Asllan Dogjani, sot në Komisionin e Sigurisë
Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, mori fjalën te Komisioni i Sigurisë për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke vënë theksin tek gjendja problematike e ushtrisë shqiptare, duke i kërkuar shpjegime ministrit Pirro Vengu nëse Forcat e Armatosura shqiptare janë në gjendje t’i përgjigjen një agresioni nga vendet jo mike.
Po kështu edhe për situatën e emergjencave civile, duke parë përmbytjet në disa vende të rajonit dhe katastrofat natyrore.
“Nëse nesër e zëmë se plas lufta me Serbinë, a ka Ministria e Mbrojtjes armatimin e nevojshëm për t’u përgjigjur. Ju thatë se në buxhetin e ri do parashikohet blerja e tyre. Sa do blihen, çfarë do blihen, a janë të nevojshme ato që do merren dhe a mjaftojnë? A kemi ndonjë avion luftarak ne në Shqipëri? A ka ndonjë mundësi për konflikt rajonal në Kosovë me Serbinë dhe si mund t’i përgjigjemi këtyre kërcënimeve. Se këto çështjet e traktatit të Varshavës i merr vesh më mirë Nasipi që nga koha e komunizmit, na i shpjegon ai”, tha Dogjani duke bërë edhe ironi me kryetarin e Komisionit, referuar edhe debatit të mëparshëm Xhaferraj-Vengu-Naço.
Dogjani pati rezerva edhe për çështjen e emergjencave civile.
“Me ato që po ndodhin e shohim si në Spanjë me përmbytjet, duam të dimë nëse i kemi mjetet e nevojshme për të përballuar një situatë të tillë. A duhet rritur më shumë ky buxhet për të blerë pajisjet e duhura. Ose çështja e sulmeve kibernetike nga vendet jo mike apo kërcënimet që mund të na vijnë nga Serbia dhe Rusia”.
Por kryetari i Komisionit i kujtoi kolegut opozitar se po fliste me dy standarde të ndryshme.
“Flisni për një vend të NATO-s, por pretendimet i keni si të një vendi të Traktatit të Varshavës, flet për 1 mijë avionë e të tjera. Ministri sapo e tha dhe shifrat u përmendën, nga 43 mld, buxheti i Mbrojtjes ka shkuar mbi 45 mld, pra ka rritje. Buxheti për ushtrinë 2,1 përqind sipas standardeve”, ironizoi Naço.
Dogjani iu përgjigj se “Traktatin e Varshavës e njeh ti shumë mirë, unë kam qenë i vogël nuk e mbaj mend”.
Ministri Vengu shpjegoi se Shqipëria është vend i NATO-s dhe operon me vendet partnere, teksa paralelisht investon edhe në sigurinë e informacionit dhe kibernetike për të ndalur sulmet e mundshme.
Investimet në buxhet sipas ministrit, synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake për çdo situatë të mundshme, sikurse edhe rritja e buxhetit të emergjencave civile, me qëllim përballimin e katastrofave natyrore.
Lajmi kryesor: