Referendumi që fundosi Berishën

Referendumi që fundosi Berishën

Sali Berisha

Më 6 nëntor të vitit 1994 populli shqiptar u thirr në Referendumin e parë kombëtar në historinë 82 - vjeçare të tij për miratimin e projekt- kushtetutës. Në[J1]  të populli votoi qartë me 53 përqind të votiave kundër projektit të propozuar nga pushteti.

Panoramë juridike

Në Kuvendin e parë pluralist në vitin 1991, partitë politike kishin miratuar një paketë të përkohshme kushtetuese, që do të shërbente deri në miratimin e kushtetutës së re. “Dispozita kryesore kushtetuese”, kishte funksionuar si dokumenti themelor i shtetit deri ne vjeshtën e vitit 1994. Me zhvillimet e reja politike, ekonomike, sociale etj, kishte lindur nevoja për një Kushtetutë të plotë. “Dispozitat …” në fundin e tyre, theksonin se çdo ndryshim e plotësim I tyre, bëhet me dy të tretat e votave në Kuvend. Edhe Kushtetuta e re duhet të miratohej në këtë mënyrë. Por raporti i forcave në Kuvend tani ishte i tillë që kjo gjë bëhej e pamundur. Mazhoranca e fryrë parlamentare e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, kishte pësuar fraktura të mëdha, për shkak të krizave politike brenda vetes. Ajo nuk i kishte më dy të tretat e votave të deputetëve për ta miratuar atë në Kuvend.

Vendi që kishte hyrë në rrugën e demokracisë vetëm dy vjet më parë, nuk kishte një ligj për referendumet. Ligji Nr. 78 66,  datë 06.10. 1994, “Për referendumet…” u propozua në Kuvend nga Presidenti i Republikës Sali Berisha dhe u miratua vetëm tridhjetë ditë para referendumit, me procedurë të përshpejtuar, pa pjesëmarrjen e opozitës që e bojkotoi Kuvendin në shenjë proteste dhe pa u transmetuar seanca në Televizion.  Sipas Neni 2 të këtij ligji: “Referendumi mund të vendosë për të miratuar kushtetutën dhe amendamentet e saj”. I gjithë qëllimi i ligjit ishte pikërisht Neni 2, për të shmangur Parlamentin nga miratami i Kushtetutës. Ligji u dekretua nga Presidenti më 11 tetor. Po atë ditë, u shpall prej tij data e referendumit. Ishin vetëm 25 ditë deri në ditën e votimit. As që bëhej fjalë për diskutim paraprak të përmbajtjes së Projektit  të Kushtetutës në popull etj.

Çështjet e referendumit ishin qepur “e zezë mbi të bardhë”. Ky nxitim dhe kjo shkelje e procedurave kushtetuese, e shqetësoi opozitën dhe opinionin në tërësi. Kali i hazdisur e kishte marrë frerin nëpër këmbë. Por veprimet prandaj edhe bëheshin në atë mënyrë të nxituar: që opozita të kapej gafil në kohë e të shpallte falimentin politik.

Opozita bëri ankesë në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë se ajo do të shprehej kundër mbajtjes së referendumit, por Gjykata e shtyu shqyrtimin për në kalendat greke. Tre gjyqtarë të Gjykatës dhanë dorëheqjen në mënyrë publike në shenjë proteste ndaj një qëndrimi të tillë. Gjyqtarët që u dorëhoqën ishin zgjedhur në atë detyrë nga po ajo mazhorancë që tani organizonte referendumin.

Situata politike

Bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës në vitin 1994 ishte një mision i pamundur. Lideri i opozitës, Fatos Nano, prej më shumë se një viti, ishte i burgosur me akuza për “korrupsion”, por që nga opozita konsiderohej si “burgosje politike”. Një numër ligjesh dhe vendimesh të qeverisë, po penalizonin njerëzit e opozitës në mënyrë të skajshme.  Një ligj famëkeq, 24/1, mbi disa ndryshime në Kodin e Punës, i miratuar menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, i kishte hapur rrugën largimit arbitrar nga puna të mijëra njerëzve, pa të drejtë ankimimi në gjiykatë, me akuzën se i kishin shërbyer regjimit  të vjetër.

Pas entusiazmit të parë për ndërrimin e sistemit politik me ardhjen e opozitës në pushtet, shpejt filluan të bien buritë e alarmit se qeverisja e re, nuk po sillte rezultatet e premtuara me bollëk në zgjedhje, përkundrazi.

Ekonomia ishte në kolaps të plotë. Ndërmarrjet shtetrore, që dikur punësonin mijëra vetë, po mbylleshin njera pas tjetrës, sipas direktivës së “terapisë së shokut”. Po flakeshin në rrugë punëtorë e specialistë që kishin mbajtur familjet me bukë në to. Hasetet e mbetura publike po grabiteshin prej drejtuesve e rinj partiakë, shpesh pa shkollë.

Kjo krijoi pakënaqësi të madhe te njerëzit. Në zgjedhjet për qeverisjen vendore, të zhvilluara më 26 korrik 1992, vetëm katër muaj pas ardhjes  së Partisë Deokratike në pushtet, ajo pësoi humbje shokuese. Nga gjashtëdhjetë e shtatë përqind të votave të popullit që kishte marrë më 22 mars të atij viti, tani, pas katër muajsh, elektorati u nda në gati gjysmë - përgjysmë midis mazhorancës dhe opozitës.  

Shtypi i shkruar ishte nën represion të hapur nga pushteti. Mungonin totalisht mediat e pavarura elektronike. Radiotelevizioni shtetror ishte tërësisht nën kontrollin e pushtetit. Gazetarët që kritikonin qeverinë, shpesh burgoseshin me akuza absurde.  Dy gazetarë të gazetës “Koha jonë”, Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj, u burgosën vetëm sepse gazeta ku punonin, botoi një shkrim të tyre me titull: “Tanket shkuan drejt veriut”, me akuzën për “nxjerrje të sekretit shtetor”. Në keto rrethana, një mendje e kthjellët do të thoshte se nuk duhej shkuar në popull për kushtetutën, por duheshin kërkuar rrugët e bashkëpunimit dhe të konsensusit me opozitën në Kuvend.

Kohët e fundit Presidenti i vendit Sali Berisha kishte bërë vizitë zyrtare në SHBA, ku ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Presidentii amerikan Bill Klinton. Ishte vizita e parë e nivelit më të lartë e një zyrtari shqiptar në Washington. Kjo vizitë po përdorej tani si një “kartë kredibiliteti” prej  Berishës se ja, “unë kam mbështetjen e Amerikës” 

“Të hyjmë a të mos hyjmë, kjo është çështja”

Në Partinë Socialiste, partia kryesore e opozitës, ranë sirenat e alarmit. Të hyjmë a të mos hyjmë në referendum, kjo ishte çështja. Të dya alternativat kishin argumente. E para: Të mos hyjmë, se referendumi është antikushtetues. Dispozitat Kushtetuese e  thonë qartë se kushtetuta miratohet me dy të tretat e votave në Parlament. Ne vetë e kemi ankimuar referendumin në Gjykatë. Atëherë, përse të bëhemi bashkëshkelës të Kushtetutës? Edhe koha për fushatë nuk është e përshtatshme. Berisha na ka lënë vetëm 25 ditë për të. Si do të takojmë njerëzit e të bëjmë fushatë për kaq pak kohë? Prandaj, të mos hyjmë.

Alernativa e dytë: të hyjmë në referendum dhe të fitojmë. Populli është me ne, opozitën. Ne kemi fituar në zgjedhjet lokale të zhvilluara dy vjet më parë, përse të mos fitojmë tani? Pakënaqësia ndaj pushtetit është shtuar. Po nuk hymë ne në Referendum, Saliu do bëjë ç’të dojë, do mbushë kutitë e votimit dhe do thotë: “U miratua Kushtetuta”. Prandaj të hyjmë.

Këto debate zhvilloheshin në Kryesinë dhe Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, forumi kombëtar drejtues i Partisë.  Ky u thirr me urgjencë dhe u drejtua  nga nënkryetari Servet Pëllumbi i cili,  në mungesë të Nanos së burgosur, drejtonte partinë. Nuk ka kohë për të komunikuar me kryetarin në burgun e Bënçës në Tepelenë. Në rend të ditës së mbledhjes: të hyjmë apo të mos hyjmë në referendum? Gjashtë orë debat me argumente dhe kundërargumente. Merret vendimi: brenda njëzetekatër orëve  të mblidhen të gjitha forumet e partisë në rrethe. Të diskutohet atje me përgjegjësi dhe të merrret vendim se si do të bëhet. Brenda dyzetetetë orëve, të mblidhet përsëri KPD dhe të vendosë, mbi bazën e vendimeve të marra në terren. Ashtu bëhet. Mbledhja e dytë është e shkurtër: Kush është dakord për të hyrë në referendum, të ngrejë dorën. Mbi shtatëdhejtë përqind e anëtarëve të forumit të larte votojnë “pro”. Na qoftë i mbarë, referendumi pra!

RTSH në fushatë për “shplarje truri”  

Makina propagandistike “pro” Kushtetutës filloi me shpejtësi nga puna dhe drejtohej nga Presidenca, sepse ai ishte “arkitekti” i referendumit. Zëdhënësja e tij kishte ngritur zyrën e saj në Televizion. Kamerat e shumta të Televizionit filmonit në plane të afërta turmën e njerëzve në mitingjet e Berishës  anë e kënd vendit. Kjo bënte që, në një takim ku ishin, të themi, pesëdhjetë vetë, të dukeshin sikur ishin pesëqind e kështu me radhë. Në mitingjet e Berishës importoheshin njerëz nga Tirana ose rrethe te tjera pranë.

Pamjet e filmuara në një miting në Krujë, transmetoheshin pastaj sikur të ishin të një mitingu në Pogradec, ndërsa në mitingun e Patosit, Presidenti u drejtohej të pranishmëve me shprehjen: “Të nderuar qytetarë të Roskovecit”. Presidenti lëvizte gjithmonë nëpër rrethe me helikopterët kinezë  të ushtrisë, duke zhvilluar nga tetë mitingje në ditë, sç reportonte Televizioni shtetor.

Këshilltarët e Presidentit, të pranishëm në mitingje, shpërndanin në turmë, para kamerave televizive, broshurën e projektit të kushtetutës. Populli me fytyra të “lumtura” për këtë dhuratë “të çmuar”, merrte në duar aktin themelor të shtetit që ia jepte vetë President, shpesh herë me autograf. Ata falenderonin “nxehtësisht” Presidentin për këtë “dhuratë” të çmuar. Një fotografi e vjetër e Enver Hoxhës, që u shpërndante fshatarëve tapitë e tokave në vitin 1946 në Lushnje, nuk ishte asgjë para këtyre pamjeve fantazmagorike të tanishme, që transmetoheshin me zë e figurë në televizion.

Filmimet e takimeve dhe fjalimeve të Presidentit, montoheshin nga vetë zëdhënësja e tij e shtypit, dikur gazetare e Televizionit. Zërat thoshnin se i gjithë Televizioni Shtetror ishte kthyer në studjo në shërbim të fushatës së Presidentit. E saktë është ajo që dukej në ekran: kronikat e mitingjeve të tij për referendumin, zgjasnin deri në 27 minuta secila. Populli bombardohej gjatë njëzetë e katër orëve me këto kronika, duke harruar parimin e njohur se, teprimi me televizionin, bën efektin e kundërt te shikuesit. Atmosferë referendare: Na pri përpara, he Komandanti ynë! Kushtetutën nuk ua kam pru une. Atë e kam gjetë itu, mjedis tuj. Hingëllima kuajsh efererendarë në horizont.

Radiotelevizioni shtetror, në vend që të shpëlante trurin e popullit, po shpëlante kështu trurin e vetë atyre që e organizonin këtë fushatë, duke i bërë ata të besonin se ajo “çorbë” që shpërndahej në ekran, ishte e vërtetë. Madje edhe vetë Televizioni kishte filluar të besonte: “Referendumin  tani e kemi në xhep. Shikoni kronikat televizive të mitingjeve të Berishës po deshët”

Ja si e përshkruan poeti Dritëro Agolli këtë rol të TVSH-së në një artikull të tij një javë pas Referendumit: “Ekipi i RTV-së ka dhënë me një vërtetësi të mahnitshme panoramën epike të udhëtimeve të kalorësve tanë nëpër atdhe, me veprën kolosale në duar, vepër që mori emrin Kushtetuta e Referendumit. Mua ende nuk më hiqen nga sytë skenat televizive me helikopterë dhe vetura, me furgonë, me kioska me rrota, me motorrë, me kuaj, me rapsodë, me poetë, me gjuhëtarë, me akademikë, me ministra, me presidenta e me kryetarë. Nuk më hiqen nga mendja tablotë me turma të mallëngjyera, pas dhënies së besës ndaj Presidentit, një besë burrash që e mbajtën deri në fund, për të votuar për Kushtetutën. Këto turma zgjasnin duart drejt Prijësit, qanin e qeshnin, betoheshin dhe brohorisnin. Prijësi merrte lule nga burrat e besës, i fuste në xhepin e xhaketës dhe pastaj njerën dorë e vinte në buzë në shenjë puthjeje dhe me tjetrën ua hidhte lulet që i tepronin përsëri njerëzve dhe ata prekeshin pa masë.”

“Besa” për Kushtetutën 

Kryetarë të bashkive dhe komunave nxirreshin nëpër tribunat e mitingjeve të Presidentit dhe deklaronin “në emër të popullit të komunës” votën “pro” kushtetutës. Midis tyre kishte edhe kryetarë të majtë. Dmth: “Unë jam socialist, por do votoj “pro” Kushtetutës, sepse ajo i duhet popullit”. Kështu ndodhi me kryetarin e bashkisë së Tropojës, socialist; me kryetarin e këshillit të rrethit të Gjirokastrës, i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut etj. Mekanizmi i tjetërsimit politik të përfaqësuesve të opozitës të zgjedhur nga populli, funksiononte kudo ku gjente mundësi, me premtime nga pushteti dhe presione: “do të t’i nxjerrim të palarat e së shkuarës në shesh, nëse nuk deklarohesh “pro” kushtetutës” etj.

Në Gjirokastër i kërkohet kryetarit socialist të bashkisë Bashkim Fino, të dalë në tribunën e mitingut bashkë me Berishën. Fino e pranon sfidën, por me kusht: Unë do them atë që dua unë në miting. Është trim Fino. Kërkesa e tij pranohet. “Ne gjirokastritët e kemi zakon t’i nderojmë miqtë që na vijnë në shtëpi -  thotë ai në miting përkrah Berishës. - Por unë jam socialist dhe prandaj do të votoj kundër projektit të Kushtetutës”. Në kronikën e transmetuar në Televizion u dha vetëm fjalia e parë e fjalës së Finos. “Ne gjirokastritët e kemi zakon t’i nderojmë miqtë që na vijnë në shtëpi”. Kaq i duhej Berishës. Kjo  i mërziti shumë socialistët që e panë lajmin në televizion: eh, na tradhtoi edhe miku ynë gjirokastrit! Finos po i çahej telefoni nga thirrjet dhe mallkimet e socialistëve për këtë “tradhti”. Ç’të duhej ty të dilje në tribunë me Berishën!?

Fino tërbohet kur shikon kronikën televizive me fjalën e tij të censuruar. Ai niset për Tiranë, për të bërë përgenjeshtrim në Televizion, por aty nuk e pret njeri. Ata janë shumë të  zënë me referendumin dhe prandaj nuk kanë kohë të presin një krye - komunar provincial. Përgënjështrimi i Finos botohet vetëm në gazetën 52 –vjeçare ish – komuniste “Zëri i popullit”, e cila, brenda dy viteve,  92 – 94, të Berishës në pushtet, e ka  dhjetëfishuar tirazhin e saj. Socialistët qetësohen: Fino nuk ka tradhtuat.  

Në shërbim të “Po” - së u thirrën, me apo pa dëshirë, edhe shumë intelektualë, “krejtësisht të pavarur”, që lanë kryeqytetin dhe shkuan nëpër krahinat e tyre, me vullnet “të lirë” për të bërë fushatë pro kushtetutës. Kishte edhe ish –ministra të kohës së Enverit, tani të “konvertuar” në demokratë, që e bënë një gjë të tillë. Të tjerë mbushnin listat e peticioneve ku i bëhej thirrje dhe lutje popullit me përgjërim: amani more popull, ju lutemi shumë, mos na lini pa kushtetutë! Pa bukë e pa ujë rrojmë, pa kushtetutë, jo! Si mund të jetojmë pa këtë gjë të vyer!

Shumë nga këta intelektualë kishin bërë të njejtën gjë edhe në kohën e Hoxhës dhe Alisë. “Shënomëni edhe mua në kooperativën e lumtur të “PO-së!” E gjithë makineria komuniste e propagandës, e grasatuar me ide “demokratike”, po vihej edhe një herë në funksionim në kushtet e kapitalizmit. (Vijon botimi i listave të intelektualëve të “pavarur” “pro” kushtetutës në shtypin “e pavarur” proqeveritar) Në Dukagjin Berisha deklaroi se kushtetuta e re është e mbështetur te  Kanuni i Lekë Dukagjinit!

Në fushatat e tij nëpër rrethe, Presidenti kujdesej të bënte vizita në familje që përfaqësonin fise të mëdha dhe në shtëpi patriotësh e dëshmorësh, mundësisht familje e fise socialistësh, ku takohej me “të parët” e fisit dhe përpiqej t’u shkëpuste atyre para kamerave ndonjë premtim “live”:  “Besa - besë, kena me ia dhanë votën zotni Salë Berishës”. Të tjerë i përgjigjeshin sipas zakonit shqiptar të mikpritjes dhe tundnin kokat, domethënë: “Do ta shohim atë punë”.  Filluan bejtet  popullore, që kishin më shumë efekt në popull, sesa fjalimet e politikanëve: “Rroftë e qoftë kushtetuta, se na bëri të gjithëve me tuta.”

Zëri i opozitës

Opozita e bashkuar, nga ana e saj, e përbërë prej gjashtëmbëdhjetë partive të majta e të djathta, kishte zgjedhur të përdorte në fushatë një gjuhë përgjithësisht të thjeshtë dhe të kuptueshme për popullin. Kishte njëlloj “ndarje rolesh”. Nënkryetari Servet Pëllumbi që udhëhiqte fushatën, përdorte një gjuhë më të zgjedhur, më të përpunuar e më të kultivuar për t’ju dejtuar votuesve, ku ruhej njëfarë elitarizmi në të folur dhe ku përmendeshin disa elemente kryesore negative të projektit të Kushtetutës, ashtu siç e donte rasti i fushatës dhe vetë kultura e profesorit.  

Nënkryetari tjetër i PS-së dhe kryetar i grupit parlamentar, Namik Dokle, përdorte një gjuhë më të drejtpërdrejtë popullore, të mbushur me shprehje frazeologjike të krahinave të ndryshme: “Mos e hani sapunin për djath!”; “Më mirë djepin bosh, sesa shejtanin (kupto: kushtetutën e Berishës) brenda.”; “Berisha kërkon të bëhet mbret, po ne nuk do ta lejojmë” etj. Këto slogane aq të njohura nga populli, ishin shumë më të efektshme, sesa t’u shpjegoje atyre brenda pak ditëve se ku flinte “lepuri” i Projektit të Kushtetutës.  

Shoqërova si gazetar grupin e drejtuesve të Partisë  Socialiste në rrethin e Gramshit pak ditë para Referendumit. Takimi në qytet do të organizohej në mbrëmje, ndërsa në drekë ishin planifikuar takime në zonat e Kukurit dhe Skënderbegasit, dy komuna kodrinore - malore më shumë se një orë larg qytetit.  Duke udhëtuar për në Kukur me makinat “Land rover”, me ndenjëse anësore aspak të rehatshme, që të shkulnin veshkat nga vendi në rrugën e paasfaltuar, njeri nga deputetët tha:

-E ç’na u desh të vijmë deri këtu? Shpenzim kohe dhe karburanti kot. Kaq vota i mblidhnim në Laprakë në Tiranë”.  

Kur u afruam te qendra e fshatit, pamë të mblidhen atje, sikur mbinë nga dheu, me qindra njerëz dhe filloi orkestra dhe vallja si në dasëm. Të braktisur prej më shumë se katër vjetësh në vetminë e tyre, pa asnjë lloj përkrahje e ndihme, ata po na prisnin sikur të ishim dasmorë që po çonim nusen. Në fshatin e tyre nuk kishte shkuar asnjëherë një udhëheqës i lartë, siç ishte nënkryetari i opozitës. Ata e kishin parë e dëgjuar në televizor, ndërsa tani e kishin mes tyre.   

Servet Pëllumbi u ngjit në një vend të ngritur në mes të turmës gjithë entusiazëm, për të mbajtur fjalimin e rastit. Ai tha disa fjali stereotipe, siç thuhen në raste të tilla. I kishte thënë e stërthenë ato sa e sa herë nëpër mitingje te tjera, ditë më parë. Por të thëna këtu, në sheshin e këtij fshati, para atyre njerëzve që e shikonin me sytë që u lëshonin shkëndija nga gëzimi, ishte një gjë e veçantë.

Gazetarja e TVSH- së, Tefta Radi kishte ardhur për të pasqyruar aktivitetin e opozitës për Referendumin. Ajo atëherë konsideroj si “moniste”,”enveriste” etj, sepse kishte punuar në RTSH edhe në kohën e shkuar. Ajo trajtohej si reportere e dorës se dytë ose të tretë dhe, ndonëse jo e re në moshë, degdisej në terren anë e kënd vendit për të pasqyruar aktivitetet e opozitës.  Kur kthehej në Televizion, natën natyrisht, ajo do të përgatiste  kronikën  njëminutëshe për të gjitha veprimtaritë që kishte organizuar lideri i opozitës anë e kënd vendit gjatë ditës. Dhe kjo  do të transmetohej pastaj aty nga fundi i emisionit të lajmeve, rreth orës njëzetë e katër, te rubrika: “Partitë në Referendum”, sa për të thënë që ja, “kemi edhe opozitë”.  

Të pranishmit në drekën e rastit të shtruar nga mikpritësit u zhytën te pjatat që u vunë përpara dhe ngrinin kokën vetëm kur ngriheshin dollitë “me pesë shëndete”: Dollia e parë, për fitoren në Referendum. Gëzuar të gjithëve! Dollia e dytë për Partinë Socialiste. Të na rrojë sa malet. Dollia e tretë për shokun Servet që na ka ardhur sot këtu, në fshatin tonë. E paçim përjetë. Ta gëzojë shoku Servet! Dollia e katër për kryetarin tonë, shokun Fatos, që u kalb në burg i ziu, ia marrça të keqen ia marrsha! Rroftë shoku Fatos Nano! Poshtë Sali Berisha! Ashtu pra, të lumtë goja. Dollia e fundit për shokun Namik që i këndon goja në Parlament e jashtë tij. Hajt, gëzuar, me fitore! Ky ishte populli, që pas pak ditësh do të shkonte në votim.   

Dreka vazhdoi rreth njëzetë minuta. Nuk kishte kohë për salltanete. Kushedi se kur do piqeshim prapë në bukë. Në mbrëmje ishte takimi me qytetarët në kinema. Duke u kthyer për atje, ai që kishte thënë se bëmë gabim që shkuam në fshat, tani kishte ndërruar mendje.

-Ore, e di që bëmë mirë që erdhëm? Vërtet një zonë e vogël me pak votues, po atje ne pamë njerëz, dhe ata na panë neve, panë nga afër deputetë nga Tirana që nuk i kishin parë kurrë. Pa njeriu - njerinë, pavarësisht nga  Referendumi.   

Në sallën e qytetit të Gramshit me rreth treqind vende, kishin hyrë afro një mijë qytetarë. Ata rrinin në këmbë dhe brohorisnin për Partinë Socialiste. Servet Pëllumbi u përpoq të thoshte disa fjalë për Referendumin, siç e donte rasti, por turma e njerëzve nuk donte fjalime, ata e dinin se çfarë do thoshte ai, i kishin dëgjuar ditë të tëra gjatë fushatës. Ata i dinit të gjitha. Ata vetëm brohorisnin të egzaltuar dhe gati të egërsuar me thirrjet “Fitore, fitore.”  Ata mezi prisnin 6 Nentorin.

Duke parë atë entusiazëm të masës së njerëzve, fillova të besoja se mund ta fitonim Referendumin. Gramshi ishte një rreth i vogël, por ashtu ishin më shumë se gjysma e Shqipërisë. Zonat rurale dhe qytetet e vogla kishin më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. (Në Gramsh u votua 78 përqind kundër Projket - kushtetutës)   

Nata e madhe e “JO” – së  

Mbrëmjen 6 Nëntorit ankthi i pritjes për rezultatin ishte i madh. Ishin mbyllur kutitë e votimit. Të gjitha zyrat  e Partisë Socialiste në Tiranë e rrethe në punë. E njejta gjë edhe gjetkë, te “pala tjetër”, ata që prisin “PO” -  në e popullit: zyrat e Partisë Demokratike, të Presidencës dhe të qeverisë. Edhe ata prisnin “fitoren plebishitare” dhe po bëheshin gati të hapnin shishet e shampanjës. Ata ishin të qetë se “fitoren e kemi në xhep. A nuk i kini parë mitingjet tona në televizor?!”    

Nëpër korridoret e Partisë Socialiste filluan të flisnin për rezultatet. Kishin rënë telefonat e parë nga rrethet. “Fitore, fitore!” Ishin ende thirrje të përmbajtura, të matura, gjithë drojë e frikë, sepse duhej kohë për të kuptuar rezultatin e përgjithshëm. Nuk kishte asnjë sondazh paraprak për referendumin.  Sidoqoftë, lajmet ishin inkurajuese. Numërimi i votave bëhej në çdo qendër votimi, në çdo fshat apo qytet.  Kjo e shpejtonte daljen e rezultatit. Fleta e votimit ishte e thjeshtë, vetëm me dy alternativa:  “Po” ose “Jo”.  

Kolegët gazetarë të mediave të huaja në Tiranë lëviznin sa nga selia e PD-së, te ajo e PS-së, për të mësuar rezultatin. Kur vinin te kjo e fundit, ata thoshnin se atje, te PD, nuk të jep njeri informacion. “Atje është një situatë e vakët dhe e ftohtë, sikur ka vdekur njeri” -  thoshnin. Kjo ishte shenjë se diçka nuk po shkonte mirë në kampin e tyre.  

Te PS ishin mbledhur gati të gjithë liderët e partive të opozitës, me sytë e veshët nga kjo parti. Ata nuk kishin struktura të rregullta të tyre në bazë për të administruar votat, siç kishte PS. Ata të PBDNJ-së kishin një problem specifik: Sipas një neni të projektit të kushtetutës, të gjithë krerët e kumuniteteve fetare në Shqipëri duhet të ishin shqiptarë. Kështu, me miratimin e saj, Hirësia e tij Janullatos duhet të largohej nga Shqipëria, prandaj ishin rreshtuar totalisht kundër Projektit. Berisha që kishte dekretuar ardhjen e Janullatosit dy vjet më parë, tani kërkonte dëbimin e tij me anë të votës së popullit.

Rreth orës njëzetedy thirrjet për fitore po shtoheshin gjithnjë e më shumë, jo vetëm nëpër korridore, por edhe jashtë. Përpara selisë së PS-së turma e socialistëve sa vinte e rritej. Po vinin rezultatet e qytetit të Tiranës. Në tre votimet e mëparshme këtu kishte fituar bindshëm Partia Demokratike. Si do të ishte rezultati tani? Njoftimet thoshnin se edhe Tirana kishte votuar me shumicë për “Jo” -në.    

U largova nga selia e Partisë  pas orës dymbëdhjetë të natës. Rezultati i Referendumit tani ishte i qartë, të paktën për opozitën. Radiotelevizioni Shqiptar, i vetmi i tillë në vend, nuk kishte dhënë asnjë informacion për rezultatet e tij, as nga Komisioni Qendror i Referendumit, as nga vetë gazetarët. Heshtje totale e medias shtetrore për verdiktin e popullit në Referendumin e parë kombëtar në historinë e tij. Dita që po gdhihej nuk kishte gazeta, se ishte e hënë dhe ato ishin pushim.

“Kur flet sovrani, të tjerët heshtin”

Të nesërmen, më 7 nëntor, konferencë shtypi e Presidentit Berisha në Pallatin e Kongreseve. Pritej me ankth reagimi i tij për rezultatin. Do ta pranonte humbjen apo jo? Udhëheqësi socialist Pëllumbi  kishte bërë një deklaratë për mediat e huaja në të gdhirë të asaj dite, që ishte transmetuar në emisionet e lajmeve të mëngjesit:  “Shqiptarët e kanë hedhur në kosh me shumcë të qartë votash projektin e Berishës. Nëse rezultati i Referendumit nuk do të respektohet, ne do t’i bëjmë thirrje popullit të dalë në sheshe”.

Berisha erdhi në konferencën e shtypit si pulë e lagur në kohën e caktuar. Zi në sallën e Pallatit të Kongreseve. Dukej sikur kishte vdekur dikush. Kishte vdekur projekti i kushtetutës. Kryet shëndoshë! Amin! Presidenti dukej i lodhur dhe i dërmuar fizikisht dhe moralisht, por po përpiqej të mos e jepte veten. Kishte bërë gati një muaj fushatë nga veriu në jug dhe ja tani, rezultati katastrofik.  Ai hapi gojën:

“Dje u zhvillua Referendumi kombëtar për Kushtetutën. Pjesëmarrja në të ishte e lartë. Rezultatet zyrtare do të bëhen të ditura nga Komisioni Qendror. Por, nga informacionet paraprake që na kanë ardhur, rezulton se shumica e shqiptarëve kanë votuar kundër projektit të Kushtetutës. Verdikti i popullit do të respektohet plotësisht. Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin.”

Berisha kështu po e pranonte humbjen. Sovrani e kishte bërë esëll “Prijësin”, duke e zhytur atë në kazanin me ujë të ftohtë të atij mëgjesi të 7 nëntorit, për t’i dalë “rakia” e marrëzisë së madhështisë. Sovrani e kishte shfryrë tollumbacen e Referendumit. Boll më me marrëzira të tilla Ky ishte masazhi i theshtë i votës së tij.

Salla e konferencës së shtypit në katin e dytë dukej si e mbushur me kufoma të gjalla. Shumica në të ishin gazetarë pranë pushtetit, të angazhuar në fushatë pro tij, edhe ata të bërë vrer për humbjen.  Shumë prej tyre kishin ëndërruar ndoshta ndonjë “shpërblim” nga pushteti për mundimin e bërë dhe djersën e derdhur, por çdo shpresë  tani ishte shuar përgjithmonë. Ah, sovran, sovran, ç’na bëre!  

U bënë pak pyetje, si në vaki, sa për të thënë: “M’ka çue nana me la gojën”. Berisha doli, ashtu i vrerosur siç hyri. Ishte konferenca më e shkrurtër për shtyp që kishte organizuar ndonjëherë gjatë katër viteve të tij në politikë, vetëm 16 minuta. E kishte organizuar gjithçka vetë në atë “kazan çorbe” dhe tani po vetë, po e pinte të tërë kupën e “helmit” deri në fund.   Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin. Këto fjalë më mbetën në mendje. Berisha po heshtte i pari.

Nuk ishte shumë e qartë se kujt i drejtohej ai me shprehjen: “Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin”. A i drejtohej  popullit që kishte votuar? A i drejtohej opozitës politike që po priste njohjen e rezultatit prej tij, apo po u drejtohej “të tijve”, që nuk ishin dakord me pranimin e rezultatit? Më vonë pati zëra se nga “skifterët” pranë tij, ishte propozuar që të mos njihej rezultati. E saktë është që, pas disa ditësh, Berisha bëri një deklaratë tjetër, sa kontradiktore, aq edhe qesharake. “40 përqindshi i “PO” – së ishte lokomotiva e referendumit, ndërsa 60 përqindshi i “JO”-së ishte vota e ekstremit të majtë dhe të djathtë.” Ngushëllim i mjerë për militantët e zhgënjyer nga humbja katastrofike. Dukej se brenda shtabit të tij, kishte nga ata që nuk po e honepsin dot humbjen dhe prandaj ai po u hidhtenjë “kockë” shprese për ngushëllim.

Në një mbledhje të Partisë Demokratike në Shkodër pak ditë pas humbjes, kryetari i saj Eduard Selami deklaroi se u bë gabim që u zhvillua referendimi. “Kushtetutën duhet ta kishim miratuar me konsensus në Kuvend” – kishte thënë ai. Sfida ishte ndaj Berishës. Kjo u bë shkak për shkarkimin e menjëhershëm të tij nga detyra e kryetarit të PD-së dhe degdisjen në exzil te Ura e Bruklinit në SHBA, për më shumë se 20 vjet. Mbeçë more shokë mbeçë, … Selam m’i bëni nënesë oiiiiii! Në vend të tij, kryetar i PD-së u caktua  drejtori i ndërmarjes  fitimprurëse “Progresi” të PD-së, zëndendës/kryeministri dhe ministër i punëve të jashtme, njëherazi bashkëshort i zëdhënëses së Presidentit  Berisha, zoti Tritan Shehu. Edhe ky qëndroi në krye të Partisë vetëm dy vjet e gjysmë.

Dy muaj pas Referendumit, Gjykata Kushtetues dha vendimin për ankesën e opozitës të bërë para tij për “anti - kushtetutshmërinë”: Referendumi ishte kushtetues, sepse në të mori pjesë shumica dërmuese e popullit shqiptar, tha Gjykata.

Përse u rrëzua projekt -kushtetuta?

 Populli nuk votoi për projektin e Kushtetutës, të cilin nuk e kishin lexuar as një përqind e votuesve. Ai votoi kundër atyre që ia servirën atë projekt. Votoi kundër mënyrës së keqe të qeverisjes nga ana e Presidentit  Berisha dhe e qeverisë së tij; kundër autoritarizmit, abuzivizmit  dhe përpjekjeve për të hedhur në duar të gjitha pushtetet. Ato pushtete Berisha i kishte marrë në mënyrë të paligjshme edhe më parë dhe populli e kishte provuar këtë në shpinën e tij, ndërsa tani kërkonte t’i ligjëronte me anë të Kushtetutës.

Populli votoi kundër trajtimit brutal që pushteti i Berishës po i bënte opozitës politike, duke i burgosur liderin e saj etj. Populli e identifikoi Kushtetutën me presidentin  Berisha dhe prandaj i “hoqi vizën” asaj. Populli votoi edhe kundër mënyrës se si Radio Televizionit Shtetror u kthye në vegël qorre të pushtetit në Referendum.  Referendumi tregoi se sovrani, edhe pse pa traditë demokratike  në këtë fushë, di të thotë fjalën e vet ashtu siç duhet, kur i ka vajtur thika në kockë. Populli votoi kundër asaj halabakërie të pashembullt politike, të paguar nga taksat e qytetarëve të mjerë, që u shfaq në fushatën 25 ditore të referendumit. 

Në Referendum votuan gjithsej: 1.683.168 vetë, e barabartë kjo me 84,3 % të të regjistruarve. Për “Po” votuan 41,7 përqind e tyre. Për “Jo” votuan  53% . Vota të pavlefshme ishin 5, 3 përqind. Shumica e këtyre të fundit (rreth 86 mijë) u quajtën të pavlefshme, sepse në to sovrani, përveç votimit, kishte shfryrë me laps në letër të gjithë “talentin” e tij në fushën e sharjeve, talljeve e mallkimeve, me të gjithë arsenalin e pasur të gjuhës së lashtë shqipe në këtë fushë, kundër pushtetit dhe vetë Presidentit.  Edhe kjo ishte pjesë e “Jo”-së popullore. Që nga ajo kohë Berisha nuk ka fituar kurrë më shumicën e votave të shqiptarve.

(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 06/11/2024 23:22

    Saliu i fundosur ishte që në komunizëm.

    Përgjigju
  • Partia: 06/11/2024 11:21

    Dukeni pak ne vështirësi, saliu si kartë e fundit.

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 06/11/2024 09:54

    Falinderoi gazetarin nr.1 të kohës H.Jupe për përsëritjen e një EPOPEJE DRITHËRUESE PREJ NIË TIRANI GJAKSOR. -E kemi ndjekur veprimtarinë armiqsore të përbindshit të Viçidolit që nga fjalimi parë në sheshin Skënderbej..BASHKFAJTOR & BASHKVUAJTËS..SI FHE RROFT RAMIZ ALIA.. -Me humbjen e referendumit 1994,Vampiri gjakosi opozitën 1996 duke vjedhur 99 % të votave,ku dhe unë komisionari PS U futa në burg për votat,ndërsa PETRO KOÇIT(sot deputet) JU QETH KOKA NË BIRUCË. -Ky përbindësh për të bër 101 krimet 1991-Shkodër deri2021-Elbasan & i pandëshuar kapi DREJTËSINË 100 % 1992 & MEDJET 99 % NË 2005.Ndaj akoma shpif nga ballkoni 8,pasi SPAK,GJKKO ËSHTË NË KOMA prej tij. -Me fitoren e TRAMP,ka shpresë se do ti hiqet vula e turpit për korrupsion madhor,minim të demokracisë,Shpërfills i drejtësisë..pa përmëndur mbi 20.000 të vrarë në kohën e qeverisjes së tij GANGËSTERE(SIPAS SHBA,BE). -Zoti e shpëtoftë Kombin nga non grata Amerikane,Angleze,Gjermane e KO.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Dhunuesit e grave do ndiqen me byzylyk elektronik

Kosovë/ Dhunuesit e grave do ndiqen me byzylyk elektronik