TIRANË- 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente si pjesë e planit të masave të sigurisë në institucionet arsimore. Në inspektimin e zhvilluar në gjimnazin “Partizani” ku kamerat e reja janë implementuar, kryeministri Edi Rama tha se tanimë siguria është e garantuar, kurse prindërit mund të jenë në dijeni të çdo situate që përfshin fëmijët e tyre.
Kryeministri sqaroi se kamerat do të jenë vetëm në ambientet e përbashkëta, por jo në klasa pasi këtë nuk e lejojnë kufizimet e Bashkimit Europian. Sistemi mundëson monitorimin në kohë reale të mjediseve të përbashkëta dhe sinjalizimin e situatave që kërkojnë vëmendje.
Pamjet janë të lidhura online me Qendrën Kombëtare të Monitorimit dhe Policinë e Shtetit, ndërsa aksesi në to kryhet sipas një protokolli të përcaktuar. Në një prej ilustrimeve sqarohet se kamerat arrijnë të identifikojnë edhe duhanpirjen në ambientet e shkollës.
“Po kalojmë nga një gjeneratë kamerash të vjetra, të cilat ndihmonin deri në një farë mase ishin krejtësisht të pamjaftueshme për të ndjekur situatat në kohë reale dhe për të pasur një pamje të qartë të vijës së sjelljes në tërësi në mjedisin e përbashkët, - tek një gjeneratë e re e kamerash që i krijon siguri shumë më të madhe shkollës në administrimin e gjithë jetës së brendshme në mjediset e përbashkëta, - jo klasa - dhe nga ana tjetër i jep prindërve mundësinë që të kenë në kohë reale sa herë që ata duan një pamje të çdo situate, ku është i përfshirë fëmija i tyre. Klasat nuk do kenë kamera. Unë personalisht do doja që të kishte dhe në klasë pasi ne e kemi parë shembullin kur kjo përdoret në klasë se sa shumë ndihmon për rregullin, se sa shumë ndihmon kundër kopjes, se sa shumë ndihmon për ndërveprimin mes fëmijëve, por duke qenë se këtu ka një kufizim të qartë të bërë për sa i përket të vendeve të Bashkimit Europian, ne nuk do luftojmë me këtë kufizim. Në rast se pastaj prindërit do ta duan, do ta kërkojnë një ditë të bukur këtë gjë, do e shohim, por ne nuk kemi këtë qëllim. Domethënë këtu jemi në kushtet kur garantojmë një pamje në kohë reale të të gjithë mjediseve të përbashkëta, ku garantojmë një aleat shumë të fortë të punonjësve të sigurisë dhe të drejtuesve të shkollave sepse me këto kamera në kohë reale mund të shikohet çdo lloj personi që mund të vijë nga jashtë, që mund t'i shpëtojë syrit të punonjësit të sigurisë. Mund të shikohet çdo lloj veprimi që mund të bëhet i dyshimtë, mjediset e shkollës. Është absolutisht e pamundur më që të pish duhan pa u detektuar. Pra ky është një sistem për të cilin ne kemi punuar shumë”, u shpreh Rama.
20 shkollat e përzgjedhura janë ato me numër më të lartë nxënësish.
“Jemi absolutisht të bindur që kjo pasi të kalojë, për disa, se lavdi Zotit si ka ngjitur të gjithëve dhe ky dezinformimi, pasi të kalojë për disa, ky momenti i dyshimit, të gjithë do ndjehen shumë më të qetë me dërgimin e fëmijëve nëpër shkolla”, tha Rama.
Në një video të postuar më herët në rrjete sociale, kryeministri tha se vendimi për modernizimin e sistemeve të sigurisë në shkolla lidhet me një zotim të marrë pas një tragjedie të rëndë të ndodhur në një shkollë të Tiranës, ku një i mitur humbi jetën (vdekja e Martin Canit, që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij).
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla. Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë por natyrisht edhe të vetë prindërve.
Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, tha Rama.
Brenda muajit shtator do të certifikohen edhe 90 oficerë sigurie që do të vendosen në shkolla. Gjithashtu, patrulla policie do të mbikëqyrin shkollat në momente kyçe të ditës, konkretisht para nisjes së mësimit, gjatë pushimit të madh midis orëve dhe pas përfundimit të mësimit.
Një tjetër masë e ndërmarrë për nisjen e vitit të ri shkollor lidhet me komunikimin me prindërit dhe nxënësit. Dita e parë e shkollës do t’i dedikohet komunikimit dhe njohjes me njëri-tjetrin, me synim që prindërit dhe nxënësit të marrin informacionin dhe shpjegimet e nevojshme drejtpërdrejt në mjediset e shkollës nga drejtuesit dhe mësuesit.
Këtë vit do të hapin dyert 42 shkolla dhe terrene sportive të rehabilituara në të gjithë vendin.
-
Jam mesues ku shkolla kamera Nuk jane kamerat ato qe parandalojne por eshte fakti qe familja shqiptare eshte shkaterruar dhe mesuesit perballen me lloj lloj kulturash skandaloze qe kane femijet shqiptare.Perveç kesaj e rendesishme eshte zgjedhja e drejtuesve te cilet kane zene 12 vjet rrenje dhe duhen ndryshuar.E tmerrshme ta mendosh te jesh mesues ne ditet e sotme.E sigurt qe akush nuk e ha pensionin
Përgjigju










Komente
Komento