit, u largua edhe i treti. Për ta nxjerrë atë dhe familjen nga Shqipëria, erdhi këtu një i dërguar i posaçem i radios më të madhe të botës për të ndërhyrë pranë autoriteteve shqiptare në emër të qeverisë britanike. Radioja Londra u fliste tani shqiptarëve për Tiranën, pa patur asnjë korrespodent në Tiranë.

Korrespodenti shqiptar i “Zëri të Amerikës” për Shqipërinë e jugut gjithashtu kishte heshtur. Në vend të tij ksihte ardhur një gazetar i huaj, i cili raportonte në anglisht për radion amerikane nga zonat e “rrebelurara”, ku njerëzit kishin rrëmbyer armët kundër pushtetit. Pasi jepte kronikën, ai thoshte emrin dhe adresën e vendit nga raportonte: “Shqipëria e jugut”, pa thënë konkretisht se ku ndodhej (Vlorë, Sarandë, Gjirokastër etj) Duket, ishte i mësuar me rregullat e raportimeve nga zonat e konfliikteve.

Propaganda zyrtare nuk kursente as mediat  prestigjioze ndërkombëtare:  “Rojter dhe BBC nxisin gjakderdhjen në Vlorë. Lajmet e tyre, fallsifikim i paprecedent”.“Përgënjeshtrim për radion “Zëri i Amerikës” etj. Këto ishin tituj të përditshëm të gazetës së partisë në pushtet “Rilindja Demokratike”.  Për vrasjen e oficerëve të SHIK-t  në Vlorë ajo akuzonte  gazetat “Koha jonë” dhe “Zëri i popullit”.

Kjo ishte situata e shtypit shqiptar në ditët e rënda të gjendjes së jashtëzakonshme të fillimit të marsit të vitit 1997. Ajo ndryshoi vetëm kur u krijua qeveria e pajtimit kombëtar e drejtuar nga kryeministri Bashkim Fino.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

SHENIM / Syri si ''RD'' dhe ''ZP''. Modeli gazetaresk i Sali Berishës nuk ndryshon për 30 vite rresht

SHENIM / Syri si ''RD'' dhe ''ZP''. Modeli gazetaresk i Sali Berishës nuk ndryshon për 30 vite rresht