Alba Malltezi: Sikur Berisha të njihte luftën për 'non grata' të Konicës ndaj Nolit... do të heshtte ndaj SHBA e Britanisë

Alba Malltezi: Sikur Berisha të njihte luftën për 'non grata' të Konicës ndaj Nolit... do të heshtte ndaj SHBA e Britanisë

Fan Noli dhe Faik Konica

Kur flasim dhe shkruajmë për Faik Konicën dhe për Fan Nolin, kurrizin duhet ta mbajmë drejtë dhe kokën të përulur në shenjë nderimi. Flasim dhe shkruajmë për dy titanë të diturisë shqiptare që vitet ende nuk i kanë parë të ripërsëritur tek ndonjë tjetër. Përmasat kulturore dhe intelektuale të të dyve, kapërcyen shtete e kontinente atëherë kur bota nuk ishte globale.

E megjithatë, siç na e dëshmon përmes dokumentave arkivorë në librin e tij të çmuar “Faik Konica - jeta në Uashington” Ilir Ikonomi, mes Konicës dhe Nolit pati një periudhë të shëmtuar, të pabesë, të tmerrshme njerëzore. Fjalën “të pabesë” Konica e përmend si ofendimin më të madh për një shqiptar, ndryshe për shembull nga një grek, që injorant e i paditur është sharja më e rëndë. Por, a u tregua Konica “i pabesë” me Fan Nolin në vitet e luftës së ashpër mes tyre? E gjitha vërtitet tek përndjekja, këmbëngulja e Faik Konicës për ta shpallur “të papëlqyeshëm” Fan Nolin në Amerikë, për t’i ndaluar atij vizën hyrëse, duke e akuzuar si një komunist e bolshevik të rrezikshëm. Kujtojmë që ishin vitet kur i gjithë sistemi amerikan ishte tepër i ndjeshëm, madje alergjik ndaj komunistëve dhe bolshevikëve, jo vetëm brenda kufijve të SHBA, por edhe në Europë dhe më gjerë.

Konica bëri të pamundurën nga ana e tij që Noli të mos vinte më këmbë në SHBA, pra të shpallej një “non grata” nëse do të përdorim termin e sotëm. Por si u soll sistemi demokratik amerikan dhe njerëzit e tij, edhe pse për Konicën kishte një konsideratë të jashtëzakonshme dhe miqësitë e tij kapnin majat e njerëzve me influencë politike nga Bostoni, në Nju Jork e Uashington?

Ishin vitet mes fundit të 1920 dhe fillimit të 1930, kur në Shqipëri, Ahmet Zogu nga kryeministër ishte vetëshpallur Mbret edhe me “hosanarat” e papritura të Faik Konicës, tashmë i emëruar si “Ministër” (Ambasador) i Shqipërisë në Uashington. Fan Noli e konsideronte Konicën si një të shitur dhe shkrimet për të tek “Republika” ishin të pamëshirshme, ashtu si dhe përgjigjet e Konicës dhe të bashkëpunëtorëve të tij te “Dielli”. Por ishte një tjetër lojë që Konica bën “nën rrogoz” që tregon një tjetër natyrë të tij, të cilën gazetari dhe shkrimtari Ilir Ikonomi e ka paraqitur me ndershmëri dhe korrektësi intelektuale. Lexuesve u takon ta gjykojnë dhe të shohin me sytë e tyre se si sulmonin  shqiptarët njëri-tjetrin, por edhe si vepronte sistemi demokratik amerikan. Atëherë, si sot.

Në kapitullin Kuq e Blu të librit, shtjellohet gjithçka si jo më mirë:

Pas një qëndrimi të gjatë në Europë, më 4 maj 1930, Fan Noli kthehet në Amerikë. Lufta mes “Diellit” të Vatrës dhe Konicës njëkohësisht dhe “Republikës” së Nolit është e ashpër. Dielli  e quante Nolin “një turk, i cili sot nuk ka as shtëpi, as njerëz në Shqipëri. Shqiptarët, - shkruante “Dielli”, - e nderuan Fan Nolin dhe e bënë kryetar të tyre, po ay si çpërblim për të mirat që i kanë bërë, j’u futi grindjen shqiptarëve dhe i bëri që u vranë vlla me vlla. Tani prapë nuk ka hequr dorë nga vëlla-vrasjet”.... Edhe “Republika” nuk ishme më delikate ndaj sulmeve ndaj Konicës, të cilin e quante “Beu i Konicës” apo “ministri Salemboza”; ai bashkë me të vëllanë Mehmetin përshkruheshin si “këlyshët, zagarët, langoret që i vijnë rrotull kasaphanës zogolliane etj.”

Leximi i fakteve në librin e Ikonomit do të ishte me shumë vlerë për të kuptuar të tërën, por veprimi i Konicës në rreshtat që vijnë është i paprecedentë.

Pas shumë shkrimeve të mistershme që shpërthyen kundër Nolit në gazeta të ndryshme amerikane, Faik Konica hartoi një raport me shtatë faqe për Nolin dhe ia dërgoi Ndihmëssekretarit të Shtetit të atëhershëm, Castle. Në raport Noli përshkruhej si komunist radikal – shkruan Ikonomi në librin e tij – dhe akuzohej se ishte përpjekur prej vitesh të gjentë njerëz mes shqiptarëve të Amerikës për t’i konvertuar në komunizëm. “Ka shumë prova për vizitat e tij në Rusi – shkruante  Faik Konica, - por është njëra veçanërisht me interes dhe që gjendet më lehtë; është një intervistë me Fan Nolin e botuar nga gazeta Izvestia, kur Fan Noli shkoi në Moskë për të marrë pjesë në një kongres të Internacionales Komuniste”...

Nuk po e shkruajmë të plotë letrën, pasi është me vend të lexohet libri, por intriga e Konicës është vërtetë shembullore për ta futur Nolin në një të papëlqyer për instutucionet amerikane. Por si reaguan autoritetet amerikane ndaj këtij raporti?

Shefit të sektorit të Lindjes së Afërme, Murray, i bëri përshtypje orvatja e Faikut për të fshehur emrin. Murray nisi të dyshojë dhe kërkoi të hidhej dritë mbi akuzat e ministrit kundër Nolit, për të parë nëse ato kishin ndonjë motiv tjetër. Ndërkohë, krejt çështja i kaloi për shqyrtim sektorit të vizave, i cili mblodhi informacione nga legatat amerikane në Evropë. Në librin e Ikonomit sillen të gjitha verifikimet dhe në fund, mbi bazën e të dhënëve të grumbulluara, sektori i vizave arrinte në përfundimin se Fan Noli NUK ISHTE PERSON QË NUK MUND TE PRANOHEJ NË SHTETET E BASHKUARA!

Pastaj historinë e dimë, Fan Noli qëndroi e jetoi në Shtetet e Bashkuara deri në ditët e fundit të jetës së tij.

E vërteta dhe historia përsëriten në mënyra të ndryshme, me njërëz të ndryshëm, në kohë të ndryshme, por sjellja ndaj tyre në vende në demokraci ka një rregull dhe një strukturë të pacënueshme, për të parë të vërtetën dhe për të shmangur inatet dhe hakmarrjet personale. Duket qartë që Sali Berisha këtë ose nuk e di, ose bën sikur nuk e di, duke përfituar nga të paditurit dhe të palexuarit.

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emri: 17/07/2023 23:02

    i ke rene fiks ne koke. Natyra njerezore mbetet e njejte, e McCarthizmi (ajo per te cilen ti e prek pa e permendur emrin) eshte njesoj, pavaresisht nga sistemet ekonomike a qeverisese, qe ne thelb jane struktura e nje grupi i cili mban poshte vetes nje grup tjeter. Dhe nje keshille miqesore: kujdes me demokracine, sepse natyra njerezore prevalon mbi te. Dhe me beso eshte shume me e erret nga se sa e dine shumica.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 5 kundër 1, banda rreh brutalisht të riun për ti marrë telefonin

VIDEO/ 5 kundër 1, banda rreh brutalisht të riun për ti marrë telefonin